22 Nëntor, 2018

Shkroi libër për botën e krimit, krimineli i penduar vritet te ceremonia e botimit


Një ish-udhëheqës i një bande daneze, i cili shkroi një libër për botën e krimit në Danimarkë, është qëlluar për vdekje vetëm një ditë para publikimit të librit të tij.

Madje një gjykatës e kishte përshkruar Nedim Yasar, si një njeri që donte me gjithë zemër të niste një jetë të re.

31-vjeçari u shenjëstrua sapo doli nga dera e sallës ku u mbajt ceremonia e përurimit të librit, të hënën në kryeqytetin danez, Kopenhagen. Ai u dërgua menjëherë në spital, por humbi jetën për shkak të plagëve të rënda.

Ndërkohë policia është shprehur se autori i krimit u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë. I dyshuar i veshur me rroba të zeza gjuajti të paktën dy herë në drejtim të Yasaj, tha Departamenti i Policisë së Kopenhagen në një deklaratë.

Yasar, i cili lindi në Turqi dhe në moshën 4-vjeçare u zhvendos në Danimarkë, udhëhoqi bandën kriminale “Los Guerreros”, një bandë famëkeqe me lidhje me tregtinë e drogës, sipas policisë.

Por në vitin 2012, 31-vjeçari ishte larguar nga kjo jetë, pasi mori vesh se do të bëhej baba, raporton agjencia daneze e lajmeve “Ritzau”. Tashmë punonte në një radio, dhe premtonte të jepte një ide shumë të qartë për mënyrën se si funksiononte krimi i organizuar në vend.

“People’s Press” është shtëpia botuese që publikoi librin e Yasar të martën, duke thënë se libri tregon për shokët dhe bandat armike, për bizneset dhe jetën në burg, si dhe për rregullat e pashkruara që ndiqen nga komunitetet e kriminelëve.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës tha se vrasja ishte e pakuptimtë dhe ngjarje e trishtë: “E kam takuar Nedimin”, shkroi ai. “Takova një njeri që donte me gjithë shpirt të ndryshonte.”

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al