Partizani mund Kukësin, Tirana fiton me vuajtje

Oct 3, 2013 | 13:05
SHPËRNDAJE

Partizani mori një trepikësh mjaft të vlefshëm, ndërsa kuksianët me këtë humbje vërtetuan momentin e keq duke qenë një skuadër e lëkundshme dhe larg asaj që ka dhënë në edicionin e shkuar apo në prezantimin europian. Me fitoren e djeshme Partizani mban provizorisht vendin e dytë me 11 pikë, një më pak se kryesuesit e Teutës dhe mbetet në pritje të asaj që do të ndodhë sot mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Ndërsa Kukësi pas javës së gjashtë e shikon veten në vendin e tetë me 7 pikë dhe me shumë probleme për të zgjidhur në vijimësi, ku primare mbetet se kush do të jetë timonieri i stolit, sepse dihet se trajneri Armando Cungu ka dhënë dorëheqjen pas humbjes me Partizanin. Golin e vetëm e shënoi Thana në minutën e 76-të. Edhe pas golit të pësuar Kukësi mundohet të reagojë me anë të Prognit dhe Cikalleshit, por pa mundur të mposhtin portierin Hoxha. Sakaq, Tirana rikthehet te fitorja. Bardheblutë kanë mposhtur mes vuajtjesh dje në “Selman Stërmasi” Kastriotin, me rezultatin minimal 1-0. Tri pikë të arta për kryeqytetasit, që u kthejnë disi qetësinë pas tri humbjeve radhazi. Këtë triumf e vulosi portugezi Hoze Semedo, i cili në minutën e 10-të, me një finte të bukur zhbllokoi rezultatin. Por, meritat për këtë takim shkojnë edhe për portierin Çaka, i cili me pritjet e tij evitoi gola të sigurt. Takimi u kontrollua përgjithësisht prej miqve nga Kurja, të cilët gabuan në finalizim. Por Tirana, edhe pse nuk shkëlqeu, tashmë ndihet më e qetë dhe shmang furtunën. Në Lushnjë vendësit kanë dominuar ndaj Teutës, por s’kanë mundur të marrin pikët e plota. Të besuarit e Banos ushtrojnë presing në mesfushë dhe që aty ndërmarrin iniciativën. Porta e Rizvanit kthehet në shënjestër të lagunarëve, derisa Korreshi zhbllokon shifrat në minutën e 21-të. Nuk e ul ritmin skuadra vendëse, që bën gjithçka për ta mbajtur larg zonës së vet kundërshtarin. Durrsakët e kanë të vështirë të dalin rrjedhshëm nga prapavija e tyre, ndaj detyrohen të aplikojnë topin e gjatë për te sulmuesit. Sidoqoftë, barazimi vjen në pjesën e dytë nga i përhershmi Daniel Xhafaj, i cili gjunjëzon Spahon. Barazim edhe në Peqin, ku luajtën Flamurtari- Bylis. Julian Gërxho shënon nga një distancë prej rreth 20 metrash në minutën e 21-të, duke e detyruar skuadrën e Gjokës të zgjohet nga njëfarë “gjumi letargjik” dhe të tentojë barazimin. Rritja e nivelit të lojës nga kuqezinjtë sjell edhe golin e barazimit, që ka për autor të riun Qejvani. Në pjesën e dytë është sërish Bylis që kalon në avantazh me Gërxhon, por në minutën e 88-të Beqiri barazon sërish për vlonjatët. Ndërsa në Laç vendësve u erdhi në ndihmë kapiteni Erjon Vucaj, i cili zhbllokoi edhe shifrat e bardha në minutën e 23-të. Shkodrani ekzekuton bukur një goditje dënimi, duke e dërguar topin në këndin e majtë të portës kavajase.

Dede: S’e merituam, por u kthyem
Nevil Dede e thotë hapur që Tirana nuk e meritoi fitoren. Por, nga ana tjetër, nuk nguron të pranojë se e kënaqin këto tri pikë. Gjatë deklaratës së dhënë për mediat pas ndeshjes, trajneri i Tiranës analizon lojën, ekipin dhe gjykimin. “Nuk e meritonim fitoren. Bëmë një ndeshje jo të mirë, por me sa duket në futboll nuk është e thënë të luash mirë që të kesh rezultate. E bëmë këtë para disa ditësh kundër Teutës, por nuk ia dolëm dot. Ndërsa sot mundëm të merrnim pikërisht atë që kërkonim. Sot (dje) na duheshin tri pikët, ishte me rëndësi pra që t’i merrnim. Ky është futbolli, na interesonte kjo fitore, pasi vinim pas tri humbjeve dhe më në fund ia dolëm. Fituam, ndaj duhet të kënaqemi. Puna jonë nuk ndalet këtu”, tha Dede.

Lika: Fati, në anën e Partizanit
Trajneri Hasan Lika, pas ndeshjes ka pohuar se ndaj Kukësit fati ishte me Partizanin, por ndodh që të fitohet edhe ashtu siç bënë dje. “Kemi qenë me fat në këtë ndeshje të sotme. Nëse fati na mungoi ndaj Flamurtarit, ndaj Kukësit fati ishte me ne. Në kuadrin e 90 minutave kemi zhvilluar një pjesë të parë më të mirë se kundërshtari, ndërsa në 30 minutat e fillimit të pjesës së dytë nuk kemi qenë mirë. Me fat se shënuam golin, por me fat edhe për meritë të mbrojtjes dhe portierit që ndaluan disa sulme të Kukësit. Kundërshtari në këtë pjesë të dytë ishte më mirë se ne, kontrolli mesin e fushës, por mbrojtja dhe portieri u bënë pengesë për ato. Shpesh ndodh në futboll që të fitojnë skuadra, siç ishim ne sot ndaj Kukësit”, tha Lika.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura