“Paratë këtu merren e këtu shkojnë”, flet presidenti i Vllaznisë së femrave: Rezultatet nuk vijnë për një vit

Oct 28, 2022 | 23:43
SHPËRNDAJE

Ndonëse dy ndeshjet e para në grupe nuk kanë shkuar siç shpresonin, Vllaznia e futbollit të femrave ka bërë historinë si ekipi i parë shqiptar që mbërrin në grupet e Ligës së Kampioneve. Një arritje e madhe e ardhur pas një pune shumëvjeçare, ku sigurisht protagonist kryesor është presidenti Lazër Matija, me investimet e tij. Por a e kishte menduar Matija në këndvështrimin e një biznesmeni se Vllaznia do të arrinte në këto nivele? Pyetje nga “Panorama Sport”, së cilës ai i përgjigjet kështu:

LAZER MATIJA

“Unë nuk do ta quaja biznes, pavarësisht se këtu investohet dhe xhirohen edhe para, por janë para që këtu merren dhe po këtu shkojnë. Gjithmonë e kam menduar se ky ekip do të arrijë nivele të larta. Nuk e kam menduar ekzaktësisht mes 16 skuadrave më të mira të Europës, por që ky ekip do të lërë gjurmë në Europë, ka qenë një bindje e padiskutueshme. Kemi investuar, kemi promovuar lojtaret që kanë pasion futbollin dhe nga viti në vit ky ekip ka pasur progres. Falë këtij progresi dhe falë kësaj pune, ne kemi besuar dhe jemi shpërblyer duke u futur në grupet e Champions-it”, shprehet Matija.

Ndërkohë, i pyetur nëse Vllaznia e femrave duhet marrë si model edhe nga ekipi i meshkujve, presidenti kuqeblu deklaron: “Çdo model i mirë në sport, në futboll, në biznes ose edhe në jetën e përditshme, është mirë që të ndiqet, sepse ke një rrugë që është shkelur dhe të çon diku. Modeli i vajzave është një model i mirë, një model suksesi dhe përkushtimi. Por nuk mendoj që ekipi i Vllaznisë së djemve ka nevojë që të marrë këtë model, sepse ndryshe është investimi te djemtë. Por rruga dhe strategjia afatgjatë mendoj që duhet të ndiqet, jo vetëm nga Vllaznia, por nga çdo ekip shqiptar.

Shohim shpesh që ekipet në Shqipëri duan që të marrin rezultate brenda një viti, fryte që për një ekip futbolli ndoshta duhen 10 vite. Ky është edhe sugjerimi më i madh që mund të them, që çdo ekip të punojë me strategji afatgjatë, të punojë me moshat e reja dhe me ata persona që e duan sportin. Në këtë mënyrë ka punuar Vllaznia e femrave duke ia ka arritur qëllimit”, përfundon Matija.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura