Pas një show argëtues ku e pamë sezoneve të kaluara, prezantuesja e njohur Enki Braçaj rikthehet në ekran kësaj here me voxpop-et e saj interesante në formatin “Ditë e re”.
Për pyetjet që i lindin në kokë në pikë të mëngjesit, bërrylat në botën e televizionit, si do i përgjigjej një ftese për “Big Brother VIP” dhe jetën private, ajo rrëfehet në këtë intervistë për “Panorama Plus” .
Pas një show argëtues, rikthehesh në ekran me voxpop-e. Cilat janë pyetjet që të lindin në kokë natyrshëm në pikë të mëngjesit dhe ato që s’mund t’i bësh dot në atë orë?
Pyetjet janë të ndryshme, por në kokë varet ç’kam menduar apo ëndërruar gjatë natës, prandaj i vendosim një ditë para. Pyetjet që s’mund t’i bëj mund të jenë ato pak më “hot”, që sipas mendimit tim i takojnë mbrëmjes.
Të jesh e natyrshme dhe të mos kufizohesh në atë që thua në ekran është favorizuese apo penguese?
Është favorizuese për faktin se nuk kam nevojë për një skaletë që të flas, kam gjithmonë një mendim për të dhënë dhe një fjalë për të thënë. Por është edhe penguese, se ne jemi një popull plot me komplekse që kemi frikë nga një mendim, opinion apo një fjalë e thënë pa korniza dhe nuk na pëlqen kur dikush na thotë atë që realisht mendon, sepse duam gjithmonë fjalë të zbukuruara.
Për ty ekzistojnë të njëjtat pyetje për njerëzit e thjeshtë dhe VIP-at, dhe nje pyetje që do t’ua bëje të dyja kategorive?
Më vjen keq të them që jemi një vend shumë i vogël për kaq shumë “VIP-a” sa mendohet se ka, por nëse duam t’i konsiderojmë të tillë, patjetër që të njëjtat pyetje se dhe ata kanë një mendim për të dhënë.
Je e lumtur me punën që bën, çfarë është torturuese për shembull pas shkëlqimit të televizionit?
Kjo është puna që unë di të bëj dhe jam e lumtur, sepse nuk di a do mund të bëja një punë tjetër me të njëjtin pasion. Torturuese nuk do thosha, por të shëmtuar janë “bërrylat”, sepse kam frikë se do mbetemi pa brinjë, aq shumë “bërryla” sa na futen nëpër brinjë. (Qesh)
Në fakt, konkurrencë që ndihet në ajër ajo mes vajzave të ekranit, ti si i sfidon?
Për të qenë e sinqertë, unë vetëm konkurrencë që nuk ndiej fare, sepse jam me mendimin që secila ka vendin e vet. Nuk sfidoj askënd sepse e di që si unë nuk ka, pra siç e kuptuat i sfidoj me modestinë. Qesh!
Po mirë, fama në Shqipëri përkthehet në para apo në më shumë në ngacmime?
Besoj se në të dyja, por do ishte mirë të përkthehej më shumë në para se ngacmime edhe nëse je apo jo i famshëm, njësoj janë kam përshtypjen.
Zakonisht, vajzat e ekranit lidhen me djem të njohur. Ti e preferon të famshëm apo të panjohur partnerin?
Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer personazhet publikë për marrëdhënie. Kështu që e gjeta të panjohur. Mjafton një i njohur në marrëdhënie.
Do të pëlqente të ishe pjesë e “Big Brother VIP”, dhe çfarë show mund të shihnim atje prej teje?
Dikur do të më pëlqente dhe e kam menduar, por sot nuk e di do ta mendoja shumë gjatë pasi mendoj që jam shumë rehat për drama të tjera në jetën time.
Duke qenë se tentove muzikën, do të bëhesh vërtet pjesë e këtij tregu dhe si?
Po, besoj se shumë shpejt do marrë dritë edhe kjo pjesë, thjesht jam shumë e fiksuar në të bërit të gjërave mirë, jo thjesht për pak klikime.
Karakterizohesh nga energjia dhe vrulli i jetës, nëse do ishe uragan çfarë do të doje të merrje para?
Do të merrja çdo gjë që meritoj, por që për arsye të ndryshme nuk i kam.
/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al