Agustin Torasa ka qenë titullar i padiskutueshëm te Partizani në 18 muajt e fundit, por aktualisht ende nuk është vendosur nëse palët do ta vijojnë bashkëpunimin në edicionin e ri.
“Nuk mund të flas me saktësi për të ardhmen time. Gjithsesi, do të flas me drejtuesit e klubit për të diskutuar planet që kanë. Por mendoj se do të kthehem në Argjentinë dhe karrierën do ta vijoj në vendlindje”, u shpreh Agustin Torasa për “Panorama Sport” pas barazimit 2-2 në Korçë.
Edhe vetë drejtuesit e klubit kanë shprehur dëshirën për ta pasur Torasën në ekip në paraqitjen në Europë, por deri më tani nuk ka asnjë sinjal rikthimi të 28-vjeçarit. Ndonëse Partizani e pret, lajmet e fundit të merkatos e dërgojnë në Qipro Agustin Torasën. Sipas mediave qipriote, mësohet se sulmuesi i është propozuar skuadrës së Anorthosis, e cila e ka marrë në konsideratë, si dhe i ka paraqitur edhe një ofertë për argjentinasit.
Anorthosis është gati që t’i japë 120 mijë euro në sezon ish-lojtarit të Partizanit, ofertë e cila është më e mirë se ajo që Torasa përfitonte në Shqipëri. 28- vjeçari ka qenë lojtari më i paguar te “demat e kuq” dhe mbase kjo është edhe pengesa kryesore që argjentinasi të vazhdojë karrierën në Shqipëri.
Ndonëse ka qenë një nga lojtarët më të paguar, Torasës i mungonte nuhatja e golit, pasi te Partizani erdhi si sulmues i dytë. Gjithsesi, argjentinasi tregoi potencë në fushë, duke e ndihmuar ekipin në çdo sektor, si dhe merrte shumë faulle në favor.
Aktualisht, Torasa ndodhet në Argjentinë dhe duke qenë se ndeshja e parë në Ligën e Europës luhet më 29 qershor, gjasat janë që argjentinasi të mos jetë pjesë e Partizanit në aventurën europiane.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al