Për miqtë që ikin dhe e lënë rrugën në mes

Jul 12, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA LEONARD VEIZI LeonarD VeizI - Copy

VDEKJEN TË GJITHË E KEMI HAK, POR AJO VJEN GJITHMONË KUR NUK E PRESIM

Rrotullohemi të pashpresë në një rreth vicioz ku nuk e gjejmë dot daljen, por në mendjen tonë gjithmonë ekziston një shpresë e skajshme dhe krejt e pakuptimtë. Dhe kjo na mban në uniformën e jetës, herë për të qenë praktik e me këmbë në tokë dhe herë ëndërrimtarë naivë e utopikë. Na duket sikur vdekja është larg nesh, shumë larg, ose na ka harruar, ose do të na harrojë, ose ne do të jetojmë gjatë, gjatë… gati në pafundësi. Sa bukur të jesh kaq naiv e utopik. Por gjithçka zhbëhet shumë shpejt, pikërisht atëherë kur nuk e pret. Dhe rruga ndërpritet. Ose aq ishte itinerari yt në fund të fundit. Kjo vlen si një hamendeshim, sepse manuali nuk na është dhënë në përdorim. Në fakt, ne të gjithë e kemi hak vdekjen tonë, përderisa hak kemi edhe jetën që na është dhënë. Dhe kjo sentencë na kujton se gjithçka që lind, edhe vdes. Është taksative, lutu sa të duash tek Shën Maria e te Shën Pjetri.

Aristir Lumezi ishte i fundit që u shua nga zinxhiri i gazetarëve. Dhe ishte gazetar race. Por kishte dhënë prova dhe si drejtues i një medie të rëndësishme e me ndikim. Megjithatë, nuk qe e thënë të dilte në pension si gazetar karriere dhe as si kryeredaktor me karrierë të përfunduar. Sepse e tillë është jeta dhe nuk ka shpjegim. Mund t’i kërkosh Jezusit apo Atit të tij ta ndryshojnë fatin… Por kjo nuk ka për të ndodhur. Ndaj je i detyruar ta pranosh humbjen, sado kokëfortë a kryelartë të jesh. Në përditshmërinë tonë, shpesh zhytemi në preokupime të shumta dhe rrisim kërkesat tona në mënyrë të pamat, duke harruar shpeshherë se gjithçka që përjetojmë është e përkohshme. Vdekja është një realitet i pamohueshëm, një pjesë e natyrshme e ciklit të jetës, që herë pas here na kujton se edhe ne kemi një fund të caktuar.

Gazetarët vdesin gjithashtu, se dhe pse pjesë e pushtetit të katërt, asnjëri nuk ka imunitet. Nuk ka imunitet as para ligjit, jo më para Zotit. Në Amerikën e përtej oqeanit ekziston një shprehje që thotë: “Asgjë nuk është e sigurt në këtë botë përveç taksave dhe vdekjes”. Padyshim, gjithçka është e taksuar. Madje dhe vdekja. Por vdekja është më e sigurt se edhe vetë taksat. Vdekja e parakohshme e kolegëve është një ngjarje që prek thellësisht strukturën emocionale të një ambienti pune dhe shoqëror. Kur një person me të cilin kemi ndarë përditshmërinë dhe sfidat profesionale largohet papritmas nga kjo botë, ndjejmë humbjen e tij në mënyrë të dyfishtë: si një mik dhe si një profesionist që kontribuonte në ekipin e përbashkët. Por, njeriu naiv dhe utopik ka dhe një veti të madhe e të jashtëzakonshme: harresën. Kush e mban mend se para Aristir Lumezit kishin ikur dhe Andrea Stefani dhe Fatos Baxhaku, dhe Agron Bala, dhe Arjan Dodbiba, dhe Zenepe Luka edhe Emin Koçiu, edhe Sonila Caka…

Dhe gjithashtu kishin ikur nga kjo botë një dorë gazetarësh me kontribute të mëdha nga plejada më e vjetër si Agron Çobani, apo Alfons Gurashi, apo Duro Mustafai, apo Tomorr Peza, apo Ilir Dhima, apo Nuri Dragoi, apo dhe Flamur Bërdellima. Ç’është e vërteta, radha është e madhe shumë dhe unë mora përsipër të përmendja vetëm ata, të cilët i kam njohur nga afër, kemi ndarë kafe e ndonjë gotë rakie, si dhe biseda hallesh nga të përditshmërisë sonë. Kur miqtë tanë ndahen nga jeta, humbja duket e thellë dhe e dhimbshme dhe lë një boshllëk të madh, por gjithsesi të përkohshëm. Sepse fill pas saj, vjen një tjetër vdekje. Cikli përsëritet. Harresa bën punën e saj.

Ndërsa hallkat që shkëputen nga zinxhiri e bien njëra pas tjetrës, zëvendësohen rrufeshëm me hallka të reja, që lidhen njëtrajtshëm në konvejerin që nuk ndalon asnjëherë. Ikja e Aristirit – apo Beni siç njihej për një rreth më të ngushtë, me një emër të mbartur nga fëmijëria, – na tregoi edhe një herë se sa e dobët është raca njerëzore, madje edhe për njerëzit që i kanë vënë gjoksin punës dhe vetë jetës, për ta çarë me trimëri. Në përditshmërinë e zhurmshme të zyrave tona, ndonjëherë harrojmë të ndalemi dhe të reflektojmë mbi vlerën e vërtetë të marrëdhënieve që krijojmë. Ecuria e detyrave dhe projekteve mund të na bëjë të shikojmë njëri-tjetrin vetëm në kontekstin e rezultateve që duhet të arrijmë. Dhe shpeshherë më shumë se miq vetë puna në bën armiq me njëri-tjetrin.

Por, kur një koleg largohet nga jeta, kuptojmë se lidhjet tona shkojnë përtej titujve të pozicioneve dhe objektivave të punës. Në atë çast, dhimbja na kujton se kemi humbur një qenie njerëzore me të cilën kemi ndarë pjesë të rëndësishme të jetës sonë. Ashtu si dhe të tjerë, Aristir Lumezi ishte pjesë e përditshmërisë sonë. Ikja e papritur la rrugën e tij të papërfunduar, ëndrrat e pambaruara dhe shpresa të parealizuara. Vdekja e miqve tanë na rikujton se jeta është e shkurtër dhe e pasigurt dhe se është e rëndësishme ta jetojmë atë me plotësi. Të gjitha marrëdhëniet dhe përvojat tona janë pjesë e një mozaiku të madh, ku çdo copëz ka një rëndësi të veçantë. Në këto çaste, solidariteti ynë bëhet më i fortë, sepse ndjejmë nevojën për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të përballuar dhimbjen së bashku. E tillë është jeta. Ata që kanë ikur më parë se kaq janë dëshmitarë të ndryshimeve që kemi përjetuar. Kjo ndjenjë është ngushëllimi ynë më i mirë, forca për të vazhduar jetën dhe për të mos humbur shpresën asnjëherë.

Po cilën shpresë?

Eh, po….

Me sa duket, njeriu o është romantik deri në idiotësi, ose është vërtet idiot total që vazhdon të shpresojë në marrëzi. Në fund, të ditës, vdekja e parakohshme e një kolegu na kujton se jeta është e brishtë dhe e paparashikueshme. Ajo na shtyn të vlerësojmë më shumë çastet që kemi dhe njerëzit që na rrethojnë. Dhe mbi të gjitha, na sfidon të jetojmë më me ndërgjegje, në udhëtimin tonë profesional dhe njerëzor. Duke kujtuar miqtë që kanë ikur, ne jemi të thirrur të reflektojmë, të vlerësojmë çastet, të përmbushim ëndrrat dhe të jetojmë jetën me dinjitet duke kujtuar gjithmonë se, sikurse e kemi hak jetën, e kemi hak edhe vdekjen tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura