VALENTINA MADANI/Përfaqësues të OSBE-së dhe KQZ nisën dje diskutimet për procesin zgjedhor të vitit të ardhshëm, me qëllim adresimin e problemeve që lidhen me administrimin e zgjedhjeve në vend.
Por hartimi dhe dorëzimi i një drafti jokonsensual nga PS-ja ditën e hënë në Kuvend veçse thelloi edhe më shumë ndarjen mes palëve, duke e bërë të pashpresë gjetjen e konsensusit për Reformën Zgjedhore. Qëndrimet e kundërta dhe akuzat në drejtim të kundërshtarit si përgjegjës për dështimin u bënë publike në tryezën që KQZ-ja dhe OSBE-ja organizuan këtë të martë.
“PS dështoi Reformën Zgjedhore. Rekomandimet e OSBEODIHR nuk do të zbatohen edhe në kushtet e përplasjeve të forta ka pasur reformë zgjedhore”, tha përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi. Por socialisti Eridian Salianji u shpreh: “Që në fillim ka qenë jo, o fillon nga koalicionet, o ne nuk diskutojmë gjë. Atëherë kjo nuk quhet më dialog, por këtu që në fillim PD e ka dështuar këtë tryezë”.
Kreu i OSBE-së, në të parën dalje pas marrjes së detyrës dhe në shqip ju kujtoi palëve sa i rëndësishëm është vullneti politik për të adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku dhënia e të drejtës së votës së emigrantëve të jetë prioritet.
“Çdo vendim duhet të jetë prej konsensusit të gjerë. OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihmë teknike sipas nevojës”, tha ambasadori Michel Tarran. Kryetari i prezencës së OSBE në Tiranë u bëri thirrje aktorëve politikë që ta realizojnë Reformën Zgjedhore.
“T’u lejojnë organeve të administrimit kohë për procesin. Vonesat e mundshme kufizojnë kohën e KQZ-së për të bërë përgatitjet e nevojshme, çka mund të ndikojë te cilësia e procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Një sfidë e pazgjidhur sipas Tarran është vota e diasporës. “Nuk është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë çështjen e votimit nga jashtë vendit. Secili shtet duhet të zbatojë atë model që i përshtatet me mirë sipas kontekstit. Çdo vendim duhet të jetë prej konsensusit të të gjithëve. Ky konsensus duhet të bazohet në bashkëpunim dhe një qasje e tillë do të çonte në votimin nga jashtë vendit. OSBE është e angazhuar për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve dhe proceset zgjedhore. Kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje!”, u shpreh ambasadori. Komisioneri Celibashi mendon se dhe për votimin dhe numërimin elektronik kërkohet konsensus ndryshe, procesi do të jetë i paragjykuar siç ndodhi në zgjedhjet e fundit sa i takon teknologjisë.
“Ka mjaft problematika, të cilat KQZ do duhet t’i adresojë me qëllim që për sa i takon këtij institucioni të përmirësojë në mënyrë cilësore gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Jemi pak a shumë të gjithë dëshmitarë okularë të problemeve të ndryshme. Kemi menduar që është e udhës një diskutim”, u shpreh Celibashi.
Socialistët përsërisin se janë në pritje që përpara seancës së fundit të këtij sesioni të dakordësohen për amendimet në ligjin zgjedhor. Ata do të testojnë dhe mundësinë për të bërë 84 vota në sallë për propozimet e tyre në të kundërt zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen bazuar te Kodi aktual, i cili nuk e bën të mundur votimin e diasporës si dhe çon në lista krejtësisht të hapura pas rrëzimit të herësit nga Gjykata Kushtetuese. Edhe pse është premtuar për zgjedhjet e 2025- ës, vota e emigrantëve s’ka njohur ende konsensusin e partive politike.
Jo më larg se dje, mazhoranca depozitoi e vetme në Kuvend propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në këto propozime, reflektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ku nënvizohet vota e diasporës. Teksa ende nuk ka një datë zyrtare për zgjedhjet, sipas ligjit KQZ duhet të përgatisë listën e zgjedhësve jashtë Shqipërisë 100 ditë para. E në rast se për ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk japin “Ok” opozitarët, emigrantët nuk do shprehin dot vullnetin e tyre me votë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al