Propozimi i Webshtet pas tryezave në 11 qarqet
Rajonet e Shkodrës, Arbrit, Elbasan-Korçë, Muzakajt dhe Kaonët, Tirana rajon më vete
Harta e re territoriale administrative e propozuar nga portali ShtetWeb e ndan vendin në 6 rajone të mëdha dhe 89 bashki. Propozimi që u prezantua dje në një takim të gjerë ku merrnin pjesë ish-kryeministrat Ylli Bufi, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino dhe anëtarë të maxhorancës në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës territoriale Namik Kopliku, Andrea Marto, kreu i shoqatës së pushtetit vendor, Artan Shkëmbi, por edhe ish- drejtues të pushtetit vendor ndër vite, të djathtë dhe të majtë. Projekti eliminon komunën si njësi administrative me kompetencat e sotme, duke bashkuar disa komuna pranë një bashkie ekzistuese ose të re. Rajonet përbëhen nga 24 bashki, që është ai më i madhi dhe më i shtriri gjeografikisht, siç është Rajoni i Arbrit, me 987.594(banorë) që përfshin qarkun aktual të Dibrës, të Durrësit dhe një pjesë të qarkut të Tiranës dhe përfundon me 16 bashki, në Rajonin Kaonët, që përfshin qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës. Tirana është konsideruar si një rajon më vete me një status të veçantë, që propozohet të përfaqësohet vetëm nga Bashkia e Tiranës dhe minibashkitë e saj. Zonat rurale të Tiranës i janë bashkangjitur Rajonit të Arbrit. Një Rajon i madh propozohet dhe Rajoni Elbasan–Korçë, që përmbledh dy qarqet aktuale me rreth 822.080 banorë. Gjetje e veçantë është Rajoni Muzakaj, që përfshin qarqet e Beratit dhe Fierit me 737.317 banorë. Mesatarisht numri i banorëve për bashki shkon në 47 mijë. Në projekt-propozimin e paraqitur nga ShtetiWeb qeverisja vendore i ruan dy nivelet. Por ndërsa niveli i parë, bashkia riorganizohet në funksion ekskluziv të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit, niveli i dytë, Qarku/Rajoni, merr përsipër administrimin e territorit dhe politikat rajonale të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të qëndrueshëm e në përputhje me strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit. Analiza dhe konsultimi mbi kriteret e popullsisë, madhësisë dhe vazhdueshmërisë së territorit, traditës e kulturave lokale, etnive, zonave funksionale dhe analizës së eficiencës ekonomiko-financiare të njësive aktuale të qeverisjes vendore kanë rezultuar në një propozim për zvogëlim drastik të numrit të njësive vendore të nivelit të parë, që shkon deri në maksimum 89.
Konsultat
Për të arritur në hartën e re territoriale dhe administrative, grupi i punës i portalit ShtetiWeb ka zhvilluar 11 tryeza në 11 qarqe, përveç Tiranës. Drejtori i këtij portali, Ardian Haçkaj, shpjegoi të gjithë punën e bërë nga grupi i punës për hartimin e këtij propozimi. Grupi i punës ka zhvilluar 230 intervista, nga të cilat ka thithur mendimin e ekspertëve, ku kanë marrë pjesë 8 ish-prefektë, 6 ish-kryetarë qarqesh, 20 ish-kryetarë bashkish dhe 24 ish-kryetarë komunash.
Minoritetet
Projekti i paraqitur dje favorizon dhe minoritete që të kenë një përfaqësim të pastër etnik dhe të mos u bashkëngjiten komunave apo bashkive të tjera. Kështu është propozuar Bashkia Liqenas me minoritetin etnik maqedonas në rajonin Elbasan-Korçë, edhe pse numri i banorëve është shumë larg standardit të bashkive të tjera, po ashtu dhe Bashkia e Dropullit në rajonin e Kaonëve, ku janë përfshirë tri komuna të minoritetit etnik grek, Dropull i Poshtëm e i Sipërm dhe Pogon.
ARISTIR LUMEZI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al