Pasojat nga ngushtimi i enëve të gjakut në qafë, të rriskuar ata me hipertension e diabet. Flet kirurgu

Jun 23, 2019 | 22:13
SHPËRNDAJE

Vështirë të dallohet koha kur enët e gjakut në qafë nisin të ngushtohen. Kjo, sepse nuk ka asnjë shenjë që mund të shërbejë si tregues, duke qenë se sëmundja ka predispozitë të zhvillohet në heshtje. E vetmja mënyrë, thotë mjeku kirurg vaskular Gentian Caco, është nëpërmjet ekos.

Clogged Artery
Clogged Artery

“Sëmundja e arterieve karotide zhvillohet gradualisht dhe pacienti nuk e ndien zhvillimin e saj. Mjeku, gjatë vizitës, mund të konstatojë zhurmë në qafë dhe kjo mund të jetë shenjë e sëmundjes. Mënyra e vetme për ekzaminimin është ekzaminimi me ultratinguj, pra, Eko Doppler-i”, pohon doktori.

Arteriet karotide janë arteriet më të mëdha të qafës dhe që furnizojnë me gjak trurin. Nëse do të ndaleshim te shkaktarët që çojnë në ngushtimin e tyre, arterioskleroza do të ishte në krye të listës. Kjo, sipas doktorit, është një sëmundje që shfaqet pothuajse pa përjashtim në të gjithë njerëzit në moshën e tretë, por te disa individë fillon më herët.

“Arteroskleroza është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm që përshpejtohet kur pacienti ka tension të lartë të gjakut, kur ka vlera të larta të kolesterolit, kur është pirës i duhanit. Edhe pacientët me sëmundjen e diabetit janë më të rrezikuar”.

Në një intervistë dhënë për gazetën, Caco ndalet edhe te masat që duhen marrë për të parandaluar pasojat që mund të japë kjo sëmundje si edhe metodat e trajtimit që aplikohen aktualisht.

“Masat që ndikojnë në parandalimin e sëmundjes janë po ato që këshillohen për të parandaluar tensionin e lartë apo sëmundjen koronare, pasi të gjitha këto shkaktohen nga arteroskleroza. Jeta e shëndetshme, ndalimi i duhanit, konsumimi i ushqimeve me pak yndyra, aktiviteti fizik, ruajtja e peshës në kufijtë normale dhe në rastet me sëmundje, kontrolli i tensionit të gjakut me mjekimin e përshtatshëm, ulja e kolesterolit me mjekimin përkatës, kontrolli i nivelit të sheqerit në gjak për pacientët me diabet”.

Genti-Caco-Foto

Doktor, të ndalemi fillimisht mbi rëndësinë e enëve të gjakut në qafë, cili është funksioni që kanë?

Në qafë gjenden enët e gjakut, damarët në gjuhën popullore, që furnizojnë me gjak organet e kokës dhe të qafës si dhe kthejnë përsëri gjakun prej tyre në zemër. Të parat janë arteriet apo enët ku kalon gjaku i pasuruar me oksigjen, të dytat janë venat apo enët me gjak të varfër me oksigjen dhe të pasur me dioksid karboni.

Më të rëndësishmet ndër to janë arteriet karotide, që janë arteriet më të mëdha të qafës dhe që furnizojnë me gjak trurin.

Kur ndodh ngushtimi i tyre dhe çfarë e shkakton?

Ngushtimi i arterieve karotide ndodh për shkak të arterosklerozës. Kjo është një sëmundje që shfaqet pothuajse pa përjashtim në të gjithë njerëzit në moshën e tretë, por te disa individë fillon më herët. Arteroskleroza është një proces i ngadalshëm dhe i vazhdueshëm që përshpejtohet kur pacienti ka tension të lartë të gjakut, kur ka vlera të larta të kolesterolit, kur është pirës i duhanit. Edhe pacientët me sëmundjen e diabetit janë më të rrezikuar.

