Vepra “Vdes vdes një vend”, e autorit grek Dimitris Dimitriadis, ka çelur në pasditen e së enjtes, për të vijuar deri sot në mbrëmje, sezonin artistik në Teatrin Kombëtar. Vepra e përkthyer nga Helana Zhako, me regji të Rozi Kostanit dhe aktorë kryesorë Alfred Trebickën e Rozi Kostanin, e cila do të mbajë dy role njëkohësisht, atë të regjisores dhe aktores, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e disa prej artistëve më të njohur nga eksperienca e teatrit dhe kinematografisë ndërkombëtare, që kanë mbajtur peshën e regjisë dhe aktrimit të një vepre.
Realizimi i këtij projekti u mbështet nga Bashkia e Tiranës. Vepra në fjalë është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Zenit”, në përkthim të Eleana Zhakos, e cila kishte dhe iniciativën e sjelljes së kësaj vepre në skenën e teatrit shqiptar. Siç thotë vetë përkthyesja për veprën, Dimitriadis është një nga prozatorët e poetët më të mirë të kohës. “Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian.
Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si Maurice Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Marguerite Duras, Samuel Beckett, etj.
E pavarësisht jehonës së emrit të autorit e veprës së tij, “Vdes siç vdes një vend” nuk është nga ato vepra që mund ta shohësh në teatër duke parë ekranin e celularit. As vëmendja e madhe nuk të ndihmon që ta përvetë- sosh pjesën aq lehtësisht, ndoshta prandaj është konceptuar të realizohet brenda një minutazhi të caktuar, në 45 minuta, për të mos zgjatur njëfarë rëndese që krijohej hera-herës në errësirën e sallës dhe atë të skenës.
RRËFIMI TRONDITËS I NJË GRUAJE REAL-IMAGJINARE
“Vdes siç vdes një vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr se si trupi i saj merr përmasat e vendit të saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.
Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne, ku me një vërtetësi rrëqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Vendi i Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, i fanatizmit ideologjik dhe fetar, i mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, i shterpësisë krijuese dhe shpirtërore.
Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha, vendi dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve te majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë gjallonin ende si fantazma të pakallura. Sjellja e veprës në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar.
“Vdes siç vdes një vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97-s nuk i përkasin një filmi bardhezi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për t’u ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”. Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur në para, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e errësirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.
Njeriu-vend i Dimitriadis zbret në Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, vetënjohjes, lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panoramaplus.al