16 Nëntor, 2017

Historia e pazakontë e 16- vjeçares shqiptare, si bindi shtetin austriak t’i jepte lejeqëndrim


Një varg emocionesh dhe frikash ka përjetuar  16-vjeçarja nga Kosova  Filloreta Paluca dhe familja e saj në përpjekje  për të mos u dëbuar nga Austria. Riatdhesimi i emigrantëve është një politikë kryesisht e iniciuar dhe e imponuar nga BE, pasi migrimi masiv nga një shtet në tjetrin shihet si dështim i planit për rritjen ekonomike dhe stabilizimin social të secilit shtet pjesëmarrës dhe kandidat për BE.

Shqiptarja nga Kosova, Filloreta Paluca, 16 vjeçe pas përpjekjeve që zgjatën shumë, më në fund fiton të drejtën për të qëndruar  në Austri.

Rasti i saj kishte bërë jehonë të madhe në mediat austriake, në shkurt të këtij viti, kur ajo qe arrestuar në mes të rrugës dhe ishte dërguar në polici me pranga në duar me pretekstin e depërtimit në Kosovë.

Kjo kishte ndodhur, përkundër faktit se ajo, siç shkruajnë gazetat austriake, ishte e integruar në mënyrë të përsosur në Austri, ku jetonte me të ëmën dhe motrën. Filloreta kishte mbaruar dy zanate (kualifikime), si kuzhiniere dhe si kameriere, në Timelkam, qarku Vöcklabruck, zanate që sikundër shkruan gazeta online austriake, as një vendas nuk mund t’i bënte dot. Qëndrimi i saj stoik dhe vullneti për të përqafuar jetën e re që familja e saj kishte zgjedhur i kanë bindur autoritetet që të japin vendimin e lejeqëndrimit.

 

Thomas Eder dhe familja e tij, (një familje austriake pjesë e komunitetit që donin qëndrimin e saj në Austri) për të shpëtuar Filloretën nga dëbimi kishte vendosur madje që të bënte adoptimin e vajzës. Pas kësaj ka pasur shumë lëvizje lidhur me statusin e qëndrimit të vajzës 16 vjeçare në Austri.

Fillimisht, sipas autoriteteve, ajo duhej patjetër të riatdhesohej në Kosovë, atje ku tashmë ishin dëbuar babai dhe vëllai i saj 19 vjeçar. Pastaj në maj të këtij viti Gjykata Administrative e kishte stopuar dëbimin, por vendimi ishte i përkohshëm dhe me kusht.

Ndërsa sot, mund të thuhet se është përfundimtare: Gjykata Administrative ka vendosur që Filloreta ka të drejtë përfundimisht të vazhdojë qëndrimin në Austri dhe nuk do të dëbohet në Kosovë.

 

Ky vendim, sipas gjykatës, është marrë duke pasur konsideratë për “të mirën e fëmijës” dhe duke marrë parasysh se Filloreta tashmë “ka humbur çdo qasje ndaj Kosovës. Me fjalë tjera: ajo ndihet në Austri si në shtëpi të saj dhe është integruar më së miri në shtetit europian”.

Ajo jeton me motrën dhe të ëmën në Timelkamm dhe vazhdon shkollimin dhe së shpejti mund të marrin edhe babain dhe vëllain. Ndërkohë, edhe nëna e Filloretës ka premtime për një vend pune. Vazhdimi i lejes së qëndrimit vlen edhe për nënën dhe motrën e Filloretës.

 

Burimi: http://www.nachrichten.at/  Përshtati: Panorama Plus

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al