ARBËR SADIKI
Mjafton të vizitosh cilin do kryeqytet tjetër, me kusht që ai të mos jetë Prishtina, që ta kuptosh fare lehtë se sa e varfër me hapësira gjelbëruese është Tirana. Për çdo ditë na prezantohen imazhe kompjuterike, jo rrallë herë edhe pjesë të konkurseve ndërkombëtare arkitektonike, përplot gjelbërim e parime të arkitekturës ekologjike të aplikuara në Tiranën e së ardhmes, ndërsa në qytet çdo ditë e më pak mund të shijojmë një hije druri.
Me sa duket, arkitektët ia kanë marrë dorën: e rëndësishme që në fletët e projekteve të tyre të dominojë ngjyra jeshile, çfarë ndodh realisht me hapësirat gjelbëruese, nuk i bëhet kujt vonë. Ditëve të fundit është aktuale shndërrimi i një hapësire gjelbëruese të rëndësishme në zemër të Tiranës, parkut “Rinia”, në një parking gjigant.
Ky projekt, edhe pse nuk i është prezantuar kurrë publikut, gjë të cilën pushteti e ka për detyrim, jam i bindur se në të projektuesit kanë harxhuar pa fund ngjyrën jeshile. Gjithashtu, ideuesit dhe mbështetësit e këtij projekti e potencojnë me forcë se ai do të jetë nëntokësor, për të na bërë me dije se nuk do të jetë i dëmshëm për mjedisin.
Po mundohem që në pika të shkurtra, nga këndi i një arkitekti, të jap disa sqarime se çka do të thotë kjo?! Po filloj nga e para, që është arsyeja pse bëhet një parking publik? Si pika grumbullimi të makinave me qëllim të shmangies së trafikut në zonat e mbingarkuara qendrore të qytetit, parkingjet shpesh pozicionohen në periferitë e këtyre zonave, duke zvogëluar dukshëm numrin e makinave që qarkullojnë brenda saj. Në rastin e park(ing)ut “Rinia” nuk është kështu.
Me pozicionimin e një megaparkingu shumë etazhësh që do të sistemonte qindra makina brenda vetes, numri i makinave që qarkullojnë brenda zonës do të shumëfishohej, sepse tanimë gjithkush do t’i drejtohej qendrës me makinë, pasi do ta priste një vendparkim i garantuar mu në zemër të saj.
Të mos flasim për tollovinë që do të shkaktonin hyrje-daljet e këtij parkingu gjigant. E gjithë kjo do të kontribuonte që atë që qytetari i Tiranës e njeh si bulevard, shëtitore, promenadë, t’i nënshtrohet tërësisht makinës e jo të jetë në funksion të këmbësorit dhe nevojave të tij rekreative.
E dyta, ideja se parkingu do të jetë nëntokësor dhe si i tillë nuk do të ketë kurrfarë ndikimi negativ në natyrë është e paqëndrueshme në shumë dimensione. Fillimisht, do të dëmtohej e gjithë struktura e ekosistemit ekzistues brenda parkut “Rinia”, ekosistem ky i cili ka dashur vite që të krijohej.
Argumenti se ai do të “ribëhet, biles edhe më i pasur se ai ekzistuesi”, nuk mund të ndodhë. Parkingu shumëkatësh nëntokësor do të ketë nevojë për sistem të fuqishëm të ventilimit artificial. Ky sistem do të thithte atë pak oksigjen që do të mbetej në sipërfaqe dhe do të na kompensonte duke na liruar në sipërfaqe gazra karbonikë nga brendësia e tij.
Shto këtu edhe kontaminimin e pashmangshëm të tokës nga derdhja e vajrave dhe elementëve të tjerë të dëmshëm për ekosistemin, në një situatë të tillë nuk mund të flitej për kënde lojërash dhe hapësira të tjera rekreacioni në sipërfaqe të tokës.
E treta, ta zëmë se të gjithë argumentet e mi rreth dëmit ekologjik janë të paqëndrueshëm dhe se pohimi i mbështetësve të projektit se sipërfaqja mbitokësore do të mbetej përsëri park dhe në shërbim të qytetarëve, është i saktë.
Nëse flitet për parking katërkatësh, ku sipërfaqja e katit do të nxërë njëqind për qind të sipërfaqes së parcelës, atëherë i bie që raporti i pjesës së ndërtesës me atë të gjelbërimit të jetë një me katër në dëm të sipërfaqes së gjelbëruar.
Të gjithë argumentet flasin se në këtë projekt të proklamuar si “të gjelbër” (ekologjik), e gjelbër mund të jetë vetëm ngjyra e stolave që do të mund të silleshin si pjesë e mobilimit urban të “parkut” dhe aksidentalisht ngjyra e ndonjë makine që do të parkohej në brendësi të parkingut, dhe asgjë tjetër.
Nëse Bashkia e Tiranës ka vendosur që të intervenojë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për të çliruar trafikun e mbingarkuar në pjesën qendrore të saj, atëherë ajo duhet të lëvizë në drejtim të strategjive që largojnë makinën nga kjo zonë.
Strategji që do t’i jepte mundësi qytetarit pa pasur nevojën e makinës të aksesojë pjesët kryesore të qytetit shpejt dhe komod. Një gjë e tillë do të mund të bëhej e mundur përmes linjave më efiçente të autobusëve urbanë, shtrirjes së një rrjeti trolejbusësh dhe tramvajesh e pse jo edhe metro.
Nga një llogari e thjeshtë matematikore, duke u nisur vetëm nga sipërfaqja e parkut “Rinia” dhe minimumit të thellësisë së gërmimit të nevojshëm për katër kate parking nëntokësor, del se sasia e dheut të gërmuar të jetë rreth pesëqind mijë metër kub e që është e barabartë me sasinë e gërmimit për të hapur rreth pesë mijë metër gjatësi tunel për metro.
*Autori është ligjërues në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, UBT, në Prishtinë, dhe ish-kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al