Padia e KLSH, Prokuroria mbyll dosjen ndaj Gjiknurit

Aug 16, 2016 | 13:30
SHPËRNDAJE

Prokuroria ka vendosur mbylljen e dy dosjeve që kanë të bëjnë me çështjen “CEZ”, ku të akuzuar kanë qenë ministri aktual i qeverisë Rama, Damian Gjiknuri, dhe ish-ministra e zv.ministra të qeverisë Berisha.

Ministri Gjiknuri
Ministri Gjiknuri

Më saktësisht, prokurori i çështjes në organin qendror të akuzës ka vendosur pushimin e hetimeve për padinë e bërë në datën 14 tetor 2015 ndaj ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe Avokates së Shtetit, Alma Hicka.

Lajmi u bë me dije nga burime të konfirmuara të KLSH-së, që kanë thënë se janë njoftuar për vendimin e prokurorit të çështjes dhe po bëjnë përgatitjen e ankimit kundër këtij vendimi në Gjykatën e Lartë.

Nga ana tjetër, mësohet se vendimi për pushimin e hetimeve për padinë e KLSH-së është finalizuar nga prokurori i çështjes disa ditë pas votimit nga Kuvendi i Shqipërisë, të ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi.

Zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme të pyetur nga “Panorama” thanë dje se nuk janë në dijeni të argumenteve të vendimit, pasi tashmë ligji nuk ua jep të drejtën e njohjes me to. Ndryshimet në fjalë e bëjnë vendimin e prokurorit të çështjes përfundimtar për sa i përket organit të akuzës, duke mos dhënë mundësi rishikimi të tij brenda Prokurorisë.

E vetmja rrugë kundërshtimi për një vendim të tillë, sipas ndryshimeve kushtetuese që kanë hyrë në fuqi tashmë, është ankimi në Gjykatën e Lartë dhe kjo vetëm nga kallëzuesi. KLSH-ja ka paditur penalisht ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, dhe Avokaten e Shtetit me pretendimin se mosmarrëveshja me kompaninë CEZ që u zgjidh me mirëkuptim, por edhe një sërë aktesh të tjera para paktit, i kanë shkaktuar shtetit një dëm total prej 479 milionë eurosh.

Mbyllet edhe dosja “Bode”

Thuajse në të njëjtën kohë me pushimin e hetimeve për Damian Gjiknurin, ministër i qeverisë aktuale, Prokuroria ka vendosur të njëjtën gjë edhe për një numër ish-ministrash e zyrtarësh të qeverisë Berisha.

Ridvan Bode, ishministër Financash, Genc Ruli, ish-ministër Ekonomie, Florion Mima, ish-ministër Ekonomie, ish-zv.ministrat Enno Bozdo dhe Neritan Alibali dhe ish-këshilltarja e kryeministrit, Suzana Guxholli, u paditën në datën 28 dhjetor 2015 nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Kallëzimi penal kishte të bënte me vendimet e marra nga ministritë përkatëse në kohën e qeverisë Berisha në raport me kompaninë CEZ.

MEI theksonte në kallëzimin e firmosur nga Gjiknuri, në fund të vitit 2015, se ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli dhe Florion Mima kanë kryer favorizim të kompanisë CEZ dhe nuk kanë marrë masa për mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar pas heqjes së licencës së operatorit CEZ, duke i shkaktuar shtetit një dëm në vlerën e 414 milionë eurove.

Edhe ky kallëzim, sipas prokurorit që ka hetuar çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk përmban elementë të veprës penale dhe si i tillë është pushuar. Për vendimin e çështjes është njoftuar Ministria e Energjisë dhe Industrisë, e cila mësohet se po përgatit kundërshtimin e këtij vendimi me padi në Gjykatën e Lartë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura