Partizani dërgon emisarë deri në Afrikë për të gjetur mbrojtës të majtë

Jun 5, 2017 | 15:19
SHPËRNDAJE

Para disa ditësh, trajneri Sulejman Starova tregoi planin e Partizanit të Luçiano Moxhit. Sipas trajnerit, të kuqtë do të ndjekin një sistem që i siguron të ardhura klubit duke prodhuar dhe shitur lojtarë.

partizani

“Moxhi ka marrë drejtimin e skuadrës me një sistem ku futbollistët do t’i përzgjedhë shoqëria dhe trajneri do të pranojë objektivin. Qëllimi është jo afatshkurtër, por afatgjatë si çdo skuadër e vogël që funksionon në gjithë botën. Pra, të marrësh futbollistë me pak lekë dhe t’i shesësh me shumë lekë. Futboll pa para nuk ka. Ky sistem e çon skuadrën përpara”, kështu u shpreh Starova.

Realizimi i këtij projekti ka nisur prej javësh, ndonëse duket se në kampin e kuq nuk po ndodh asgjë. Mësohet se Luçiano Moxhi ka angazhuar disa bashkëpunëtorë të tij të vjetër për të gjetur elementët e duhur për Partizanin. Njëri prej tyre, ish-trajner i kombëtareve të moshave të Italisë dhe të disa kombëtareve afrikane, ka premtuar se do të gjejë 2-3 lojtarë me moshë të re që u shkojnë për shtat planeve të drejtuesve të rinj.

Emisari i Moxhit në javët e fundit ka qenë me inspektim në Senegal dhe mësohet se ka pikasur elementë interesantë. Pjesë e kërkimeve është edhe gjetja e një mbrojtësi të majtë, objektiv i cili thuhet se është realizuar. Në ditët në vijim pritet që përzgjedhurit e emisarit të Moxhit në Afrikë të vijnë dhe të provohen nga stafi teknik. Prurjet do të jenë lojtarë të rinj në moshë, jo më shumë se 20 vjeç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura