Padia/ Pas vetingut, PD çon në Kushtetuese qeverisjen e drejtësisë

Dec 22, 2016 | 8:37
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka depozituar një tjetër ankimim në Gjykatën Kushtetuese ndaj Reformës në Drejtësi. Oerd Bylykbashi e cilëson antikushtetues ligjin për organet e qeverisjes së drejtësisë, që parashikon mes të tjerash ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Selia e PD-se
Selia e PD-se

Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e Reformës në Drejtësi, me 291 nene, por sipas Partisë Demokratike, ai është ligji me më shumë shkelje kushtetuese sesa çdo ligj që është miratuar me paketën e Reformës në Drejtësi.

Mësohet se kundërshtimi kryesor i opozitës lidhet me mënyrën e zgjedhjes së 10 anëtarëve nga Kuvendi për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

Sipas opozitës, ligji i heq Kuvendit ekskluzivitetin e emërimit të këtyre anëtarëve, duke vendosur një komision “ad hoc”, që do të filtrojë kandidaturat nga Avokatia, përpara se ato të shqyrtohen nga Kuvendi.

Sipas demokratëve, komisioni “ad hoc” është një strukturë që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe është krijuar për t’i imponuar Kuvendit të Shqipërisë vullnetin e disa njerëzve të caktuar, me gjasë nën kontrollin e qeverisë. Kjo është arsyeja, që sipas demokratëve e bën flagrante shkeljen e Kushtetutës dhe që detyron opozitën të ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Sot Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim në lidhje me ligjin e vetingut, të ankimuar nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve.

Burime nga Gjykata Kushtetuese thanë se shpresohet që sot të kemi një vendim, edhe pse ende nuk dihen se si ndahen votat e tetë anëtarëve të saj ndaj kërkesës së Partisë Demokratike.

ARISTIR LUMEZI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura