Pedagogu i Universitetit të Birmingemit: Çfarë po ndodh me peticionin.
Alpion: Do vazhdojmë të lobojmë për ndërtimin e rrugës.
Rruga e Arbrit është e vetmja shpresë për Dibrën. Në të kundërt, një ndër krahinat më të mëdha të vendit ka shumë mundësi të shkojë drejt rrënimit përfundimtar.
Në një intervistë, studiuesi i njohur Gëzim Alpion tregon se çfarë po ndodh me peticionin për mbështetjen e Rrugës së Arbrit dhe se çfarë po ndodh me rrugën dhe Dibrën. Profesori i Universitetit të Birmingemit është shumë i qartë: pa këtë rrugë Dibra është e vdekur. Alpion tregon se nga peticioni janë mbledhur rreth 5 mijë firma.
Tanimë peticioni ka regjistruar mbi 4550 nënshkrime online, pa llogaritur nënshkrimet në formularët e përgatitur enkas në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ky numër i deritanishëm ju bën të ndiheni të kënaqur nga përkrahja që ka gjetur peticioni?
Kur filloi peticioni ne menduam se do të ishte një arritje shumë e mirë po qe se do të siguronim 1000 nënshkrime. Tani, duke përfshirë edhe nënshkrimet e formularëve në letër, peticioni ka më shumë se 5000 përkrahës. Duke parë mobilizimin e rinisë dibrane në Peshkopi dhe në disa fshatra në Dibër, jemi të sigurt se numri i nënshkruesve do të rritet në muajt që vijnë.
Shqipëria është një vend i politizuar. Ju dhe kolegët tuaj dibranë, që janë prononcuar për peticionin në media, keni theksuar që në fillim se ky peticion është dhe do të mbetet deri në fund jo politik. A janë bërë përpjekje për ta politizuar këtë nismë dhe cili ka qenë reagimi juaj? Apo nuk keni reaguar fare?
Peticioni ynë “i dogji” që në fillim, si së majtës ashtu edhe së djathtës së politikës shqiptare, pasi, siç përmenda më lart, Rruga e Arbrit ka “mëkatarë” socialistë dhe demokratë. Para zgjedhjeve demokratët menduan se peticioni ishte kundër tyre, me gjithë insistimin tonë se ky peticion nuk është për të sulmuar të djeshmit, kushdo qofshin ata, por fillimi i një dialogu konstruktiv me qeverinë. Ndërsa socialistët menduan se peticioni po çonte ujë në mullirin e tyre, kështu që simpatizantët e tyre, veçanërisht në Dibër, u treguan më të gatshëm për të nënshkruar. Pas zgjedhjeve ndodhi e kundërta. Simpatizantët e së majtës u bënë më të “tërhequr”, ndërsa të “djathtët” filluan të gjallërohen.
Për ne nuk kishte rëndësi se kush i fitonte zgjedhjet, pasi as unë dhe as kolegët e mi nuk synojmë karrierë politike në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk aderon në ndonjë parti politike. Qëllimi ynë i parë dhe i fundit nëpërmjet këtij peticioni është t’i shërbejmë Dibrës. Për këtë jemi të vendosur, pavarësisht se sa shumë kohë do të na duhet të lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Kohë më parë ju jeni shprehur se Rruga e Arbrit “do të rilindë dibranët”. E keni fjalën për dibranët në Shqipëri apo edhe në Maqedoni?
Dibra, apo më saktë Dibrat, po e vuajnë sakatimin e kombit më shumë se çdo krahinë tjetër e truallit shqiptar edhe 100 vjet pas kasaphanës së 1913-ës. Si rezultat i këtij akti makabër, Dibra, që gjeografikisht është në qendër të hapësirës shqiptare, i ngjan një viktime që vandalët i vodhën veshkën pa u merakosur të paktën t’i qepnin plagën.
Në kohën tonë kufijtë po bëhen gjithmonë e më simbolikë, dhe shpresoj që kjo të aplikohet edhe në Ballkan. Megjithatë, Dibrat nuk do të përfitojnë nga klima e tanishme e bashkëpunimit Europian që do të përfshijë gjithmonë e më shumë edhe Ballkanin tonë të trazuar, për aq kohë sa infrastruktura të mbetet ajo që është në të dyja anët e kufirit.
