18 Prill, 2018

Ajsi Xhaxhaj e lidhur me regjisorin Drilon Hoxha? Miqtë konfirmojnë historinë e tyre të dashurisë


Pak javë më parë, aktorja Ajsi Xhaxhaj befasoi miqtë me një foto ku shfaqej duke shkëmbyer puthje në natyrë me regjisorin Drilon Hoxha. Ata ishin duke xhiruar skenën e puthjes në filmin ku dy artistët janë protagonistë. “Pjesë e shkëputur nga xhirimet e filmit me metrazh të gjatë ‘Dashuria s’mjafton’”, shkruante Ajsi poshtë fotos, ndërkohë që miqtë hedhin dritë për marrëdhënien e tyre përtej sheshit të xhirimit.

Që nga viti 2016, aktorja dhe prezantuesja, e cila u komentua gjatë në media për konfliktin me ish-profesorin e saj, regjisorin Leonard Bombaj, shihet shumë pranë një tjetër regjisori të ri, i cili fillimet e tij i pati në spektaklin e “Portokalli”, si imituesi i ish-Kryeministrit Sali Berisha. Më pas, ai iu përkushtua regjisë së filmit, duke realizuar disa produksione, ku si protagoniste kryesore merrte në film mikeshën e tij të filmit, Ajsin.

Ata janë parë si partnerë në filmat “Dashuria s’mjafton” dhe “Jeto ndryshe”, me producent Dashnor Asllanin. “Ne të dy do të mbetemi përjetë si një fletë libri, me dy faqe që nuk do ngjiten kurrë bashkë, por që nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën”, ishte një pjesë nga skenari, që Driloni shkroi në foton ku ata të dy shkëmbejnë intimitet me një gotë verë të kuqe në dorë, si partnerë në filmin me titull “Jeto ndryshe”.

E këto ditë, pasi Ajsi postoi në “Instagram” një foto ku ekspozonte vithet, njëri prej ndjekësve i shkruante poshtë fotos, “Lum Driloni që të ka!”, që nënkupton se marrëdhënia e tyre tashmë dihet botërisht.

Sa u takon projekteve, Drilonin së fundmi e pamë në spektaklin VIP “Dance with me” me partnere Kristina Bakiun. Ndërsa Ajsi ka nisur xhirimet e një filmi të ri, në të cilin asaj i është besuar rol protagonisteje. “Ju lajmëroj se kam nisur xhirimet e një filmi tjetër me metrazh të gjatë ku mbaj në shpatulla një rol kryesor! Ky është stafi më ‘i çmendur’ që njoh. Mirë që na dha producenti leje për një publikim të vogël fotoje”, shkruante ajo në “Facebook”.

“’Një jetë me ty!’ dhe meqë ra fjala, mungojnë shumë persona të tjerë”, shkruante Ajsi në statusin e saj, që nënkupton se bëhet fjalë për një projekt shumë të madh. Ndërkohë, xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë, me skenar dhe regji të Erion Kames, një prodhim i shtëpisë kinematografike “Black Box Films” kanë nisur.

Filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ajsi bëhet pjesë e tij, pas rolit në filmin “Dashuria s’mjafton”. Kjo është hera e parë që ajo bëhet pjesë e një projekti filmik pa Drilonin në krah. Ish-protagonistja kryesore e “Kripmjaltëzave”, ka deklaruar se jetën e saj do e bëjë film, por pasi të jetë martuar dhe të ketë krijuar familjen.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al