“Perspektiva e qartë evropiane e rajonit, garanci për sigurinë”- Presidenti takohet me Borrell, Bajram Begaj: Dialogu Prishtinë-Beograd, rruga e vetme për të ulur tensionet

Sep 19, 2023 | 21:46
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e lartë të BE, Josep Borrell në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

begaj borrell

Presidenti i Republikës e falenderoi Borrel për mbështetjen dhe vëmendjen që ai ka treguar gjithmonë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe proceseve integruese te tij dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në njoftimin e presidencës thuhet se Kreu i Shtetit, Begaj shprehu vlerësimin për përkushtimin e Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionit, për të mbajtur në fokus integrimin e rajonit, pavarësisht debateve dhe diskutimeve brenda BE-së.  Në këtë kontekst ai theksoi se një perspektive e qartë evropiane e rajonit, është garanci për sigurinë dhe të ardhmen e tij.

Presidenti Begaj u shpreh shpresëplotë për pasjen sa më shpejt, të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme.

Në takim, Presidenti i Republikës dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së diskutuan edhe mbi situatën në Kosovë duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe të mbështetur nga SHBA, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu është gjithashtu rruga e domosdoshme për integrimin e Kosovës në BE. Bashkëbiseduesit vlerësuan me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura