YLBER LILI
Patriotizmi zakonisht përkufizohet si dashuri ndaj vendit, çfarëdo qoftë ai, i bukur, i shëmtuar, me apo pa histori… Fëmijët i duan prindërit jo pse janë të mençur dhe me vlera të jashtëzakonshme, por sepse janë fryt i tyre. Nuk duhet harruar fakti se fjala komb në latinisht ndërlidhet me fenomenin e lindjes. Rrjedhimisht e do nënën pse të ka lindur, e do atdheun ngaqë je pjesë e tij, ngjarjeve, traditës, dokeve, zakoneve, gjuhës, kulturës e kështu me radhë. Në një farë mënyre, patriotizmi është si besimi shekullar: sa më të zhvilluar dhe të qytetëruar janë popujt, aq më luajal janë ndaj atdheut të tyre…
Shikuar në kontekstin shqiptar, patriotizmi dhe nacionalizmi lexohet, përkthehet, trajtohet, ligjërohet dhe kumtohet në mënyra të ndryshme. Një pjesë në emër të moderimit rreken t’i japin konotacione dhe ngjyra folklorike deri në negative, disa syresh japin shpjegime dhe shembuj që hera- herës dalin jashtë temave të debatit e ca të tjerë janë më racionalë, ndonëse etiketohen si radikalë. Sidoqoftë, i rëndësishëm është fakti që mediat, rastësisht apo qëllimisht, kanë filluar t’i shndërrojnë në debate shoqërore nocionet “patriotizëm” apo “nacionalizëm”. Por, kjo është njëra anë e medaljes, sepse nga ana tjetër, karakteristikë e këtyre debateve është harresa e motivit, d.m.th. arratisja e opinionbërësve nga tema dhe qëllimi i debatit. Në kësi rastesh, pjesëmarrësit e debateve më shumë mbajnë qëndrime hidhëruese kundrejt bindjeve dhe opinioneve të tjetrit, sesa orvaten të komentojnë, analizojnë fenomene mbi patriotizmit apo nacionalizmin.
Dikush mund të thotë se debatuesit ndahen në të moderuar dhe radikalë. Po, madje është normale! Mirëpo te ne ndodh një fenomen unik: të moderuarit bëhen më të ashpër sesa vetë radikalët. Ky fenomen ndikon drejtpërdrejt në deformimin e debatit, aq sa të moderuarit flasin vetëm për aspektet negative të temës. Ndonëse shembujt që ata japin mund të jenë të saktë, gjithsesi nuk mund të thuhet se janë edhe të vërteta. Ata nuk marrin parasysh se njerëzit kanë prirje të abuzojnë për shumë gjëra, natyrisht edhe me patriotizmin dhe nacionalizmin. Në këtë kuptim, identifikimi i patriotizmit dhe i nacionalizmit me variante abuzuese është gabim metodologjik, ose qëllim i paramenduar. Për ta ilustruar me një metaforë: edhe ilaçet që konsumohen pa kriter shndërrohen në helme.
Sidoqoftë, shqiptarët në tërësinë e tyre, në ndryshim nga disa kombe të tjera, dallojnë edhe në raport me qasjen ndaj patriotizmit dhe nacionalizmit. Nuk duhet harruar fakti se Jugosllavia u shpërbë jo për shkak të patriotizmit apo nacionalizmit, por abuzimit me to, duke përdorur ligjërimin e urrejtjes, nacionalizmin e deformoi në shovinizëm.
Në këtë kontekst, nacionalizmi sllav është agresiv, pushtues, ekspansionist, apo ai grek kafshues dhe ofensiv, ndërkaq patriotizmi dhe nacionalizmi shqiptar janë defansivë dhe mbrojtës. Pothuajse në të gjitha etapat historike shqiptarët kanë mbajtur qëndrime patriotike dhe nacionaliste në funksion të mbrojtjes së kauzës kombëtare, në funksion të identitetit dhe lirisë së tyre. Është pikërisht patriotizmi dhe nacionalizmi që i cytën rilindësit tanë për shtetformim, falë patriotizmit dhe nacionalizmit, natyrisht mbrojtës, shqiptarët në ish-Jugosllavi i mbijetuan asimilimit dhe për të ardhur në ditët e sotme ‘90, rasti i luftës për liri dhe pavarësi në Kosovë. Sikundër sot e gjithë kohën shqiptarët po demonstrojnë pjekuri maksimale duke mos lejuar deformimin e patriotizmit dhe nacionalizmit, anipse politika i prish ekuilibrat.
Të reagosh dhe të protestosh për gjuhën, simbolet, për të drejtat e patjetërsueshme për dinjitet dhe integritet, natyrisht që është një patriotizëm racional. Më konkretisht, shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë apo të Luginës së Preshevës janë në dimensionin e mbrojtjes së identitetit të tyre.
Shikuar nga kjo pikëpamje, shqiptarët vazhdojnë të mbeten patriotë dhe nacionalistë paçka se elitat politike tentojnë ta relativizojnë këtë fakt kokëfortë. Për sa kohë që të tjerët kanë tendenca uzurpuese, tjetërsuese, përvetësuese, mohuese apo kafshuese, shqiptarët nuk mund të rrinë duarkryq, do të reagojnë, protestojnë, kontestojnë, madje do të karakterizohen edhe nga vala e emocioneve duke shpërthyer me nota patriotike dhe nacionaliste, mjafton që nuk kanë synime shoviniste. Natyrisht, kjo është impresionuese! Askush nuk mund të fshihet pas gjethes së kozmopolitizmit, apo duke u mbuluar me vellon e modernizmit kur shikon se si të tjerët zhvillojnë beteja për të nëpërkëmbur dinjitetin kolektiv të shqiptarëve, apo akoma më keq, kur të tjerët orvaten të krijojnë kauza të rrejshme, siç janë tendencat e qarqeve greke ndaj hapësirave të Shqipërisë zyrtare.
Nëse e shtrojmë çështjen se në çfarë nivelesh është aktualisht patriotizmi shqiptar, marr guximin të them se ne jemi pinjollë të rilindësve tanë, por tashmë në rrethana dhe në një tjetër kontekst. Përveç periudhës së monizmit, ku thundra ideologjike sundoi patriotizmin duke e shndërruar atë në një doktrinë në funksion të një klike për të mbajtur gjallë frymën e jetëgjatësisë së sundimit, shqiptarët kanë dëshmuar dhe demonstruar në vazhdimësi patriotizëm dhe nacionalizëm racional dhe funksional. Për shembull, Shqipëria mbart në vete patriotizëm gjithnjë e në rritje, tashmë shqiptarët investojnë më shumë për veten e tyre, për familjen, shoqërinë, për rrjedhojë, dhe kombin.
Gjithsecili në mënyrat e tij investon në këtë drejtim. Intelektualë, biznesmenë, sportistë, shkrimtarë, profesorë, gazetarë, fermerë, emigrantë, përmes kapitalit të tyre profesionalë, njerëzor dhe financiar, me automatizëm përmirësojnë interesin publik. Pra, secili nga ne, edhe pse në pamje të parë ndjekim interesat tona, shpesh përmirësojnë atë të shoqërisë.
Ta zëmë, një sportist, këngëtar/e, apo një shkrimtar që përfaqësohet me dinjitet dhe profesionalizëm në Europë, janë gurë të çmuar të kurorës së patriotizmit. Për të shkruar më tej, shkëlqimi i këtij mozaiku janë emigrantët, të cilët dita-ditës dëshmojnë patriotizëm. Krahasuar me vitet ‘90, tashmë kemi më pak ikje dhe shumë më tepër rikthime në atdhe! Ky fakt është ilustrim i patriotizmit.
Shikuar nga një tjetër aspekt, s’do mend që edhe ne abuzojmë me patriotizmin dhe nacionalizmin, por aktorët dhe faktorët e këtij abuzimi janë të njohur: është kasta politike, e cila kalëron me flamujt e patriotizmit kur i shkel syrin pushtetit dhe rehabilitohet në kufijtë e nënshtrimit kur e arrin qëllimin-pushtetin. Përtej këtij realiteti të hidhur, shqiptarët në tërësinë e tyre janë patriotë ngaqë dëshmojnë se e duan vendin e tyre, gjuhën, simbolet, kulturën dhe historinë e tyre, sikundër janë dhe nacionalistë ngaqë u privohet nacionalja.
Nëse deri dje shumë çështje i trajtonim si tema tabu, tashmë ndodhemi në një tjetër kontekst, aq sa bashkimi kombëtar nuk mund të konsiderohet si kapriço apo lajthitja e dikujt, por është frymë kolektive e shqiptarëve, madje doktrinë. Nëse do të bëhej një referendum, doktrina do të vërtetohej shumë lehtë. Sidoqoftë, kush i mban mend rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, do të kuptojë se “Vetëvendosja”, me tezën e bashkimit kombëtar, pati të drejtë!
Si përfundim, ne jemi patriotë, kjo është sublime, në të kundërt, tashmë nuk do të na dihej as nami dhe as nishani. Çështja është se kur elitat politike (me pak përjashtime) do të demonstrojnë dhe dëshmojnë patriotizëm në shërbim të interesit publik dhe kombëtar, ose të paktën të mos e deformojnë atë në funksion të interesave të tyre personale dhe financiare.