Prokuroria e Tiranës është në pritje të informacionit që ka kërkuar nga misioni i Policisë italiane, “Interforce”, në Tiranë në lidhje me pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher”.
Në kuadër të procedimit penal të nisur për “shpërdorim detyre”, grupi i hetimit i Prokurorisë kërkoi më 13 maj informacion zyrtar nga “Interforce”.
Burimet e organit të akuzës thanë dje se ende nuk kanë marrë informacionin që hetuesit kanë kërkuar pas nisjes së hetimit kryesisht. Letra e dërguar javën që shkoi nga ish-drejtori i Policisë italiane, Alessandro Pansa, siç ka deklaruar edhe më herët Prokuroria e Tiranës, nuk është marrë si provë në këtë çështje.
Burimet e organit të akuzës kanë thënë dje se letra në fjalë duket se ka qenë një iniciativë personale e ish-kryepolicit italian Alessandro Pansa, i cili ka shprehur mendimet e tij personale.
“Letra është përcjellë në prokurori nga ambasada e Italisë në Tiranë, por është pa datë, pa firmë dhe pa vulë. Letra përmban mendimet personale të ish-drejtorit të Policisë italiane, Alessandro Pansa”, thanë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, kërkesa për informacion që grupi i hetimit i ka nisur misionit “Interforce”, përmban një listë me pyetje që kanë të bëjnë me elementë që nuk janë sqaruar nga letra informale e ish-kreut të Policisë italiane.
Për këtë arsye, burimet e Prokurorisë thanë se janë në pritje të përgjigjeve të kërkuara nga misioni i Policisë italiane në Tiranë, “Interforce”.
HETIMI
Njësia Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës ka marrë në pyetje deri tani dhjetë efektiva dhe zyrtarë të policisë në lidhje me hetimin e nisur për pajisjen e dyshuar të përgjimeve.
Të parët që u pyetën ishin Drejtori i Përgjithshëm, Haki Çako, dhe drejtori për Krimin e Organizuar, Ardian Çipa.
Më pas u morën në pyetje drejtues të sektorit të logjistikës dhe informacionit në polici dhe efektiva të Forcës Operacionale që kanë marrë pjesë në trajnimet me pajisjen “IMSI Catcher” në Tiranë dhe në Vlorë.
Prokuroria tha dje se po vazhdon me marrjen në pyetje të zyrtarëve të Policisë së Shtetit dhe efektivave që kanë marrë pjesë në trajnimet me pajisjen e përgjimit dhe gjurmimit.
LETRA NGA ITALIA
Policia italiane përmes misionit “Interforce” pranoi se ka sjellë në Shqipëri një pajisje “IMSI Catcher” në Shqipëri. Sipas letrës personale që dërgoi në ambasadën e Italisë në Tiranë Alessandro Pansa, qëllimi i pajisjes ka qenë demonstrimi në seancat trajnuese me efektiva të policisë e jo përdorimi i saj për përgjime.
“Kjo pajisje stërvitore rezulton e konfiguruar në mënyrë të atillë që nuk është në gjendje të bëjë asnjë lloj përgjimi, as përgjime të telefonatave dhe as të mesazheve. Një konfigurim i tillë, që nuk është i modifikueshëm as nga operatorët, nuk lejon as përgjimin e komunikimeve të tjera në internet”, thuhej në letrën e zyrtarit italian.
Sipas saj, “pajisja trajnuese ka qëndruar gjithnjë në disponueshmërinë e operatorëve italianë dhe është ruajtur, kur nuk është përdorur për aktivitetet trajnuese dhe mësimore, pranë zyrës italiane të kontaktit, që gjendet brenda Ambasadës Italiane në Tiranë”.
Sipas letrës, pajisja mendohet se ka kryer praktikë me programet për identifikimin e numrave serik së SIM kartave dhe IME-n e aparatit celular ose numrit identifikues të tij.
Autori i letrës pa datë dhe pa firmë që mbërriti në prokurori nuk ishte më drejtor i Policisë italiane, kur shkresa mbërriti në organin e akuzës në Shqipëri.
Ai mësohet se është zëvendë- suar në këtë detyrë që prej muajit të shkuar nga drejtori i ri i Policisë italiane, Alberto Cutillo. Nga ana tjetër, mësohet se Alessandro Pansa është emëruar në “Interforce” drejtor i Sigurisë dhe Informacionit.
TRAZHGIM SOKOLAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al