19 Nëntor, 2017

Klajdi Musabelliu: Kolegët i dhanë OK këngës sime për Festival, nuk gjej shpjegim pse mbeta jashtë


Shpallja e listës së këngëtarëve të edicionit të 56-të të Festivalit në RTSH, u shoqërua me polemika të mëdha duke qenë se në këtë listë mungonin emrat e Klevis Begës (Kastro Zizo), Klajdi Musabelliut e Arilena Arës. Interesant është fakti që si Kastro me “I huaj” dhe Kajdi me “Unë do të besoj”, trajtojnë në këngët e tyre kapërcimin e dilemës të rrish apo të ikësh nga Shqipëria, duke dhënë mesazhin se në fund të fundit ia vlen të shikohet dritë në fund të tunelit. Pas zhurmës dhe ngjyrimeve politike që mori lënia e tyre jashtë garës, Klajdi  e zbulon për gazetën “Panorama” se çfarë ndodhi:

Këtë vit do të prezantoheshe si kantautor me këngën me titull “Unë do të besoj”, me tekst të Jorgo Papingjit. Si e prite mospranimin, të duket sikur po të mbyllen dyert?

Në Festival hyra në garë me këngë besimi e shprese, por në këtë realitet jetojmë. Jo vetëm që s’të pranojnë, por as nuk të njoftojnë e as arsye s’të japin.

Ti vetë nga eksperienca jote e gjen një arsye, pse mendon se nuk u pranove?

Nuk kam shpjegim pasi, sipas meje, eksperiencës sime, dhe dëgjimit nga kolegë e miq, kënga është OK për të qenë në Festival. Ndërkohë që mesazhi që përcjell i jep shpirt dhe zemër kohës që po jetojmë, dhe momentit ku mua të parit më ka ikur besimi dhe shpresa, por synoj t’ua jap të tjerëve nëpërmjet këngës sime.

Je aq idealist sa të ndihesh zemërthyer nga kjo eksperiencë. Si e sheh veten në këtë treg ku këngëtarët e komercit nuk i preferojnë gara të tilla?

Unë jam Klajdi. Një këngëtar që pëlqehet, që bën shaka, humor, parodi, një njeri mbi të gjitha, dhe mjaft social. Nuk jam superstar si George Michael, por jam një zë midis zërave që kanë zë, dhe unë e di sa vlej. Festivalin e kam parë që fëmijë, dhe e adhuroj si këngëtar, por edhe si fans i muzikës. Unë kam marrë pjesë në festival pesë herë. Për pjesëmarrjen në festival unë nuk këndoj asgjëkund tjetër, sepse ashtu më pëlqen të jem, këngëtar festivali!

Por këtë verë edhe ty të dëgjuam me një këngë komerci. E bëre për para?

Po, këtë verë riktheva parodinë e Malos në këngë dhe skenë, pikërisht se këtë shpirt kam. Pra kam zë, di të këndoj, krijoj e shkruaj, por di t’i argëtoj dhe t’i bëj edhe sadopak për të qeshur njerëzit, diçka që e kam mësuar në 7 vjet punë si dublues filmash. Unë nga muzika s’kam bërë kurrë lekë të madh, se s’e kam parë si biznes, por vetëm si pasion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al