Pavarësia e vërtetë e Bankës së Shqipërisë është një e mirë publike që nuk duhet cenuar

Jul 13, 2024 | 10:30
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ arben-malaj-4-770x414

“Bankieri qendror është si një gjykatës” Prof. Peter Conti-Brown2.

Ky përkufizim vjen nga një profesor me ndikim në analizat e pavarësisë së bankave qendrore. Përkufizimi se bankierët qendrorë janë si gjyqtarët, sqaron faktin se vendimet e politikës monetare nuk duhet të ndikohen dhe duhet të respektohen. Milton Friedman, laureat i Nobelit në ekonomi, mbështetës i ekonomisë së tregut të lirë, shprehet se: “Parakushti për një politikë monetare të suksesshme është një bankë qendrore e lirë nga presioni politik”. Në rastin tonë konkret të dezinformimeve të shtuara, pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë duhet mbrojtur edhe nga presioni i gjobëvënieve. Një përmbarues “me eksperienca personale” jopozitive, akuzon vazhdimisht Bankën e Shqipërisë për problemet e shfaqura në dy kompani të mikrokredisë. Vetëm dy nga 22 kompani kanë shfaqur probleme dhe duhet të hetohen deri në fund. Aktualisht janë rreth 330,000 huamarrës në sistemin e mikrokredive dhe shuma mesatare e një kredie është 1,200 euro. Të shpresojmë që ky angazhim i përmbaruesit të mos jetë në thelb tendencë për gjobëvënie jo vetëm financiare.

“Përmbaruesi” kur akuzon publikisht guvernatorin/cilido qoftë ai, nuk e njeh ligjin e Bankës së Shqipërisë, pasi në nenin 42 pika 1. shkruhet/qartësohet se: “Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i politikave, administrimit dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë”. Është e vështirë të kuptoj se ky dezinformim është nga padija apo nga pa ngopja. Dezinformimi është gjithmonë i dëmshëm, por dezinformimi për të krijuar pasiguri dhe trazira në tregun bankar është vepër penale dhe duhet hetuar sapo të shfaqet. Këtu përfshihet edhe dezinformimi për bankën Raiffeisen në Shqipëri, pasi legjislacioni shqiptar e detyron Raiffeisen Bank të jete me bilanc me vete nga banka mëmë Raiffeisen Bank Internacional. Privatizimi i Bankës së Kursimeve me rreth 123 milionë euro në vitin 2003 është një nga privatizimet më të suksesshme, pa e krahasuar me privatizimin e një banke tjetër shumë të rëndësishme në sistemin bankar shqiptar, që u shit për vetëm 24 mijë euro. Për parandalimin e eksportimit të krizave të bankave mëmë ne bankat e tyre jashtë, Banka e Shqipërisë me asistencën e FMN-së bëri ndryshime të rëndësishme ligjore dhe institucionale.Është një kuadër i qartë ligjor që mbron Raiffeisen Bank në Shqipëri të mos preken drejtpërdrejtë nga zhvillimet në Raiffeisen Bank Internacional. Ky kusht është për çdo bankë të huaj në vendin tonë.

Si mund ta kuptoj një jurist shumë mediatik që dizinformon në TV se kur Shqipëria shiti Bankën e Kursimeve tek Raiffeisen Bank Internacional, shteti shqiptar i paska vjedhur atij depozitat/kursimet, sepse bankën e kursimeve e mori një i huaj. Besoj se ky jurist e ka vërtetuar se sa herë ka shkuar në bankën që ka pasur depozitat, nuk ka pasur asnjë pengesë për të tërhequr paratë e tij. Kjo është prova reale që askush nuk i ka vjedhur depozitat. Pra, deklaratat e tij publike kanë një element të qartë dezinformimi dhe në çdo vend tjetër ai mund të ishte hetuar për qëllimin e vërtetë të kësaj deklarate publike, që mund të ushqejë panik tek depozituesit. E vetmja e vërtetë profesionale është se në proceset e privatizimit të bankave, bankat e huaja nuk blejnë kursimet e qytarëve. Pronari i vetëm i depozitave është vetëm depozituesi. Garancia përfundimtare e kursimeve të popullsisë pas kompensimit të tyre nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) për depozitat deri në 5 milionë lekë është shteti shqiptar. Përsa i përket lirisë për të akuzuar në mënyrë të papërgjegjshme, duhet sqaruar si për përmbaruesin, edhe për avokatin se në demokraci: “E drejta jote për të lëvizur lirisht gishtin të ndër varet nga afërsia me hundën time”.

Pra, liria për të akuzuar nuk është e pakufizuar, sidomos kur kjo liri keq përdoret për dezinformim apo gjobëvënie në sektorin bankar. Përsa u përket problematikave të shfaqura aktualisht me vetëm dy shoqëri mikrokredie, aspekti grabitqar shfaqet edhe tek përmbaruesit. Rasti i zonjës nga Lushnja që humbi gjithçka tregon se sa kriminale janë procedurat e disa përmbaruesve. Qëllimi i tyre është të maksimizojnë fitimet personale dhe në kohën më të shkurtër të mundshme. Përmbaruesit grabitqarë janë pjesë e zinxhirit të varfërim ekstrem të huamarrësve me njohuri minimale për kostot e marrjes dhe mospagimit të kredive. Huadhënësit dhe përmbaruesit grabitqarë jo vetëm që u kanë kushtuar shumë financiarisht huamarrësve, por i kanë shtuar stresin psikologjik deri tek kushëriri i shtatë ose fqinji i tetë. Kjo është metoda tipike kriminale që përdorin aktualisht huadhënësit grabitqarë të palicencuar në Angli. Duhet sqaruar për lexuesit se procesi i licencimit, mbikëqyrjes dhe dënimit të përmbarimorëve është një e drejtë ligjore vetëm e Ministrisë së Drejtësisë. Është koha që Shqipëria të trajtojë me një ligj të veçantë “kamatën ligjore” siç e kërkon Kodi Civil i RSH.

Kamata ligjor nënkupton kufirin maksimal, që një huadhënës duhet të kërkojë nga një huamarrës. Praktikat ndërkombëtare janë të ndryshme, por edhe specifikat e vendit duhet të mbahen parasysh. Vendosja e kamatës ligjore do t’i detyrojë huadhënësit t’i përzgjedhin klientët e tyre në bazë të suksesit dhe jo si viktimat prej të cilëve ata mund të marrin fitime të jashtëzakonshme. Banka e Shqipërisë ka që prej vitit 2020 që ka marrë masa për të vendosur tavan për fitimeve neto të kompanive të mikrokredive. Kjo masë mbron kredimarrësit e paditur nga huadhënësit grabitqarë. Por, aplikimi i një kamate ligjore mund të shtyjë edhe huadhënësit e licencuar të spostohen drejt tregjeve informale. Duhet një analizë e thelluar e përfitimeve dhe kostove të aplikimit me ligj të kamatës ligjore, siç përcaktohet në nenin 450, paragrafi i parë i Kodit Civil. Ku thuhet se: “Përqindja e kamatës caktohet me ligj”. Detyrë e paplotësuar për më shumë se 20 vite?! Bota ka kaluar qindra kriza bankare dhe financiare që kanë dëmtuar financiarisht dhe psikologjikisht miliona huamarrës. Por ata që duan ta bëjnë përgjegjës BSH-në për gjithçka në konceptin se duhet të sigurojë gjithçka janë të gabuar dhe të dëmshëm sepse në këtë rast ushqehet fenomeni i “Moral Hazard3 /rrezikut moral”.

Kujtojmë krizën financiare të vitit 2008 që lindi nga rënia e thellë e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Kujtoni të Premten e Zezë të Anglisë kur Anglia humbi bastin e saj me Sorosin. Në asnjë rast nuk është kërkuar dënimi penal i guvernatorëve. Pak kohë më parë, dy kolegë të industrisë së fasonit së bashku me avokatin e tyre më kërkuan një “mendim të dytë” për të paditur Bankën e Shqipërisë, sepse sipas tyre, ajo nuk ndërhyri për të ndaluar zhvlerësimin e euros dhe dollarit. Këshilla ime ishte jo, sepse nuk ka bazë ligjore.

Pas vitit 1992, Shqipëria zgjodhi dhe zbatoi një kurs këmbimi të ndryshueshëm. Bankat qendrore me kurse të këmbimit të luhatshëm ndërhyjnë në tregun valutore vetëm kur zhvillimet në kursin e këmbimit rrezikojnë objektivin e tyre të inflacionit. SHBA-të krijuan skemën e sigurimit të depozitave pas krizës së depresionit të madh. Askush nuk e denoncoi kreun e FED-it, pse nuk i krijoi më parë? Shqipëria në vitin 2002 krijoi skemën e sigurimit të depozitave (ASD) si një përgjigje reformuese pas krizë s/tragjedisë së piramidave në 1997. Në vitin 2002, kur ligji për ASD u diskutua në parlament, PD në opozitë, tentoj fort të krijonte panik te depozituesit për të tërhequr depozitat e tyre nga bankat. Kjo kishte për qëllim të ndizte flakët e një krize bankare. Vetëm kryetari i PD-së dhe ish-ministri i Financave gjatë piramidave e dinë se çfarë u tha ambasadori amerikan Limpreht, pasi i thirri me urgjencë. Ultimatumi ishte i qartë, ju nuk mund ta digjni sërish Shqipërinë për të ardhur në pushtet.

Ekspertët i konsiderojnë krizat edhe si një mundësi për të kuptuar se ku janë pikat e dobëta të ekonomisë dhe politikave të bankës qendrore. Shumë nga reformat e thella janë kryer jo si pjesë e vizionit, por si kundërpërgjigje ndaj krizave të ardhshme potenciale. Në veçanti, kriza e vitit 1997 qartësoi domosdoshmërinë dhe dobinë e reformës në sistemin bankar shqiptar. Në këtë reformë përfshihej edhe ngritja e Agjencisë për trajtimin e kredive të këqija( ATK). Ky është momenti kur vendi ynë në vitin 2002 krijoi sistemin e pastrimit të kredive të këqija dhe problematike nga bilancet bankave shtetërore. Pasi bankat komerciale i shesin këto kredi, bankat qendrore nuk përfshihen në procese të mëtejshme. Pavarësia e Bankës së Shqipërisë është një parakusht për bashkëpunim me çdo institucion financiar ndërkombëtar. Në përvojën time si ministër i Financave mund të ndaj me ju një rast konkret të rëndësisë së bashkë punimit me FMN-në për pavarësinë e BSH-së.

Në 2003, qeveria propozoi si anëtar të KMBSH një koleg që ishte drejtor i një kompanie të madhe publike dhe tjetri këshilltar i kryeministrit. Më duhej t’i shpjegoja qeverisë se kjo binte ndesh me parimin e pavarësisë së BSH-së. Nuk kalon një javë pas emërimit të tyre nga Kuvendi, FMNja më kërkon me shkrim që t’i heq të dy nga KMBSH ose FMN-ja do të bllokonte projektet me Shqipërinë. Kisha mësuar se kur FMN merr një masë ndëshkuese, institucionet e tjera financiare ndërkombëtare vrapojnë të unifikohen në pozicionet e tyre bllokuese. Nuk duhet të humbnim asnjë ditë, ata dhanë dorëheqjet dhe bllokimi nuk u aplikua. Mikrokreditë kanë lindur disa qindra vjet më parë, por vetëm pas krizës globale financiare të vitit 2008, FMN-ja kërkoi që licencimi, rregullimi dhe mbikëqyrja e tyre të bëhej nga Bankat Qendrore. Kjo për të parandaluar rrezikun e përhapjes së kredive të këqija. Është e rëndësishme të theksohet se pavarësia e Bankës Qendrore nuk do të thotë autonomi e plotë. Ata zakonisht janë përgjegjës para një parlamenteve dhe kanë një mandat të përcaktuar, si stabiliteti i çmimeve ose punësimi i plotë.

1 Ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,

2 Peter Conti-Brown është profesor i asociuar,studion bankat qendrore, rregullimin financiar dhe financat publike, me një fokus të veçantë në historinë dhe politikat e Sistemit të Rezervës Federale të SHBA. Ai është autor i librit Fuqia dhe Pavarësia e Rezervës Federale (Princeton University Press 2016),

3 Rreziku për të qenë i varur nga sjellja morale e të tjerëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura