Ky është momenti kur ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mbërrin në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij për abuzim me fondet e BE-së.
Ilir Beqaj së bashku me 6 bashkëpunëtorë të tjerë akuzohen se kanë abuzuar me fondet e Bashkimit Europian.
Ish-ministri u vendos në pranga mëngjesin e djeshëm (4 korrik) së bashku me njeriun e tij të besuar, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollajn.
Ndërkohë që katër persona të tjerë, të cilët kanë dalë gjatë hetimeve të përfshirë në abuzimet me fondet e BE-së, do të hetohen në masa më të buta sigurie.
Në 7 urdhërarreste të lëshuara nga SPAK, vetëm një nuk është ekzekutuar, ndërkohë që pritet që ditën e nesërme të arrestuarit të dalin para gjykatës që t’u komunikohen masat.
Në rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kohë që gjendet nën hetim, për shkak të abuzimeve me koncesionet në Shëndetësi. Por në dosjen voluminoze, të cilën e ka në duar edhe vetë ish-ministri i arrestuar gjendej edhe akuza për abuzimin me fondet e SASPAC, një agjenci që Beqaj e drejtoi që nga themelimi i saj. Të dhënat për skemën e abuzimeve me këto fonde që i përkisnin BE-së, i ka bërë publike Prokuroria e Posaçme dje, pak orë pas arrestimit, ndërkohë që gjatë hetimeve janë hasur shkelje të tjera që përbëjnë akuza konkrete ndaj ish-ministrit të qeverisë “Rama”.
Akuzat që konstatohen në materialin hetimor janë ato të korrupsionit, shkelje të barazisë në tenderë dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private që sipas SPAK lidhen me disa procedura prokurimi të kryera nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
BEQAJ DHE BASHKËPUNËTORËT
Referuar të dhënave të SPAK bëhet me dije se ishministri i Shëndetësisë dhe ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) Ilir Beqaj është arrestuar dje, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së. Në njoftimin zyrtar të SPAK për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, i cili është i arrestuar së bashku me Alfred Nikollaj, ndërkohë 2 po hetohen në masë arrest shtëpie dhe 2 detyrim me paraqitje.
Duke zbardhur skemën e abuzimit, SPAK evidenton se për 8 shërbime prokurimi për organizimin e konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”) si dhe “Konferenca e Energjetikës”, organizuar në vitin 2023 procedura ka qenë tërësisht fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar. Në dosje evidentohet për konferencën ‘Festa’ mbajtur në datat 03-05 prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura.
Fatura e parë, 125.000,00 euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra, në total dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ndërkohë i vetmi shërbim i ofruar për eventin nga kjo shoqëri tregtare, informon SPAK, ishte organizimi i darkës, në një vlerë prej 4.1 milionë lekë të reja në restorant Gzona, pronar defakto i të cilit ishte Ilir Beqaj.
SPAK SQARON RRETHANAT E FAKTIT
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:
1. Personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtulaj, i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 germa “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BEsë për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjetikes”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkurruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, te ftesat që u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.
Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:
Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazment Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv, personin nën hetim, Alfred Nikollaj. I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi, nga kjo shoqëri tregtare, është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “Gzona” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.
Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulëta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim Elton Marini dhe personin nën hetim Bjona Zijaj për qëllime të përfitimit material;
Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “Gzona”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj.
Së katërti: Në rastet kur projektet e monitoruara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt. Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “Gzona. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim Ilir Beqaj e Ermal Kurtulaj me restorantin “Gzona”.
PERSONI NËN HETIM, ILIR BEQAJ
2. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “Gzona” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un. Personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim Ermal Kurtulaj, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Personi nën hetim Ilir Beqaj ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB… DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim, Ermal Kurtulaj. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi.
AKUZAT SIPAS GJYKATËS
Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të tjerë nën hetim, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim. Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj. Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al