Arteroskleroza shkakton veshjen nga brenda të arterieve me shtresa të shkrifta, jo të qëndrueshme, me përmbajtje të yndyrave dhe të elementeve të gjakut që nxisin formimin e trombeve, mpiksjeve të gjakut. Këto shtresa që në gjuhën mjekësore quhen pllaka arterosklerotike, shtohen gradualisht dhe ngushtojnë kanalin ku kalon gjaku për në tru. Këto pllaka, duke qenë jo të qëndrueshme, mund të thërrmohen dhe pjesëza të tyre i rrëmben rryma e gjakut dhe përfundojnë në enët e vogla të gjakut brenda në tru ku shkaktojnë infarktin e trurit apo insultin.

Ndonjëherë, mbi shtresat e çrregullta të pllakave vendosen trombe, që edhe këto mund të bllokojnë furnizimin e trurit me gjak. Pra, rreziku i vërtetë nuk vjen nga ngushtimi i arterieve, por nga mundësia që ngushtimi i tyre të çojë në tromboza të trurit, pra, insulte që paraqiten me forma të ndryshme të paralizës, nga ato kalimtare, deri tek ato fatale për jetën.

Le të mbetemi te ngushtimi i arterieve karotide, kur nis të bëhet i rrezikshëm?

Shumë pacientë që vijnë për vizitë dhe që kanë bërë më parë kontrolle për arteriet karotide, këmbëngulin të dinë se sa për qind është ngushtimi. Në fakt, nuk ka asnjë rëndësi përqindja e saktë e ngushtimit. Për më tepër, nuk ka asnjë ekzaminim deri më sot që të përcaktojë me saktësi milimetrike shkallën e ngushtimit.

Nëse ngushtimi është deri 50%, sëmundja konsiderohet e lehtë, në masën 50 – 70% sëmundja konsiderohet e moderuar dhe mbi 70% konsiderohet serioze. Këto kufij janë përcaktuar me qëllim që të orientohemi për qëndrimin që do mbajmë ndaj pacientit. Natyrisht, përparimi i shkallës së ngushtimit nga një ekzaminim në tjetrin tregon se sëmundja është më agresive.

Si mund të kuptohet, çfarë ekzaminimesh duhen kryer?

Sëmundja e arterieve karotide është e heshtur. Ajo zhvillohet gradualisht dhe pacienti nuk e ndien zhvillimin e saj. Mjeku, gjatë vizitës, mund të konstatojë zhurmë në qafë dhe kjo mund të jetë shenjë e sëmundjes. Mënyra e vetme për ekzaminimin është ekzaminimi me ultratinguj, pra, Eko Doppler-i.

Çfarë masash dhe çfarë trajtimesh janë të mundshme për këtë sëmundje?

Masat që ndikojnë në parandalimin e sëmundjes janë po ato që këshillohen për të parandaluar tensionin e lartë apo sëmundjen koronare, pasi të gjitha këto shkaktohen nga arteroskleroza. Jeta e shëndetshme, ndalimi i duhanit, konsumimi i ushqimeve me pak yndyra, aktiviteti fizik, ruajtja e peshës në kufijtë normale dhe në rastet me sëmundje kontrolli i tensionit të gjakut me mjekimin e përshtatshëm, ulja e kolesterolit me mjekimin përkatës, kontrolli i nivelit të sheqerit në gjak për pacientët me diabet.

Në pacientët që kanë sëmundje karotide të moderuar, rekomandohet përdorimi çdo ditë i aspirinës në dozë të vogël apo një medikamenti tjetër me të njëjtin efekt mbrojtës ndaj trombozës. Në pacientët me sëmundje serioze, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e pllakave të rrezikshme apo trajtimi me stent për t’i izoluar këto pllaka dhe për të liruar ngushtimin e arteries.

Në disa pacientë me sëmundje të moderuar, por që kanë pësuar një goditje kalimtare në tru, mund të merret në konsideratë trajtimi kirurgjikal apo me stente. Në fazat e hershme të saj, sëmundja e arteries karotide shpesh nuk prodhon shenja ose simptoma. Gjendja mund të kalojë pa u vënë re deri sa të jetë mjaft serioze, duke shkaktuar një goditje.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura