Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e qeverisë për pezullim të gjykimit deri në pritje të përfundimit të gjykimit të çështjes në gjykatën e Tiranës që lidhet me statusin e Voltana Ademit si kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Ndërkaq, Kushtetuesja ka rrëzuar edhe kërkesën për pushim të çështjes që lidhet me legjitimimin e kërkuesit.
Seanca pritet të mblidhet pas orës 12:00 për të dhënë vendimin përfundimtar mbi padinë e Ademit për rrëzimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Kushtetuesja iu la një orë kohë palëve për t’u njohur me aktet e dosjes. Qeveria kërkoi më herët përmes juristes Elira Kokona shqyrtimin e statusit dhe legjitimitetit të Voltana Ademit, e cila u shkarkua nga Shoqata e Bashkive.
(10:55) Padia për zgjedhjet e 2019-ës/ Zbardhen diskutimet në Kushtetuese, përfaqësuesja e qeverisë: Të pushojë çështja derisa… Daci: Jeni në konflikt interesi
“Panorama” ka zbardhur një pjesë të diskutimeve në Gjykatën Kushtetuese lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive (Voltana Ademi) për rrëzimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Në seancë përfaqësuesja e qeverisë Elira Kokona ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e pranojë shqyrtimin e padisë për rrëzimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, me pretendimin se është bërë jashtë afatit. Kokona kërkoi pushimin e gjykimit të çështjes derisa të merret një vendim për organet drejtuese të shoqatës, ku Pjerin Ndreu i mori vendin Voltana Ademit.
DISKUTIMET
Elira Kokona nga Këshilli i Ministrave shprehet se: “Nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”.
Ndërsa, këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi tha: “Pretendimi i shoqatës së Bashkive, është prej 2019. Shoqata tjetër e Bashkive ka pasur tendencë jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj, por edhe të largojë nga drejtimi përfaqësuesit e kësaj shoqate. Qëllimi ka qenë që të uzurpojnë këtë shoqatë. Unë kërkoj që të rrëzohet kërkesa që ajo shoqatë të bëhet pjesë e këtij procesi. Këshilli i Ministrave kërkon pezullim të çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet sa i takon organeve drejtuese të shoqatës. Gjithashtu kërkojnë pushim të gjykimit, pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Të dy shoqatat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij procesi”.
Jordan Daci, përfaqësuesi i shoqatës së bashkive (Voltana Ademi) deklaron se “nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet. Gjykata kushtetuese: pozicionimet e palëve janë në diskrecionin e tyre”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al