Përplasja e fortë në Moskë/ Si e krahasoi Nikita Hrushovi, Ramiz Alinë me pantallonat e Enver Hoxhës

Feb 15, 2022 | 11:21
SHPËRNDAJE

Ramiz Alia-Nikita HrushovGAZETA PANORAMA.al/ Ish-sekretari i Parë i Partisë së Punës dhe njëkohësisht ish-president i vendit, Ramiz Alia gjatë një inteviste televizive të dhënë në vitin 2010 ka rrëfer një përplasje të pazakontë me Nikita Hrushovin, kreun e komunistëve sovjetikë.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Ngjarja zhvillohej në sallën e një takimi të krerëve të shteteve të quajtura të demokracive popullore, i mbajtur në Moskë në mesin e vitit 1961, që do të kishte në qendër të tij ndërtimin e Murit të Berlinit. Sipas rrëfimit të Alisë, Hrushovi ishte acaruar kur kishte parë atë në vendet e rezervuara për Enver Hoxhën, kreun e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe atë të Qeverisë, Mehmet Shehu.

Duke argumentuar se delegacioni shqiptar nuk kishte statusin e duhur, Hrushovi i sulet Ramiz Alisë me fjalë të ashpra, dhe kjo bëhet shkak për mos fillimin e bisedimeve. Madje Hrushovi dhe të tjerët largohen në një ambient tjetër, në pritje që delegacioni shqiptar të dilte fare nga salla. Kjo është historia, porse batuta më e njohur prej saj, e nxjerrë nga goja e Nikita Hrushovit, ka mbetur e panjohur për shqiptarët edhe pse ka qarkulluar në rrethet politike të kohës dhe është stampuar në media të shkruara.

Edhe Alia vetë, gjatë intervistës nuk e përmendi, mbase sepse batuta e Hrushovit në adresë të tij është fyese. Ja se çfarë përshkrimi i bën situatës Mihail Jakovleviç, një prej përkthyesve të Hrushovit. “…në këtë mbledhje ishte ftuar Sekretari i Parë i PPSH-së, Enver Hoxha. Ky, meqë duket u frikësohej kritikave, në vend të tij kishte dërguar në këtë takim zëvendësuesin. Por Hrushovi e hapi mbledhjen me pyetjen për statusin e delegacionit shqiptar.

SI NISI GRINDJA

Hrushovi propozoi që delegacioni të konsiderohej i paautorizuar të vendosë për çështje të ndryshme, sepse ajo ishte një mbledhje e sekretarëve të parë dhe jo një takim miqësor.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Shqipërisë deklaruan se ata kishin fuqinë e duhur dhe autorizim zyrtar të lidershipit të tyre për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që do të ngriheshin në këtë takim. Hrushovi u përgjigj prerë se atë nuk e kënaqte aspak pozicioni i Enver Hoxhës, pasi ai, tekstualisht: “Sot mund të dërgojë zëvendësuesit e tij, nesër ai, mundet, dërgon shoferin e tij, dhe pasnesër do të na varë pantallonat në shpinën e karriges”.

Pas këtyre fjalëve Hikita Hrushovi i sugjeroi delegacionit shqiptar të braktiste sallën e takimit. Por ata e injoruan. Hrushovi lajmëroi pushim, të gjithë u çuan dhe dolën. Mbeti vetëm delegacioni shqiptar.

U fikën dritat, mbërritën pastrueset, por përfaqësuesit e Shqipërisë mbetën në vendet e tyre. Kështu që Hrushovit dhe të tjerëve iu desh që të mblidheshin në një sallë pranë. Gjithsesi në këtë pikë shqiptarët e braktisën mbledhjen”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 LEXO EDHE: “Shqiptarët tentuan t’i merrnin të 12 nëndetëset!”- Zbardhet dokumenti sekret i arkivave sovjetike: Si dështoi plani që baza t’i kalonte Traktatit të Varshavës (Pjesa 2)

 “Zot këtu jam unë, jo ti”- Zbardhet dokumenti i arkivave ruse: Pse e ndërtuam bazën e nëndetëseve në Vlorës, Hrushovi do vendoste raketa! Përplasja me Enver Hoxhën (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura