Dua Lipa ngriti peshë gjithë Prishtinën me performancën e saj në ‘Sunny Hill Festival’ mbrëmjen e djeshme dhe sigurisht gjithë vëmendja ishte tek ajo. Madje edhe ajo e mediave ndërkombëtare më prestigjoze, që kanë shkruar për performancës dhe veshjet e saj.
‘Daily Mail’ shkruan në titull: “Dua Lipa vesh një crop-top dhe minifund në skenë në Kosovë – në festivalin e organizuar nga ajo dhe babai i saj Dukagjini”.
Më tej në artikull media britanike, shkruan se Dua u sigurua të bënte një performancë shumë energjike teksa këndoi disa nga këngët e saj më të suksesshme për të pranishmit.
“Festivali, i cili filloi në vitin 2018, do të ketë edhe performanca nga AJ Tracey dhe Skepta në ditët në vijim. Vitet e kaluara janë parë performanca nga Calvin Harris, Miley Cyrus dhe Martin Garrix së bashku me disa muzikantë shqiptarë. Festivali shërben për të mbledhur para për Fondacionin Sunny Hill, në faqen e internetit të të cilit thuhet: “Ashtu si Dua, ne jemi të frymëzuar nga shoqëria jonë dhe mendojmë se ata që kanë shijuar suksesin duhet t’ua kalojnë mundësinë të tjerëve për të ndjekur hapat e tyre”.-shkran ‘Daily Mail’.
“Harper Bazaar” e titullon artikullin: “Dua Lipa u bë pikturë njëngjyrëshe në 2 mënyra dramatike të ndryshme brenda së njëjtës ditë”, referuar dy veshjeve të saj, në konferencën për shtyp dhe në skenë.
Në artikull thuhet mes të tjerash:
“Këngëtarja, aktualisht po vijon turneun e saj ‘Future Nostalgia’, por u kthye në Evropë për ‘Sunny Hill Festival’.
Para performancës së saj, Lipa doli në rrugët e Kosovës me një këmishë ‘Bottega Veneta’ me butona me vija të zeza. Këmishën e kishte veshur si fustan, pa asgjë të dukshme poshtë. Ajo e kombinoi me çizme të bardha Bottega Veneta deri mbi gju.
Në mbrëmje, Lipa doli në skenë për të kënduar në festivalin ndërkombëtar të muzikës Sunny Hill. Për performancën e saj, ajo kishte veshur një set shkëlqyes të bërë me porosi nga Valentino. Pamja rozë e nxehtë përfshinte një bluzë dhe minifund vezullues, të shoqëruar me doreza dhe çizme rozë”.
“Dua Lipa vesh çizme të larta dhe këmishë-fustan dhe nuk e ka gabim”– shkruhet në një artikull të “Vogue“. Në brendësi të tij shkruhet”
“Në paraqitjen e saj më të fundit, Dua Lipa ka postuar në llogarinë e saj në Instagram një palë çizme të bardha në Sunny Hill, një festival muzikor i përvitshëm i organizuar nga këngëtarja dhe babai i saj Dukagjin Lipa në Kosovë, prej nga është familja e saj. (Këtë vit festivali do të mbahet edhe në Tiranë, Shqipëri.)”
Ndërkohë, ‘WMagazine‘ ka në kryetitull: “Dua Lipa kombinon dy nga tendencat më të mëdha të verës në një look”.
“Këngëtarja aktualisht ndodhet në vendin e prindërve të saj, Kosovën, ku po mban Festivalin Sunny Hill, një festival muzikor i organizuar nga Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Përpara eventit, Lipa ndau disa imazhe në Instagram, duke festuar kthimin në “shtëpi” dhe performancën e saj të ardhshme.”– shkruhet në artikull mes të tjerash.
Edhe një herë Dua vërtetoi se është ambasadorja më e mirë e Kosovës dhe Shqipërisë në botë duke bërë një promovim kaq të madh.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al