Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten shkarkimin e gjyqtares së Apelit të Tiranës Flutura Skënderi. Gjatë seqancës dëgjimore Skënderit iu vunë në dukje disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe po ashtu dy raste të konfliktit të interesit.
Trupa gjykuese që kreu procesin rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Skënderi e drejtuar nga Pamela Qirko kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.
Relatori Lulzim Hamitaj tha se hetimi për gjyqtaren Skënderi ishte përfunduar në të tri krietret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Komisioni evidentoi në seancë dëgjimore dy çështje ku dyshohet se gjyqtarja Flutura Skënderi është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, të cilat lidhen me kompaninë me të cilën ajo kishte shkëmbyer truallin në këmbim të një apartamenti 72m2 dhe blerjes së shtesës prej 50m2.
Po ashtu Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi pasaktësi në deklarimet periodike vjetore të gjyqtares Flutura Skënderi lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet ndër vite si dhe pamundësi financiare për kryerjen e investimeve të deklaruara.
Në fillim të seancës, gjyqtarja Flutura Skënderi falënderoi Komisionin për hetimin e kryer, transparencën dhe korrektësinë e procedurës së hetimit administrativ, ndërsa kundërshtoi gjetjet e KPK dhe pretendoi se nuk kishte pasur konflikt interesi.
Flutura Skënderi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Një vit më vonë ajo është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku edhe e ushtron aktualisht funksionin e gjyqtares./ BIRN
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al