2 Mars, 2022

Bombardimet në Ukrainë/ Nga filmi “The Batman” deri te koncerti i Louis Tomlinson, këto janë ngjarjet kulturore që u anulluan në Rusi


Pas sulmeve ushtarake në Ukrainë, shumë shtete dhe organizma financiare vendosën disa sanksione financiare ndaj Rusisë. Madje shumë nga kompanitë private si Adidas, Audi, Disney e deri tek Pornhub dhe OnlyFans ndaluan shërbimet e tyre në Rusi.

Ndërkaq në aspektin kulturor mjaft evente të rëndësishme janë anulluar si një protestë ndaj vendimit që mori presidenti Putin për të pushtuar Ukrainën.
Festivali i Kanës


Festivali i Filmit në Kanë ka dhënë një deklaratë ku i bashkohet bojkotit kulturor rus duke thënë se nuk do të pranojë ‘’delegacionet ruse’’ në edicionin e tij të 75-të këtë maj. Në deklaratën e lëshuar të martën nga organizatorët Kana shprehu solidaritetin me Ukrainën ku thuhet se “Festivali i Kanës dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj.”
Anullimet e koncertve

Koncerti i Louis Tomlinson
Louis Tomlinson ka anuluar koncertet e tij të turneut në Moskë pas pushtimit rus njoftoi ai të hënën. Përmes një postimi të bërë në rrjetin social Twitter, këngëtari ka njoftuar fansat se ka marrë këtë vendim për shkak të situatës aktuale mes dy shteteve.
Gjithashtu, ai ka anulluar edhe koncertin e planifikuar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Për shkak të ngjarjeve të fundit në Ukrainë, më duhet të njoftoj me trishtim se turneu im t në Moskë dhe Kiev janë anuluar deri në njoftimin e mëtejshëm.Siguria e fansave të mi është prioriteti im dhe mendimet e mia shkojnë te populli i Ukrainës dhe të gjithë ata që vuajnë nga kjo luftë e panevojshme”, shkroi ai.


Koncerti i grupit muzikor ‘’The Killers’’
Grupi i njohur muzikor ‘’The Killers’’ do të performonin në Festivalin Park Live në kryeqytetin rus në datën 16 korrik, por kanë vendosur ta anullojnë koncertin për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Një përfaqësues i grupit, i kryesuar nga Brandon Flowers, konfirmoi për TMZ se ata nuk do të performojnë në festival.

Koncerti i grupit muzikor ‘’Green Day’’
Green Day kanë anuluar koncertin e tyre të planifikuar për 29 maj në stadiumin Spartak në Moskë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, njoftuan ata këtë të diel.
“Me zemër të rënduar, në dritën e ngjarjeve aktuale ne mendojmë se është e nevojshme të anulojmë koncertin tonë të ardhshëm në Moskë në stadiumin Spartak”, tha grupi në një deklaratë për Variety.
Koncerti i këngëtarit britanik Yungblud
Artisti britanik tha në një deklaratë të hënën se nuk do të performojë në Rusi këtë verë.
“Më zemër thyej të njoftoj se do të anuloj koncertet e mia në Rusi të planifikuara për këtë verë”, thuhej në deklaratë. “Zemërthyer sepse e di se aktet e egra dhe brutale të regjimit rus në Ukrainë gjatë javës së kaluar nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe idealet e njerëzve të bukur që kam takuar në Rusi në të kaluarën!”
Ukrainasve ai u shkroi “Zemra ime është me ju. Ju keni treguar tashmë një forcë dhe vendosmëri të tillë, duke i rezistuar këtij pushtimi të panevojshëm.”
“Çdokush meriton të jetë krijuesi i fatit të tij, në vend që t’i detyrohet me akte lufte dhe agresioni”, shkroi ai. “Ukrainë, të premtoj se do të kthehem sa më shpejt që të mundem!”

Netflix heq dorë nga filmat dhe serialet në Rusi

Netfix gjithashtu ka marrë masa ndaj Rusisë. Kompania gjigande e prodhimit dhe transmetimit të filmave dhe serialeve ka ndërprerë në mënyrë të menjëhershme të gjithë projektet kinematografike me shtetin rus. Ata ishin duke punuar për katër prodhime në Rusi, por kanë hequr dorë. Këtu dulke përfshirë filmimin e serisë së parë origjinale të transmetuesit në Rusi, një thriller krimi i drejtuar nga Darya Zhuk.

Filmi ‘’The Batman ‘’

Një zëdhënës i WarnerMedia deklaroi këtë ëtë hënë se nuk do të bëhet publikimi i filmit ‘’The Batman’’.

“Për shkak të situatës në Ukrainë WarnerMedia po ndalon publikimin e filmit të saj artistik ‘The Batman’ në Rusi”, tha zëdhënësi i WarnerMedia në një deklaratë. “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën ndërsa evoluon. Shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të kësaj tragjedie.”

Filmat “The Lost City” dhe “Sonic the Hedgehog 2”
Paramount Pictures është një tjetër studio prestigjoze e Hollivudit që ndalon shfaqjen në kinema të filmave të saj të ardhshëm në Rusi ndërsa pushtimi në Ukrainë vazhdon, Filmi “The Lost City” me protagonistët kryesorë aktorët e njohur Sandra Bullock, Channing Tatum dhe Brad Pitt dhe “Sonic the Hedgehog 2” nuk do të shfaqen në kinematë në Rusi.

“Ndërsa jemi dëshmitarë të tragjedisë së vazhdueshme në Ukrainë, ne kemi vendosur të ndalojmë shfaqjen në kinema të filmave tanë të ardhshëm në Rusi, duke përfshirë The Lost City dhe Sonic the Hedgehog 2. Ne qëndrojmë pranë të gjithë atyre që janë prekur nga kriza humanitare në të gjithë Ukrainën, Rusinë , dhe tregjet tona ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të monitorojë situatën ndërsa ajo shpaloset”, njoftoi Paramount.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al