PD: Prokuroria nën presion për Tatimet

Jan 27, 2014 | 10:59
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike denoncoi dje presionin që po i bëhet organit të Prokurorisë për hetimin e ndërmarrë prej saj për fshirjen e serverit të Tatimeve. Koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi, tha se organi i akuzës duhet të hetojë shpejt të gjithë historinë. “I kërkojmë Prokurorisë së Përgjithshme që të veprojë në mënyrë energjike dhe të hetojë personat e përfshirë, aktin që ata kanë kryer, paligjshmërinë e tyre, arsyet e pranisë në dhomën e serverëve të këtij grupi të strukturuar me bekimin dhe mbështetjen e dyshes Rama – Meta. Partia Demokratike disponon të dhëna të plota për presionin që po i ushtrohet organit të akuzës në procesin hetimor, si dhe për lidhjet e dyshimta mes personave që hetojnë dhe personave të implikuar”, tha Bardhi. Sipas saj: “Partia Demokratike është e vendosur të mos lejojë që kjo ngjarje e paprecedentë, ky krim i rëndë shtetëror, të pasohet nga një tjetër krim edhe më i madh, siç është mungesa e drejtësisë dhe mungesa e ndëshkimit për përgjegjësit direkt, për ideatorët dhe për ata që po përfitojnë sot e gjithë ditën nga shtënia në dorë e të dhënave konfidenciale të mbrojtura me ligj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura