Pagjumësia mund të jetë një faktor rreziku për zhvil limin e astmës në moshën e rritur. Sipas vlerësimeve më të fundit nga Akademia Amerikane e Alergjisë dhe Imunologjisë (AAAI), afërsisht 1 në 10 fëmijë dhe 1 në 12 të rritur kanë astmë.
Si një sëmundje kronike e rrugëve të frymëmarrjes të mushkërive, astma është e lidhur me obezitetin dhe nivelin e ndotjes. Faktorë të tjerë rreziku cilësohen edhe pirja e duhanit, alergjitë e ndryshme, infeksionet virale, historia e familjes, si dhe ekspozimi ndaj pluhurave të caktuara dhe kimikateve.
Po ashtu edhe një studim norvegjez konfirmon faktin se pagjumësia mund të bëhet gjithashtu shkak për zhvillimin e astmës. Duke analizuar lidhjen midis rrezikut të astmës dhe pagjumësisë, studiuesi dhe autori i fundit i studimit, dr. Linn Beate Fillesa, nga Departamenti i Shëndetit Publik dhe Praktika e Përgjithshme në Universitetin Norvegjez të Shkencës e Teknologjisë (NTNU), shpjegon motivimin e studimit ku ishin pjesëmarrës rreth 18 mijë persona të moshës nga 20 deri në 65 vjeç.
Në fund, rezultatet treguan se rreziku për astmë është tri herë më i lartë për ata me pagjumësi kronike. Sipas studimit, pjesëmarrësit të cilët raportuan simptoma pagjumësie kishin një rrezik më të lartë të zhvillimit të astmës, në krahasim me të tjerët. Konkretisht ata që raportuan probleme me pagjumësinë gjatë muajve të kaluar kishin një rrezik 65 për qind më të lartë të zhvillimit të astmës gjatë 11 viteve të ardhshme.
Për ata që pagjumësia ishte një fenomen i përnatshëm, rreziku u rrit në 108 për qind. Përveç kësaj, edhe ata që zgjohen herët kanë një rrezik gati 92 për qind për fillimin e astmës. Në përfundim, mund të thuhet se tek ata me pagjumësi kronike kishte një rrezik të trefishtë të zhvillimit të astmës në krahasim me ata që nuk kanë pagjumësi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al