Këtë javë u inaugurua në Tiranë “Delirium Shop”, me një imazh të ri, i rinovuar dhe plot risi.
Në një mbrëmje gjithë argëtim, Armina Mevlani dhe Jonida Maliqi prezantuan mes miqsh dhe kolegësh gjithçka, për të cilën kishin punuar gjatë gjithë këtyre muajve, një projekt biznesi shumë joshës.
Ashtu si disa vite më parë kur i pamë të ndanin skenën e “Dancing with the stars” si bashkëprezantuese të garës së kërcimit VIP, dy mikeshat e ngushta dhe influencueset e modës tashmë e kanë kaluar në një tjetër nivel kontaktin me ata që i duan dhe i ndjekin.
Ato kanë krijuar mundësinë që shija e tyre për veshjet plot stil të mbërrijë në Shqipëri nëpërmjet markave të njohura. Dy vajzat e njohura tashmë synojnë të sjellin gjithçka i mungon tregut shqiptar, duke orientuar dhe trendy-n e modës në rrugët e Tiranës.
Firmat më të mira në botë do të jenë ekskluzivitet i “Delirium Shop Albania’. Duke marrë parasysh eksperiencën e gjatë të Arminës dhe Jonidës si sipërmarrëse, përkatësisht 10 vite për këngëtaren e njohur dhe 5 vite për blogeren, le të shohim se si do të ecë ky bashkëpunim.
Ndërkaq, “Panorama Plus” ju sjell fotot nga mbrëmja e inaugurimit, ku përveç fotove të tyre si mikesha dhe ortake, ishin të pranishëm personazhe të njohur të biznesit dhe showbiz-it, ndër të cilët mund të përmendim: Fabiola Hysenbelliun, Alba Ginën, Ines Fevziun, Eva Manen, Olti Currin, Ariana Fullanin, Dorina Memën, Orinda Hutën, Rudina Dembacajn, Bora Zemanin, etj.
Mes të pranishmëve ra në sy prania e të fejuarit të Arminës, Shkëlzen Berishës. Fotot e tyre çift para banerit mund të themi se dokumentojnë të parën dalje publike të çiftit pas ceremonisë shumë private të fejesës në muajin tetor.
Siç është shprehur edhe vetë Armina për mediat, shihet që Shkëlzeni e mbështet edhe kësaj here partneren e tij, si në çdo sipërmarrje të saj. E pyetur për “Panorama Plus”, se si ndodhi që po nis këtë rrugëtim biznesi në mes të Tiranës me Jonida Maliqin, Armina tregoi për Panorama Plus: “Pas një bisede me Jonidën, që unë doja të zgjeroja hapësirën edhe brand-et në dyqan, Jonida e dha si ide që të bashkonin edhe pjesën e tri brand-eve të saj. Duke qenë se unë kisha kërkesa për brand-e meshkujsh vendosëm t’i bashkojmë dhe të mbajmë secila pjesën e brand-eve personale në marketing dhe në përkujdesin e përgjithshëm të dyqanit”.
Më tej, ajo shpjegoi: “Duke qenë se të dyja na ndjekin në rrjetet sociale dhe kemi ndikim tek publiku për çfarë veshim dhe reklamojmë në profilet tona, menduam se ishte një superide që ta hapim bashkë. Për këtë arsye u bë dhe ky event, ku në inaugurimin e të cilit u pa që unë kisha ndryshuar edhe interierin e dyqanit, pasi kishte 3 vjet e gjysmë me të njëjtin interier. Tani jemi pak më minimalistë në stil, por gjithmonë brenda modernes”, përfundon ajo.
Armina Mevlani e hapi dyqanin “Delirium Shop Albania” para disa vitesh në Tiranë, dhe duket se ka ecur shumë mirë përderisa ajo vendos të zgjerojë biznesin, ndërsa i janë bashkuar edhe marka të rëndësishme. Sa i takon jetës private, blogerja e njohur dhe djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, u fejuan zyrtarisht muajin e kaluar. Ata organizuan një ceremoni me vetëm 30 persona dhe të gjithë ishin familjarë të çiftit.
PANORAMA PLUS
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al