17 Mars, 2022

Kanye West pezullohet nga Instagrami pas këtyre postimeve fyese dhe kërcënuese për Kim, Pete dhe Trevor Noah


Kanye West nuk i dëgjoi thirrjet e Kim Kardashian dhe Pete Davidson që të ndalonte sulmet në rrjetet sociale, por nuk i ka shpëtuar dot politikës së postimeve të Instagramit. Reperi është pezulluar nga Instagrami për 24 orë pasi ka sulmuar Kim, Pete dhe Trevor Noah.

Një zëdhënës i Meta-s deklaroi se postimet e fundit të reperit shkelnin politikat e kompanisë për gjuhën e urrejtjes, bullizmit dhe ngacmimit. Ai nuk është në gjendje të postojë, komentojë apo dërgojë mesazhe për 24 orë.

Nëse 44 vjeçari vazhdon të shkelë rregullat, kompania do të ndërmarrë hapa shtesë. Pas sulmeve të vazhdueshme ndaj ish-gruas së tij dhe të dashurit të saj gjatë javëve të fundit, Kanye së fundmi bëri fyerje raciste edhe ndaj Noah.

Postimet fyese të West ndaj Noah-s erdhën si përgjigje ndaj humoristit që foli për dinamikën e tij me Kardashian dhe Davidson në “The Daily Show”.

“Ajo që po kalon Kim është e frikshme për t’u parë dhe vendos në qendër të vëmendjes se çfarë kalojnë shumë gra kur zgjedhin të ndahen,” tha Noah që e krahasoi situatën e tyre me historinë e nënës së tij. Ai tha se njerëzit mendonin se nëna e tij, Patricia, po “reagonte më shumë se duhet” përpara se njerku i tij ta qëllonte në kokë.

Ditë më parë, Kanye ndau një video në të cilën ai akuzoi Kim se i mbante me qëllim katër fëmijët e tyre – North, 8 vjeç, Saint, 6 vjeç, Chicago, 4 vjeç dhe Psalm, 2 vjeç – larg tij. Kim më parë mohoi pretendimet e tij, duke shkruar në Instagram, “Të lutem ndalo me këtë tregim, sapo ishe këtu këtë mëngjes duke marrë fëmijët për në shkollë”.

Po ashtu, Kanye West akuzoi Pete se ka nxitur abuzimet seksuale ndaj fëmijëve në numrat e tij të humorit duke thënë se fëmijët e tij janë në rrezik.

Kim, që u shpall ligjërisht beqare në fillim të këtij muaji, filloi të takohej me yllin e “Saturday Night Live” vjeshtën e kaluar pasi ajo paraqiti kërkesën për divorc nga West në shkurt 2021. Që atëherë ajo i ka bërë thirrje Kanye të ndalojë postimet dhe mesazhet kërcënuese për Pete. “Divorci është mjaft i vështirë për fëmijët tanë dhe fiksimi i Kanye për të kontrolluar dhe manipuluar situatën tonë në mënyrë kaq negative dhe publikisht, vetëm sa po shkakton dhimbje të mëtejshme për të gjithë”, tha Kardashian në një deklaratë në shkurt.

Megjithatë, Kanye nuk e ka dëgjuar. Mbetet për tu parë se si do reagojë ai kur t’i jepet sërish e drejta për të postuar në Instagram.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al