Miq të hershëm që nga koha si studentë të Akademisë së Arteve dhe pas shumë vitesh jeta i bën bashkë Egla Cenon dhe Elvis Pupën në një “martesë televizive”. Janë shndërruar në dyshen e famshme të ekranit, pasi nga episodi në episod, si në një “reality show”, sjellin situatat mes një çifti të martuarish.
Për dramën e gruas që kishte vrarë burrin te seriali i famshëm “100 vitrinat” dhe situatat komike në “M’fal për shprehjen” me Vis Pupën, Egla flet në këtë intervistë për gazetën “Panorama”…
Nga seriali i famshëm “100 vitrinat” te “M’fal për shprehjen”. Ku e ndjen veten në rolin që të mbush zemrën e shpirtin?
Te “100 vitrinat” kam pasur një rol të vogël të një gruaje që kishte vrarë burrin. Më shumë e gëzuar ndihej komshia ime, Caterina, në fakt dhe e tregonte duke më ulëritur nga kopshti i saj: “Eglaa je te 100 Vitrinat!”. Kurse gruaja te “M’fal për shprehjen” ishte një sfidë, sepse unë nuk e kisha menduar asnjëherë veten në role komike. Më tërheqin dramat dhe tragjeditë. Shpirtin e kam në teatër.
Mund të përmendësh disa emra të njohur të kinemasë televizive në Itali që ke bashkëpunuar, dhe impresionet me ndonjë prej tyre?
Alejandro Jodorowsky, i cili nuk është italian në fakt, por punon shumë edhe në Itali. Kam pasur fatin të punoj me të në teatër në një produksion në Torino. Fabrizio Portalupi është një nga regjizorët e “100 vitrinave”, të cilin e vlerësoj shumë. Jemi në kontakt dhe së fundmi pata një ftesë nga ai për një produksion të “Rete4”.
Ndërsa te “M’fal për shprehjen” je shndërruar në personazhin më popullor në rolin e gruas së Elvis Pupës. Gruaja e vërtetë është gjithë spektri i sjelljeve që ti sjell në ekran, apo ka më shumë se kaq?
Kam prekur vetëm disa aspekte. Një grua është kaq, por edhe shumë më shumë se kaq. Nuk ka masë për “të peshuar” një grua.
Nga një darkë në restorant deri në shtratin ku ndërsa ti lexon, bashkëshorti shkëmben biseda në Facebook. Sa e tmerrshme është të jesh gruaja e një burri si ky, dhe sa e vështirë është të jesh burri që përballon gruan në fjalë?
Unë mendoj se jeta në çift është shumë komplekse. Bëhen bashkë dashuria, respekti, besimi, nevojat etj., dhe po u thye diçka, rrezikon që asgjë të mos funksionojë, rrezikon të gjesh papritur krah teje një të huaj.
Duke iu referuar të gjitha situatave, si do ta komentoje këtë “martesë” televizive me Elvis Pupën? Jashtë rolit, jeni miq apo përplaseni në ide?
Visi është një aktor që, përveç talentit, ka shumë disiplinë në punë, është profesionist dhe një mik i hershëm, që kur ishim studentë në Akademinë e Arteve.
Jeni takuar ndonjëherë me gruan e Pupes, dhe ku ngjason apo është krejt ndryshe nga gruaja që ti përfaqëson në këtë projekt?
Po, jemi takuar. Është një grua dhe mike e mrekullueshme. Ndërsa personazhi im është një krijim aktorial, i cili nuk merr spunto nga asnjë person që njoh në jetën e përditshme.
Ti në jetë do e zgjidhje një tip burri si Visi në rol, apo ke preferenca krejt të tjera për bashkëshortin?
Nëse “zgjedhja” do të bazohej vetëm te preferencat, atëherë të gjitha vajzat do të kishin zgjedhur dhe do të kishin për burrë princin biond, kaçurrel dhe me sy të kaltër, apo jo?
Dimë që ti dhe Visi shkruani secili pjesën e vet të skenarit, si frymëzoheni?
Nuk kemi persona si pikë referimi. Zgjedhim situatën, e cila është skeleti le të themi, dhe e mbushim me dialogje duke u qëndruar karaktereve që kemi krijuar.Po planifikon të realizosh projekte të reja si aktore, dhe për çfarë bëhet fjalë?
Do të jem në teatër me një vepër nga Shakespeare së shpejti. Në 2018-n do të jem në kinema me një produksion kosovaro-francezo-shqiptar.
FRIKA KUR JE I MARTUAR? “TË NGECËSH” NË TË, KUR NUK FUNKSIONON
Defektet e mëdha të burrave dhe defektet e vogla të grave?
Unë personalisht nuk mendoj që njëra palë është më e mirë, apo më e keqe se tjetra. Jemi të ndryshëm, kjo është e sigurt. Raca njerëzore është mbartëse e shkëlqyer e defekteve, dhe këto variojnë nga njëri individ te tjetri, burrë apo grua qoftë.
Martesa është betejë e vazhdueshme, apo streha ku gjejmë prehje?
Ia kanë vënë në gojë Sokratit, nuk jam e sigurt nëse është një thënie e tij, por vlen si përgjigje për pyetjen tënde: “Gjithsesi martohu! Po të ra një partner i mirë, do të jesh i lumtur; por të ra i keq, do të jesh filozof.”
Frika më e madhe e gruas dhe e burrit në martesë?
“Të ngecësh” në një martesë që nuk funksionon ndoshta, se përndryshe çfarë kuptimi mund të ketë fjala “frikë” në një martesë? Mendoj që kjo vlen si për gruan, edhe për burrin.
KLOTILDA HARKA/PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al