Partizani kthehet në “bazë”, Tedi Cara një… mister

Nov 11, 2021 | 9:14
SHPËRNDAJE

Pas fitores me Kastriotin, Partizani mori dy ditë pushim dhe sot u kthye në stërvitje, ku nisi përgatitjet për ndeshjen e kthimit ndaj Besëlidhjes në Kupë. Stërvitja nisi fiks në orën 13:30, siç ishte paracaktuar nga stafi. Trajneri Ilir Daja erdhi i fundit, teksa lojtarët ishin të pranishëm para orarit.

PARTIZANI ILIR DAJA

Para nisjes, ata kryen të lirshëm ushtrime me topin dhe disa prej tyre u argëtuan me tekboll. Sapo erdhi, trajneri i mblodhi dhe mbajti një fjalim të shkurtër e më pas urdhëroi vrapim rreth fushës. Pas kësaj, ai ndali Herald Markun për disa sekonda.

Mesfushori pësoi një çarje në nofull gjatë ndeshjes me Kukësin, kur iu desh të linte fushën e të qepte plagën në spital. Për këtë foli edhe me trajnerin, i cili e udhëzoi të mos e lëvizë shumë pjesën e dëmtuar dhe për këtë, sipas tij, duhej administruar frymëmarrja.

Gjithsesi, Marku u duk shumë mirë dhe kreu stërvitje me ngarkesë të plotë. Gjatë gjithë kohës, Daja fliste me lojtarët duke i kritikuar apo inkurajuar. Çuditërisht stërvitje të plotë kreu edhe Tedi Cara. Dje ai la grumbullimin e kombëtares U-21 për shkak dëmtimi.

FSHF-ja njoftoi se sulmuesi nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet ndaj Kosovës dhe Sllovenisë. Gjithsesi, gjendja e tij duket e mirë dhe në klub janë të sigurt se sulmuesi do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Laçin në kampionat.

TEDI CARA 1

Ndaj Besëlidhjes në Kupë ai do të pushojë. Të kuqtë e kanë fituar ndeshjen e parë me rezultat minimal dhe luajnë si pritës atë të kthimit. Kapiteni Alban Hoxha, i cili ka një dëmtim në gishtin e vogël të dorës së djathtë ishte pjesë aktive e stërvitjes, por nuk u vendos fare mes katërkëndëshit, pasi fraktura nuk e lejon të përdorë duart.

Ai ndihmoi kolegun Aldo Teqja të stërvitej. Maguete ishte i vetmi, që nuk u stërvit me grupin. Mesfushori, i cili u dëmtua ndaj Egnatias, bëri vetëm ecje dhe vrapim rreth fushës. Mungonin Rrapaj, Laroshi e Albion Marku, të cilët janë të angazhuar me Shpresat.

Daja drejtoi edhe një minindeshje, teksa stërvitja u mbyll me disa minuta praktikë me goditjet standarde të “snajperëve” Mala e Kaçe.

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura