Përfitimi i tapisë. Legalizimet, Lame: Afatet për pagesat e truallit

Aug 25, 2014 | 9:00
SHPËRNDAJE

KREU I ALUIZNI-t, ARTAN LAME
Kreu i ALUIZNI shpjegon kohën që duhet për të paguar faturat. Çfarë  ndodh kur nuk ke para për një vit dhe shembujt sipas zonave.

Kreu i ALUIZNI: Hipotekim edhe nëse pagesa nuk kryhet brenda vitit të parë.

“Brenda vitit të parë, 50% e faturës me bono privatizimi”

Lehtësirat dhe reduktimet që do të aplikohen për pagesën e truallit për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, nuk do të jenë pa afat.
Sipas kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, brenda vitit të parë familjet do të përfitojnë nga pagesa me bono privatizimi dhe nga zbritja 20% që do të aplikohet për pagesat e menjëhershme. Në një intervistë dhënë për gazetën, Lame sqaron se edhe nëse detyrimi financiar nuk shlyhet brenda vitit të parë, kjo nuk do ta pengojë regjistrimin e pronës në hipotekë. Sipas tij, hipotekimi do të bëhet, por do të jetë me kufizim. Kreu i ALUIZNI-t ka qartësuar se barra hipotekore nuk e cenon banesën, por nëse aty do të duhet të kalojë një rrugë apo një vepër tjetër publike, atëherë ajo që mund t’i ndodhë familjes është të shpronësohet, dhe nga vlera e shpronësimit t’i mbahet detyrimi financiar që i ka shtetit për procesin e legalizimit. 

Familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë do ta paguajnë truallin me formulën e re mbi bazë të së cilës aplikohen lehtësira dhe reduktime. Sa afat do të kenë në dispozicion qytetarët për të përfituar prej tyre?
Brenda vitit të parë, deri në 50% e vlerës që do të faturohet për parcelën ndërtimore mund të paguhet me letra me vlerë. Ndërkohë, për zbritjen 20% që do të aplikohet për pagesat e menjëhershme, familjet do të kenë afat 45 ditë nga momenti i prerjes së faturës. Nëse ndodh që pagesa për truallin nuk bëhet brenda vitit të parë, është logjike që zbritja 20% humbet, por kjo nuk pengon hipotekimin e banesës. Prona regjistrohet në hipotekë në emër të qytetarit me barrë hipotekore. Jam i bindur që qytetarët do të jenë të prirë të shlyejnë detyrimin financiar, sepse është normale që dikush e ka zënë tokën ta paguajë atë. Por edhe për një arsye tjetër shumë të thjeshtë që e ka shprehur edhe Kryeministri, se çdo qytetar që ka zënë pronën e dikujt tjetër, do ta mbyllë si problem sepse nuk dëshiron t’ua lërë si barrë fëmijëve. Pagesa e tokës të vendos në pozita të barabarta përballë gjithë qytetarëve të tjerë. Përgjithësisht ky është një imput që ne kemi marrë nga baza, qytetarë janë të prirë për ta mbyllur këtë histori për të mos qëndruar me dilemën është apo s’është e jona. Në fund të këtij procesi është e rëndësishme që të gjithë të jemi të barabartë përpara ligjit, dhe të barabartë përpara ligjit na bën zbatimi i detyrimeve ligjore. Për qytetarët që refuzojnë qoftë edhe t’u nënshtrohen procedurave ligjore qëndron risku i një objekti të palegalizuar, i një objekti pa pronë, pa asnjë lloj ligjshmërie. Dhe do të jetë e dhimbshme për ata qytetarë që gjenden përpara situatës që për një projekt të caktuar apo për një studim të caktuar që parashikon një hapje rruge, një vepër infrastrukturore, të shikojnë shtëpitë e tyre të prishura.

Cenohen me shembje këto banesa që do të regjistrohen me barrë hipotekore?
Absolutisht jo. Çdo banesë e regjistruar me barrën hipotekore nuk ka se si të cenohet nga investimet për infrastrukturën, pasi konsiderohet që është e regjistruar. Rasti më ekstrem, ajo familje do të shpronësohej, do të paguhej duke i zbritur edhe pjesën e barrës hipotekore.

Kur thoni në rastin më ekstrem, kujt i referoheni?
I referohem rastit kur kemi një banesë që është regjistruar në hipotekë me barrë hipotekore dhe aty kalon një vepër infrastrukture. Në këtë rast qytetari shpronësohet sipas ligjit të shpronësimeve, pra merr vlerën e pagesës dhe atij shpronësimi do t’i zbritet vlera që kishte si barrë hipotekore. Por prirem të këmbëngul në këtë, që është e dhimbshme. Ka pasur edhe plot raste edhe këta tre muajt e fundit qytetarë që nuk kanë dashur apo nuk janë përfshirë në procesin e legalizimeve për një arsye apo për një tjetër vijnë dhe thonë se si mund të shpëtojmë sepse na ka ardhur rruga, ndërtuesi, pronari i tokës etj. Vlen të theksoj se procesi është ende i hapur, qytetarët akoma mund të aplikojnë dhe ndjekin procedurat e legalizimit.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura