23 Prill, 2022

Graniti rikthehet tek ish-e dashura/ Sportisti dhe aktorja ruajnë marrëdhënien e tyre nga sytë e publikut


Granit Cana mori vëmendjen e të gjithë publikut kur u bë pjesë e “Big Brother”. Ish-futbollisti nuk ishte një emër popullor në Kosovë, e aq më pak në Shqipëri, por gjithçka ndryshoi me pjesëmarrjen e tij në “reality-show”. Të gjithë aty patëm mundësinë të njiheshim me djaloshin simpatik, që më shumë se çdokujt, i hyri në zemër Fifit.

Historia, që duhet thënë nuk shkoi si duhet brenda shtëpisë, tashmë i përket të shkuarës, pasi për të dy personazhet e përfshira, jeta sentimentale është në ditët e arta. Pasi Fifi ka konsoliduar dashurinë e saj disamujore me Adisin, edhe Graniti më në fund është rikthyer në krah të partneres së tij, para se të bëhej pjesë e lojës. Bëhet me dije se ai dhe Adelina janë rikthyer së bashku prej disa kohësh, duke lënë gjithçka pas.

Teksa nisi të përflitej historia e tij me Fifin, Graniti u shpreh se në shtëpi kishte hyrë single, ndonëse disa ish-banorë ishin në dijeni të marrëdhënies që kishte lënë pezull me Adelinën. Por me kalimin e javëve, ai deklaroi se ishte ende i dashuruar me vajzën që kishte njohur jashtë. Madje një mesazh i mbërriti Granitit në “Big Brother Vip” nga Adelina. Në letër ajo ishte shprehur se nuk ishte e lumtur me lojën që Graniti ka bërë dhe ka thënë se shpreson që ai të reflektojë. “Zemra nuk bën lojëra”, ka shkruar ajo në fund, teksa menjëherë pasi letra u lexua, Graniti është shfaqur i prekur. “Jam e lënduar, nuk je Graniti që njoh unë. Graniti që njoh unë nuk i jep shpresa një femre për të cilën nuk ka interes të ketë një lidhje. Vazhdo shijoje atë eksperiencë dhe mos harro se unë nuk jam pjesë e saj. Zemrat nuk bëjnë lojëra”, tha ajo ndër të tjera.

Ndërkohë, Arbana ka treguar se vajza nuk ka pranuar të vijë në studio dhe ka dërguar vetëm letrën. Ish-futbollisti u shpreh i prekur nga e gjithë kjo situatë, duke u shprehur se kur të dilte jashtë, do të kontaktonte me vajzën në fjalë për të sqaruar gjithçka. Dhe duket se kështu ka ndodhur. Pas disa tentativash, takimesh dhe sqarimesh, Graniti dhe Adelina janë rikthyer së bashku, por këtë herë lidhjen e tyre kanë vendosur ta marrin më lehtë. Kujtojmë se para se të hynte në “Big Brother”, çifti kishte bashkëjetuar përreth 1 vit dhe pikërisht këtu kishin nisur edhe problemet e tyre. Gjithçka u duk si një marrëdhënie e mbyllur, kur Graniti pranoi se ishte single dhe nisi të përfshihej te Fifi.

Megjithatë vetëm pak ditë më pas, ai u shpreh se këngëtaren e sheh vetëm si motër dhe se vijon të jetë i dashuruar me partneren që e kishte lënë në Prishtinë. Deklaratë kjo që çoi Fifin në një gjendje të keqe shëndetësore, por solli shumë reagime në rrjet.

Një ndër postimet më të ashpra, ishin ato të motrës së djalit nga Gjakova. Ajo ka shpërndarë një postim ku shkruhet se Graniti pëlqen Semin duke mos i kursyer fjalët ofenduese për Fifin. “Ti je brenda, por unë jam jashtë e luftova fuqishëm lidhjen tuaj. Luftova për nxitjen dhe presionin që vazhdimisht ta bënin si brenda dhe jashtë. M’u kundërvunë, më shanë, më fyen. Pse? Sepse te ti pashë diçka tjetër, me dikë tjetër. Të gjithë panë Semin me Donaldin, por unë pashë ty dhe Semin. Do të dalin këto fjalë e ti vëlla rri i qetë, u lehtësove nga ajo e çmendur, shpëtove nga ajo e sëmurë mendore, psikopate, manjake dhe një njeri shumë i ulët e i vogël. Forca Granit të do Kosova, të do Shqipëria”.

Më pas, moderatorja e ka fshirë postimin dhe ka shkruar se nuk ka asgjë personale me Fifin. “Hej, hej, njerëz qetësohuni. Merreni pak më shtruar punën e ‘Big Brother’. Më kemi bombarduar me mesazhe. Asgjë nuk kam kundër Fitit si person dhe si këngëtare. E respektoj çfarëdo ndjenjë mes tyre, qoftë shoqëri apo diçka tjetër dhe zgjedhja u takon atyre, se janë dy të rritur. Po për lojë brenda BB duket se po dëmtojnë njeri-tjetrin”, shkruante motra e Granitit.

Por në asnjë rresht ajo nuk fliste për historinë që i vëllai kishte lënë hapur para se të bëhej pjesë e lojës. Por kush është Adelina, vajza seksi që i ka rrëmbyer zemrën ish-banorit të “Big Brother”? Bëhet fjalë vajzën e quajtur Adelina, e cila me profesion është farmaciste, por në media është e njohur për disa role si aktore. Mes personazheve të “showbizz”-it, Adelina është shumë e njohur edhe para lidhjes me Granitin. Bjondja seksi gëzon linja perfekte dhe, veç aktrimit, pasion ka edhe palestrën. Ajo dhe ish-futbollisti janë njohur disa vite më parë dhe që atëherë kanë pasur një lidhje me uljengritjet e veta, që përfundoi pas një viti bashkëjetesë.

Kujtojmë se më herët Arjola Demiri tregoi në BBV se me Granitin është njohur jashtë përmes shoqes se saj. Madje, Arjola deklaroi asokohe se nëse tregon tmerret që vajza në fjalë ka përjetuar nga Graniti, do t’i nxirrnin në pah fytyrën e vërtetë të këtij të fundit. Pasi kaloi pëlqimin që kishte për Granitin, edhe Fifi u ndje fajtore për situatën që mund t’i kishte krijuar jashtë mikut të saj. Brenda shtëpisë, këngëtarja deklaronte se po ndjehet në faj duke thënë se e ka penalizuar ish-futbollistin në lojën e tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”. Madje, Fifi u shpreh se ajo po mendon edhe për të dashurën e Granitit që ai ka jashtë, pasi ajo e do Granitin dhe anasjelltas. “Po e mendoj të dashurën tënde jashtë, e di që ai njeri atje të do ty”, ishin fjalët e Fifit.

Por tashmë kohërat kanë ndryshuar e bashkë me to edhe ndjenjat dhe situata mes tyre. Teksa Fifi deklaroi lidhjen me Adisin, Graniti nuk e fshehu dot ironinë. Ai ka postuar një “story” në “Instagram”, e cila u pa nga ndjekësit si një reagim ndaj konfirmimit të lidhjes së këngëtares. “Kush është fallco ose real, tani duket shumë qartë”, shkroi ai pa kontekst, duke mos e sqaruar se kujt i referohet ky dedikim.

Ish-banori nga Gjakova, i cili në një prononcim për “Ftesë në 5” mohoi t’i ishte dedikuar Fifit, të cilën e uroi për lidhjen. “Patjetër që jemi miq, e kemi deklaruar këtë. Që nga java e dytë e kemi cek që do ngelemi shokë. Është dramatizuar pak, por jemi shokë të mirë. Jam gëzuar shumë, më ka gëzuar fakti se ka bërë lidhje të re dhe shyqyr që e ka një njeri në krah. Urime Fifi, inshallah jetë të gjatë, të trashëgoheni”, ka thënë Graniti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al