10 Tetor, 2018

Genc Fuga: Metoda ekskluzive që përdora për të bërë për vete ish-studenten time Enin


KLOTILDA HARKA/ Për Genci Fugën, martesa është një tango, kërcimi më pasionant, që do i duhet të mësojë për garën e “Dance with me”.

Në këtë show VIP-ash ai ka partnere Eni Janin, ish-studenten e tij e sot bashkëshortja dhe nëna e dy vajzave të tyre. Po si është jeta e tyre jashtë skenës së teatrit dhe sheshxhirimit të filmit, propozimi i dashurisë, sekreti i një martese ndryshe nga të tjerat dhe paratë. Profesori i “Fjalës artistike” në Universitetin e Arteve rrëfen historinë e tij të skenës dhe jetës për “Panorama Plus”.

Një aktor profesionist, që e shohim në spektaklin “Dance with me” me partnere bashkëshorten tuaj, Eni Janin. Pse pranuat?

Për herë të parë po nxjerr një të fshehtë… Nuk ka qenë hera e parë që Vera Grabocka e Alketa Vejsiu na kanë parë e kërkuar si pjesë të formatit të tyre. Herën e parë refuzuam se Eni ishte shtatzënë me Ajrin, vajzën tonë dhe ditët e finalizimit të spektaklit përkonin me ardhjen në jetë të vajzës.

Në atë kohë, Vera dhe Alketa ishin nga personat e parë publikë që morën vesh për shtatzëninë e Enit. Ishte e natyrshme që në propozimin e dytë, Vera të sigurohej se mos Eni ishte shtatzënë përsëri… Përse pranuam?

Duke njohur Enin, e dija pasionin e saj për kërcimin dhe pamundësinë që ka pasur për t’u ushtruar. Nuk hezitova aspak për të pranuar, pavarësisht “disavantazhin“ që kam si person në lidhje me kërcimin. Ky show titullohet “Dance with me”, kështu m’u dha mundësia të “ftoja në kërcim” bashkëshorten time, duke dashur të kompesoj gjithë herët që nuk kam mundur të kërcej pranë saj.

Martesa juaj është një vals apo një tango?

Sa i takon martesës sonë…? Tani që mendoj se kuptoj edhe më shumë kërcimin, mendoj se është një tango: kërcehet gjithnjë “në çift”, pra, çdo gjë bëhet në lidhje të ngushtë me bashkëshortin, nuk mund të gabosh në tango, se nuk është çështje hapash dhe shumë rrallë ndodh që të dy palët të gabojnë. Është çështje besimi te partneri (ja) dhe ndjekja e ritmit të çiftit, etj…

Nuk është hera e parë që ju dhe Eni jeni bashkë në një skenë, duke kujtuar këtu shfaqjet në teatër. Si një ish-pedagog i saj, si do e komentonit në rolin e bashkëshortes suaj?

Si një pedagog, di të them që “bashkëshortësia” nuk është “një rol i caktuar”, është vetë jeta. Përsëri si pedagog, u them gjithnjë studentëve një shprehje që e përdorte shumë shpesh profesor Birçe Hasko: “Ah, sikur të ishim si në jetë!” Meqë e kam parë në dy anët e saj Enin, edhe si aktore apo regjisore, edhe si bashkëshorte, mund të them që janë anë të së njëjtës medalje.

Në punë Eni shkon në kufijtë e rreptësisë profesionale, ndërsa në shtëpi shkon në maksimum të mirëkuptimit, devotshmërisë, dashurisë e prindërimit. Do të doja të kishte edhe një fakultet për “bashkëshortësinë”, në fund të të cilit të shpërndaheshin certifikata e diploma. Ndiej se si shoqëri kemi shumë mangësi… Aty, në atë “fakultet”, mund të më jepte mësime Eni (hahaha).

Ju jeni të njëjtët që shtyheni apo të kundërtët që tërhiqeni dhe nëse mund të ma argumentoni?

Ne jemi si ai simboli i lashtë kinez yin-yang; dy pjesë bardhë e zi, që ndërthuren e krijojnë një njësi të vetme. Duke filluar me kërcimin, Eni– excellent, unë-poor. Për të vazhduar me temperamentin; Eni– avanguard, unë – më i tërhequr.

Me vajzat, Eni– më këshilluese, unë– më urdhërues. Por kemi edhe shumë gjëra të përbashkëta! Nxisim dhe mbështesim njëri-tjetrin për të ecur më përpara e më shpejt. Vazhdojmë të njëjtën “përrallë” tek ua tregojmë vajzave tona, vazhdojmë (plotësojmë) të njëjtën lojë që nisim me to, vazhdojmë korrigjimin e të njëjtave detyra, duke i dhënë mundësi njëri-tjetrit të vazhdojë punën e lënë përgjysmë.

Si një pedagog i Enit në lëndën “Fjala artistike” në Universitetin e Arteve, me çfarë fjalësh dashurie mendoni se ia keni prishur mendjen?

Nga leximet e mëparshme (letrare e dramaturgjike) sigurisht që dija shumë “formula”. Kështu që, vendosa të “zhvilloja” një metodë timen origjinale, që, siç rezultoi, ishte më “e suksesshmja”. Patjetër që metoda mbetet “ekskluzive” (hahaha). Mbaj mend që flisnim gjatë për gjithfarëlloj temash, duke i dhënë njëri-tjetrit mundësinë të njiheshim më mirë e të pëlqeheshim.

Mund të themi se ju keni sekretin tuaj si çift, çfarë premtimi i bëtë Enit?

Sekreti qëndronte që në bashkëjetesë, secili të “sakrifikonte” sa më pak dhe “të bënte sa më pak kompromise me veten”. Të qëndronim bashkë si ata zogjtë që rrinë bashkë në një fole, jo në një kafaz. Nuk i premtova “botën” se nuk e kisha këtë mundësi, nuk i premtova “perfeksion” se asnjë nuk është i tillë, por siguruam njëri-tjetrin që do të luftonim çdo ditë për ta arritur atë, duke filluar nga gjërat e vogla.

Është në bindjen time që duhet luftuar përditë si për bukën, ashtu edhe për dashurinë! Nuk ka asgjë “absolute”! Gjithçka është relative e mbahet në balanca shumë të brishta. Lufta është për të zbuluar balancat e për t’i ruajtur ato në favor të “çiftit”, jo të “unit”… Që pastaj të lutemi me gojën plot: “Zot, bekoje bukën e dashurinë e përditshme që na fal!”

Shumë diskutohet nëse burri dhe gruaja duhet të jenë në të njëjtin profesion, apo në profesione të ndryshme. Cili është kombinimi më i mirë për ju?

E thashë edhe më lart: Nuk ka gjëra “absolute”. Te burri e gruaja, në mendimin tim, nuk ka të bëjë fare profesioni apo drejtimi i arsimit. Në këtë dimension ka rëndësi mirëkuptimi. Mund të isha në favor të profesioneve të njëjta, por, minimalisht, historia e prindërve të mi ma hedh poshtë këtë përcaktim.

Nuk po përmend këtu qindra e mijëra çifte me profesione të ndryshme dhe me një bashkëjetesë optimale. Mund të them që si profesion i zgjedhur, është nga profesionet më të paragjykuar. Kjo sjell vështirësitë e saj si për mashkullin, ashtu edhe për femrën. Nuk do të rekomandoja të njëjtin profesion, vetëm në rastin e Shqipërisë dhe vetëm për aspektin financiar… Në momente të caktuara mund të jenë të dy bashkëshortët “në rrezik” dhe kjo cenon edhe familjen e tyre.

Si prindër, kush nga ju është ai më i dedikuari dhe kush është artisti i mirëfilltë në familje që shpesh kërkon t’i arratiset realitetit?

Përsa i takon prindërimit, jemi munduar që gjithçka ta ndajmë bashkë. Pra, angazhim i përbashkët, duke mbuluar mungesën e njërit prej nesh… Sigurisht, duke menduar edhe moshën e vajzave tona, Stinës e Ajrit, Eni ka “sakrifikuar” më shumë. Por edhe unë nuk “arratisem” për një kohë të gjatë. Madje nuk “arratisem” fare. E vetmja gjë që mund të abuzoj janë orët e vona të provave e më pas të kafes pas provave (edhe këto orë të vona, ndodhin shumë rrallë).

Na ka qëlluar shumë rrallë të dalim bashkë si çift. Edhe kur ka ndodhur njërën nga duart e kemi mbajtur instiktivisht të shtrirë, sikur nga momenti në moment do të vijnë vajzat e të lidhen me ne. Kur ka qenë e nevojshme kemi dalë secili me shoqërinë e vet (të përbashkët). Këto të fundit kanë qenë shumë të shpeshta. Sa i takon “realitetit”, të gjithë mundohemi që të gjithë në familje të kenë një realitet më të mirë. Edhe kur “arratisemi” të gjithë si familje, vetëm së bashku shkëputemi shumë larg “realitetit”

Kthehemi te gara mes personazheve të njohur. Si ndiheni në skenë si kërcimtar?

Në fakt, gara e vërtetë është: me sa “dinjitet” do të gabojmë! Albi Nako ka pritshmëritë e tij si koreograf, që numrat të jenë sa më të arrirë përpara publikut. Trupa e baletit është tejet profesionale në punën e tyre. Pjesëmarrja ime, tashmë si kërcimtar krah tyre, me nderon dhe më jep një përgjegjësi që nuk e përshkruaj dot.

Nuk di të them se çfarë pjesësh të trupit nuk më dhimbnin në ditët e para. Duhej të rizbuloja veten në kërcim, me moshën dhe trajnimin e mëparshëm në të kundërt. Kisha edhe “presionin” për të mbuluar diferencën mes meje dhe Enit në lidhje me kërcimin, që të “penalizoja” Enin sa më pak. Kjo diferencë është e dukshme dhe kjo më ekspozon më shumë para vërejtjeve të jurisë.

Një profesor që gjykohet publikisht nga Kledi Kadiu, Robert Aliaj apo Valbona Selimllari. Ç’mendoni kur ata flasin?

Të tre anëtarët e jurisë përfaqësojnë drejtime e botëkuptime të ndryshme. Kledi me të drejtë kërkon interpreimin e kategorive të ndryshme të kërcimit. Po unë si t’ia përshkruaj sesa bukur “kërcej” unë në mendjen time dhe që nuk më del ashtu siç e kërkon Albi dhe vallëzimi. Valbona është shumë vigjilente për të nxjerrë aspektin më të mirë të komunikimit të numrit në vetvete, duke retushuar numërimin e hapave apo gabime të tjera të vogla.

Dhe Roberti, frymëzuar nga energjia fizike, tingujt dhe hiret e karaktereve të interpretuar, nuk lë rast pa artikuluar qëndrimin e tij pasionant ndaj “përfshirjes shpirtërore në thelb të kërcimit (apo disiplinës)”. Ky është një lloj definicioni për qëndrimet e përgjithshme të jurisë.

Në rastin tim, konkretisht, më duhet: të mësoj shumë dhe shumë shpejt hapat bazë për disiplinën e kërcimit, të harmonizoj gjithçka me balerinët profesionistë brenda numrit koreografik, e të mos “hedh poshtë djersën e tyre”. Njëkohësisht të shpërfaq pasionin dhe “interpretimin” tim, por me gjuhë trupore tjetër, për rreth 3 minuta, të një pune të bërë për 1 javë rresht. Jam i përgatitur që të mos i përmbush pritshmëritë e jurisë, por do të vazhdoj të buzëqesh dhe të them: “Po, do ta bëj!”

Nëse do të bënin një koment më shumë për Enin, do të hidheshit në sulm për ta mbrojtur?

Nuk kam pasur kohë të ndërtoj skenare të tillë dhe më duken shumë të largët. Në rast se ndodh diçka e papritur, mendoj se edhe përgjigja do të jetë e papritur. Një fjalë nuk do të mund ta thonë: “Eni, nuk i je përkushtuar këtij numri apo kërcimi. Këtu vërtet do të kalonin “masën” (qesh).

Me syrin e profesionistit, cilët do të veçonit si rivalët më të fortë, duke qenë se që natën e parë ju fituat kupën si mbretërit e natës?

Ndihem me fat se kemi një klimë shumë familjare dhe miqësore me të gjithë “konkurrentët”. Ia kalojmë shumë mirë me të gjithë. Të dielave e të hënave, pas spektaklit mblidhemi e ia kalojmë shumë bukur. Bëhet gjithnjë një spektakël i dytë gjithë humor, që nuk do të doja ta humbja. Nuk i pëlqej tavolinat që kanë “fitues” e “humbës”! Jemi të barabartë para “shakave” dhe “të qeshurave”.

Artistët e teatrit apo kinemasë komentohen gjithmonë si ata që paguhen pak. Si ia bëni me paratë dhe ndodh që t’i thoni ndonjëherë profesionit “Shkofsh në djall!”

Është e vërtetë që aktorët në përgjithësi paguhen shumë pak. Gjithë piramida e pagave në Shqipëri është shumë e ulët. Në fund të muajit nuk e di akoma se çfarë ndodh, por ia dalim. Jam në kërkim të angazhimeve edhe part-time, duke shfrytëzuar aftësi të tjera të miat (si gjuha e huaj, aftësia e komunikimit, etj…). Gjithçka do të ishte më e bukur të gjenim “prehje financiare” brenda profesionit. Ndryshe? Fundja “ç’nuk i ra njeriut, e nuk e hoqi!”.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al