Për Dibrën e Madhe bashkatdhetarët tanë atje, jam i sigurt se janë në gjendje të bëjnë një argumentim shumë më të informuar se unë se si janë trajtuar nga shteti maqedonas dhe se çfarë përpjekjesh po bëjnë politikanët shqiptarë atje për të ndihmuar konkretisht atë zonë. Kohët e fundit kam ndjekur me shqetësim lajmin në lidhje me devijimin e Radikës, që përbën jo vetëm një hap tjetër mbrapa për Dibrën, por edhe një akt vandalizmi ekologjik. Në një vend që nuk ka rrugë dhe ujë, nuk mund të flitet për zhvillim.
Për Dibrën në Shqipëri, siç i thonë një fjale, fshati që duket nuk do kallauz. Dibra po jep shpirt. Ndërsa rruga aktuale Peshkopi-Tiranë, po t’i hidhni një sy hartës, është një ofendim për intelektin dhe çmenduri të cilët dibranët nuk duhet ta durojnë as edhe një legjislaturë më shumë.
Të mendosh se zona që nxori heronj të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare në luftë për mbrojtjen e kombit si Skënderbeu, Elez Isufi, Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra etj., për të ardhur te heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të injorohet deri në përbuzje, është një dështim flagrant i shtetit ndaj përgjegjësisë që ka për 200 mijë dibranë, të cilët kanë kohë që presin më kot që Tirana zyrtare të kujtohet për ta.
Dibra është një muze i gjallë dhe një perlë e pashoqe e natyrës si nga bukuritë e mahnitshme dhe relievin epik, ashtu edhe për pasuritë e shumta minerale, burimet ujore, pemëtarinë dhe pyjet. Është mirë që sheikët e politikës shqiptare që po dhjamosen gjatë dy dekadave të fundit me kromin e Bulqizës t’i vënë gishtin kokës sa më shpejt dhe të bëjnë diçka konkrete për t’i shërbyer Dibrës dhe zonave të tjera të harruara, të cilat për më se një shekull janë viktimë e shfrytëzimit nga “kolonializmi nacional”.
Dr. Alpion, cili do të jetë fundi i këtij peticioni dhe çfarë sjell kjo eksperiencë në sferën tuaj personale e profesionale, apo ndoshta një mesazh shprese do ishte i nevojshëm për dibranët dhe jo vetëm?
Siç e kemi bërë të qartë që më 18 mars 2013, kjo nismë do të përfundojë vetëm kur të përfundojë metri i fundit i rrugës Tiranë-Peshkopi brenda standardeve ndërkombëtare.
Ne jemi të gatshëm të lobojmë me vite dhe, po qe se na duhet, edhe t’i ngremë fjalët me pashallarët e rinj në Tiranë, pasi kjo është një “betejë” që ne nuk jemi të përgatitur ta humbin, sepse pa këtë rrugë Dibra është e vdekur.
VALMIR GASHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.alRruga e Arbrit do të ndërtohet
Rrugët, Haxhinasto: Identifikim i projekteve me rëndësi rajonaleBashkëpunim më i ngushtë mes vendeve të Ballkanit për të identifikuar projektet me rëndësi rajonale. Ministrat e Transportit të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të ftuar nga ministrit Edmond Haxhinasto, shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë dhe projekte konkrete. Në fjalën e tij, Haxhinasto u shpreh se do të shihen nga afër gjithë opsionet dhe lidhjet që lehtësojnë transportin dhe shkëmbimet mes vendeve. Madje, për herë të parë që nga marrja e detyrës së qeverisë së re ministri Haxhinasto shprehu edhe qëndrimin për Rrugën e Arbrit, projekt që sipas tij duhet të vazhdojë dhe që ka mjaft rëndësi për lidhjen me Shkupin. Në këtë pikë, një rëndësi të veçantë merr edhe projekti për Portin e Shëngjinit. Përveç transportit rrugor, bashkëpunimi do të shtrihet edhe në hekurudha. Në vendin tonë ky lloj transporti nuk është fizibël, por sipas ministrit, nëse rrjeti kthehet me synim rajonal dhe përmirësohet lidhja me Malin e Zi apo zgjerohet lidhja me Maqedoninë, ky lloj transporti mund të kthehet në avantazh. Në synimin për të pasur turizmin në fokus dhe për të krijuar lehtësitë e nevojshme, Haxhinasto u shpreh se investimet janë parashikuar edhe për dy aeroporte, bërja funksional e aeroportit ekzistues të Kukësit dhe ndërtimit të një të riu në Sarandë.