Përplasja PS-LSI/ “E gatshme për debat televiziv”, Nikolla-Kejdit: Këtu mbaron komunikimi ynë

Jun 5, 2017 | 17:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i ka kthyer nje tjeter pergjigje deputetes se LSI Kejdi Mehmetaj, ne lidhje me debatin per reformat ne arsim. Teksa ne nje replike te meparshme, Mehmetaj tha se eshte e gatshme te perballet me Nikollen ne debat televiziv. (këtu mund te lexoni replikat e Kejdi Mehmetajt)

Statusi i Nikolles:

Kejdi, mesa duket nuk e kisha kuptuar se ke hyrë shumë thellë në rrugën e gënjeshtrave. Ti je shumë larg të qenit e edukuar në raport me të vërtetën!
Më vjen sinqerisht keq që paskam gabuar në vlerësimin tim në lidhje me ty. Gabimet e tua i kam menduar si mungesë përvoje dhe formimi, kur në fakt janë mungesë respekti për të vërtetën.
Unë e dashur Kejdi, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës, e kam përfunduar në vitin 1989. Që nga koha kur jam bërë pjesë e politikës, mund të kem bërë gabime sa të duash, por kurrë nuk kam gënjyer. Çdokush bën zgjedhjet e veta: ti me gënjeshtrat si shans për të gjithë, unë me të vërtetat si sjellje me të gjithë. Këtu mbaron edhe komunikimi ynë publik. Le të presim 25 qershorin për të tjerat.

“Dështimet në arsim”/ Nikolla përplaset me deputeten e LSI dhe ironizon: Ku ishe ti moj vajzë, në Jalë?

Ish-ministrja e Arsimit dhe e Sportit, e zëvendësuar tashmë nga një minstër teknik i propozuar nga PD, ka reaguar pas deklaratave të deputetes së LSI Kejdi Mehmetajt, e cila fliste për dështime në arsim.

Ajo i rendit disa pyetje Kejdit teksa ndër të tjera shkruan: “Ti je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës”.

1440585759lindita-nikolla

Statusi i plotë i Lindita Nikollës:

Më dërguan sot një status të Kejdit, ku akuzon për dështime në arsim këto katër vjet. Habitem që kandidatë të LSI sillen si opozitarë. S’ka përligjie më të mirë se ky status, për kërkesën tonë që, PS duhet të drejtojë e vetme timonin e reformave në të katër vitet e ardhshme. Ky status është vërtetimi që, forcat e tjera në koalicion, njërën dorë e mbajnë në timonin e qeverisë dhe tjetrën e përdorin për të goditur forcën kryesore që nxit reformat në vend.

Disa pyetje për Kejdin si deputete e LSI:

– Ku ishe ti moj vajzë, kur u mbyllën 22 universitet private, piramida të ngritura edhe kur forca jote politike bashkëdrejtonte Ministrinë e Arsimit?

– A ke diçka për të thënë për bashkëpërgjegjësinë tuaj në hapjen e universiteteve private piramidale si kërpudha deri në 2013-ën?

– Si i ka patur marëdhëniet forca juaj me universitetet e mirënjohur për shitje diplomash?

– Ku ishe ti Kejdi dhe deputetët e tjerë të forcës tënde, kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e gjelbër të reformës? Nuk erdhi askush, megjithëse jeni ftuar rregullisht.

– Ku ishit kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e dytë të reformës? Prapë askush.

– Po kur ftuam të gjithë komisionin e arsimit për të diskutuar me detaje draft ligjin me komisionin e reformës ? Sërish në Jalë?

– Sa kohë qëndrove kur u debatua ligji në Komisionin Parlamentar, për tri ditë rresht, nga 16 orë në ditë? Sa sugjerimë për përmirësime bëre?

– Pse munguat edhe në debatin maratonë publik të komisionit, në lidhje me vërejtjet e ardhura nga universitetet ?

E dashur Kejdi,

Ti je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës.

Dy fjalë për reformën dhe ligjin, që me shumë gjasa ende nuk e ke lexuar, megjithëse e ke votuar vetë. Nuk ke dëgjuar edhe se çfarë ekspertët dhe përfaqësuesit e KE thonë për atë që ti e quan “katrahurë”. Informohu paraprakisht edhe për aktet nënligjore.

Ligji forcon universitet publike, iu jep autonominë për të cilën kanë patur nevojë, iu jep mundësinë të zgjedhin vetë si dhe sa të zhvillohen. Dhe kjo ka dhënë rezultatin e saj.

Vitin që shkoi u regjistruan në universitet publike 5 % më shumë studentë dhe në universitetet private 27% më pak se përpara reformës. Ku e mbështet tërë atë batare balte moj vajzë?

Ligji i jep mundësi më të mirëve të zgjedhin degët që duan dhe kjo ka dhënë rezultat. Vitin që shkoi, u përmirësua ndjeshëm cilësia e studentëve në 56% të programeve të studimit në universitetet publike.

Ligji u mundëson universiteve publike të hartojnë buxhetet e tyre dhe të përdorin në mënyrë efiçente financat dhe kjo ka funksionuar. Buxhetet e univesiteteve këtë vit, janë më të mëdha, megjithëse nuk janë rritur me asnjë qindarkë tarifat.

Ligji vendos kontroll të rreptë mbi cilësinë e universiteteve publike dhe private, ndaj me agjensinë britanike të akreditimi po vijohet për kontrollin dhe akreditimin e universiteteve.

Është bërë shumë dhe ka ende edhe më shumë për të bërë. Por siç duket qartë, kemi shumë për humbur, nëse kthehen ata që e sollën arsimin në gjendjen që e gjetëm.

Dhe në fund një këshillë Kejdi:

Mos e bëj gabimin që bëre një vit më parë, duke shkaktuar panik tek maturantët. A ke menduar një çast se sa keq ke ndikuar tek ata me daljet e tua vend e pa vend? Të njëjtën gjë po tenton të bësh edhe këtë vit me statusin tënd.

Nuk meritohen votat kështu!

Ndaj të pres të dalësh e të bësh thirrje që të ndëshkohet kushdo që mashtron maturantët, duke iu ofruar tezën imagjinare në këmbim të kartës së identitetit dhe të eurove për kartën e prindërve.

Bashkohu dhe ti me mua për ta denoncuar këtë mashtrim! E para, nuk ka asnjë shans, për askënd, që teza e sekretuar e maturës shtetërore, me disa nivele sigurie, të dalë. E dyta, ky është trefish krim: njerëzor, shoqëror dhe elektoral.

E treta, gënjeshtra nuk mund të jetë kurrë një shans për të gjithë.

Statusi i Kejdit

Më habiti sërish kryeministri ynë!

Në vend t’u kërkojë falje atyre qindra maturantëve të cilëve u shkatërroi ëndrrat, me arrogancë flet për një reformë e cila ka qenë e dështuar që në krye të herës. Aq e dështuar sa ende nuk kanë dalë aktet nënligjore, sepse nuk ka juristë që mund ta zbërthejë atë katrahurë që ngatërruan me një qëllim të vetëm: si e si të çonin sa më shumë maturantë nëpër universitete private. Nëse ka një epitet që mund ti vendosim reformës për arsimin e lartë ajo është: Reforma e Klientelizmit.

Nuk po i them të gjithë dështimet në arsim këto katër vite duke filluar nga ulja e buxhetit për arsimin, presionet ndaj mësuesve me të famshmin dhe të paligjshmin portal, skandalin e tenderit për pullat e librave, apo milionat që kanë hyrë në Shqipëri për shkollat profesionale dhe që një zot e di në xhepat e kujt kanë përfunduar.

Qëndrimet e LSI mbi arsimin i di tashmë e gjithë Shqipëria, por ajo që nuk dinë është lutjet e kryeministrit dhe ministres së arsimit për t’i mbështetur me premtimin që do i rregullonin të gjitha, pasi e kuptonin që kishin gabuar.

Vendimi i fundit që ka firmosur si ministre znj.Nikolla ka qenë ai për të ruajtur po njësoj dhe me të njejtin dështim sistemin e pranimeve në universitete, duke favorizuar sërish dhe me bindje universitetet private.

Pse nuk flet kryeministri për këtë?

Megjithatë shqiptarët janë të qetë sepse zgjidhjen do e japin në 25 qershor me votën e tyre për LSI. Me LSI forcë të parë Shqipëria do të ketë drejtim të ri në qeverisje, me njerëz serioz dhe të përkushtuar që do të punojnë për ti kthyer dinjitetin arsimit në Shqipëri.

LSI e vazhdon punën e saj e sigurtë, sepse LSI mbështetet nga rinia dhe jo oligarkia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura