31 Tetor, 2017

Danjeli & Fotinia rishfaqen si burrë e grua, si është jeta intime e fituesve të 100 milionëve


Disa muaj nga ceremonia televizive e martesës dhe nisjes së bashkë- jetesës jashtë lojës së “Big Brother 9”, çifti fitues i 100 milionë lekëve, Danjel dhe Fotini, janë fotografuar në një festë në Tiranë, pikërisht në ditëlindjen e kërcimtarit të “Albi Nako Dance”, Graciano Tagani.

Si një ish-lojtar i këtij “reality show”, Graciano kishte menduar që të mblidhte në festën e tij edhe fitues të “BB” ndër vite, si miq të së njëjtës eksperiencë televizive. Paparaci i “Panoramës” fotografoi mes të pranishmëve të tjerë edhe çiftin e celebruar në ekran nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa shijonin nga një gotë me njëri-tjetrin.

Siç duket nga fotot, bie në sy fakti që ata vazhdojnë ta mbajnë pasionin ndezur njësoj si në shtëpinë e vëzhguar nga kamerat. Nga momentet e asaj nate të fiksuara në këto foto, ata duken shumë të lumtur në krahët e njëri-tjetrit dhe të dashuruar më shumë se kurrë. Si Danjeli, ashtu edhe Fotinia, tashmë i janë rikthyer jetës së tyre larg vëmendjes së medias.

Prej muajsh ata nuk i kishim parë të shfaqeshin në ndonjë televizion, apo të jepnin ndonjë intervistë për mediat, për të treguar më shumë detaje rreth jetës së re tashmë si burrë e grua. Ata u njohën dhe u bënë çift brenda shtëpisë së “Big Brother”, dhe dashuria e tyre ia doli të triumfonte. Çifti u shpall fitues i këtij edicioni, i konceptuar si “Love Edition” (Edicioni i Dashurisë) dhe ata tani po shijojnë marrëdhënien jashtë mureve të shtëpisë së “Big Brother”.

Edhe pse shumë persona nuk besuan te dashura e tyre, çifti u tregoi mosbesuesve nëpërmjet llogarisë së tyre në Instagram se ndjenjat që kanë për njëri-tjetrin janë të vërteta. 23-vjeçarja nga Gjirokastra dhe 26-vjeçari nga Tropoja, në 3 muaj lojë në “Big Brother” vendosën të celebroheshin në garën e 13 çifteve për çmimin e madh prej 100 milionësh. Pas daljes nga shtëpia si fitues të shumës së parave, u fol se ata kishin plan të organizonin një dasmë madhështore, për të cilën ende nuk kanë konfirmuar diçka konkrete.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al