“Shqiptarët duken si sfinksera, por kur shpërthejmë, shpërthejmë shumë keq. Ata kanë çfarë humbasin, unë nuk kam çfarë humbas. Kam punuar me djersë dhe llogaris kafet në fund të muajit. Jam i varfër dhe nuk kam çfarë humbas. Ne kemi fituar se nuk u përkulëm në 2 vjet e 3 muaj. Nuk na përkulën dot.
Babai më ka thënë: ‘Po mposhte veten, ke mposhtur gjithë botën’. Kam pasur frikë, por e mposhta dhe prandaj kam fituar. U them pushtetarëve, hajdeni. Edhe me plumba realë, hajdeni, se do t’ua shihni flakën këtyre dy teatrove. Do kisha qejf të vinte Rama ose Veliaj këtu dhe t’u thosha: Merreni pak mikrofonin dhe shpjegojuni qytetarëve pse doni ta prishni. Bujrum, se me 2 vjet që kemi këtu, hajdeni, se edhe po më hanë duart me thënë të drejtën”.
Këto janë fjalët e aktorit Neritan Liçaj vetëm një ditë para shembjes së Teatrit Kombëtar, pas të cilit do të ndërtohet një teatër krejtësisht i ri.
Aktori Neritan Liçaj u bë simbol i rezistencës, pasi së bashku me disa aktorë të tjerë dhe dhjetëra qytetarë, e ka kundërshtuar fuqimisht shembjen e godinës ekzistuese.
Pas shembjes së Teatrit, i ftuar në një emision televiziv, ai është shprehur: “Një pjesë e imja ka mbetur nën rrënoja. Pjesa tjetër jam krenar që luftuam deri në fund. Ishte shumë brutale e gjitha, jo si aksion i Policisë. Kjo është diktat. I qetë nuk do jem kurrë, gjithë ditën do më shoqërojë. I fundit që ka dalë nga teatri isha unë dhe një aktore tjetër. Ai teatër u mbyll me një aktor që doli prej tij.”
Por çfarë bën sot aktori Liçaj? I fotografuar nga paparazzi ynë pak ditë më parë, ai ndodhej në një bar, pikërisht në zonën e teatrit dhe së bashku me disa miq të tij po i kalon ditët e nxehta në kryeqytet, duke pirë ujë të ftohtë. Pa dyshim që pas kaq muajsh, ai mund të jetë akoma i trishtuar për faktin se lufta e tij nuk dha rezultatet që priste.
Gjithsesi, duhet të shohim se si do të shkojë tashmë karriera e tij si aktor. Kujtojmë që aktori është 51 vjeç dhe numëron mbi 20 vite karrierë, me role në teatër dhe kinema.
Ai ka luajtur në filmat: “Kolonel Bunker”, “Unë, ti dhe Kasandra”, “I dashur armik”, “Ishte koha për dashuri”, “Njerëz dhe fate” etj. Shpresojmë që ta shohim Neritanin sa më shpejt në role të reja.