PESHËNGRITJE/ “Calja dhe Qerimaj, të sigurt në podium të Botërorit”, Shqipëria zbarkon në Uzbekistan, Gjoza: Garantojmë medalje!

Dec 7, 2021 | 11:48
SHPËRNDAJE

Shqipëria e peshëngritjes shkon me objektiva madhorë në Kampionatin Botëror 2021, që do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit më datat 7-17 dhjetor.

ELEZ GJOZA 1

Shtanga kuqezi kërkon edhe një herë të konfirmohet si sporti më i suksesshëm i vendit, ndërsa në këtë aktivitet do të përfaqësohet me 5 sportistë. Evangjelia Veli, në kategorinë 55 kg, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj në kategorinë 73 kg dhe Daniel Godelli e Krenar Shoraj në kategorinë 89 kg.

Ekipi kombëtar dje është nisur drejt shtetit lindor, ndërsa në prag të Botërorit, në një prononcim për “Panorama Sport” presidenti Elez Gjoza ka folur për gjendjen e skuadrës si dhe objektivat. Gjoza, gjithashtu ka komentuar edhe vitin 2021, duke e konsideruar si më të suksesshmin.

FORMA E KUQEZINJVE – Gjoza fillimisht tregon si vjen Shqipëria në këtë Botëror, teksa zbulon gjendjen e skuadrës: “Ekipi gëzon një formë shumë të mirë sportive. Vijmë pas një faze përgatitore prej 45 ditësh, të realizuar me fondet e federatës. Ndërkohë, gjej momentin të falënderoj edhe ministren e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushin, e cila e ka ndihmuar financiarisht federatën për një përfaqësim sa më dinjitoz në këtë Botëror.

I kemi kushtuar shumë vëmendje grumbullimit dhe pasurimit të sportistëve më vitamina. Tashmë sponsorizimi për vitamina për kombëtaren ka qenë totalisht nga ana e federatës. Përveç përgatitjes, stërvitjes apo vitaminave, si asnjëherë më parë federata ka mundësuar edhe dy fizioterapistë për këtë event, të cilët do të shoqërojnë Kombëtaren.

Pra, Shqipëria do të jetë me staf të plotë në Uzbekistan. Përveç trajnerit të kombëtares, Artur Lagja, kemi marrë gjithashtu edhe trajnerët personalë të çdo sportisti. Duam të realizojmë diçka shumë të madhe në këtë botëror”, shprehet kreu i shtangës.

OBJEKTIVAT – Drejtuesi më i lartë i peshëngritjes më pas ndalet tek objektivat, teksa është bindur se Kombëtarja do të jetë në zonën e medaljeve me Caljen dhe Qerimajn. “Me këta dy sportistë synojmë se do të arrijmë zonën e medaljeve. Atë që nuk e realizuam dot për 1 kg në Olimpiadë për të marrë një medalje aq të dëshiruar, do ta bëjmë realitet në Botëror. Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, duke iu referuar rezultateve në garat e kontrollit, do të jenë pa diskutim në podium.

Kemi korrigjuar disa gabime nga olimpiada, edhe pse në atë event në mënyrë absolute ishim qershia mbi tortë e delegacionit shqiptar. Duke riparuar disa gabime të vogla, si Brikeni ashtu edhe Erkandi do të marrin jo një, por dy apo tri medalje”, shprehet Gjoza, i cili më tej flet edhe për Evangjelia Velin:

“Gëzon një formë të shkëlqyer, gjë që na bën shumë optimistë, ku presin pa diskutim që të futet mes 4-5 më të mirave të botës”. Me pas, Gjoza ndalet te Godelli dhe Shoraj: “Gjithashtu do të kemi edhe dy sportistë të tjerë në peshën 89 kg, siç janë Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj, nga të cilët synojmë që të jenë pjesë e 10-të më të mirëve të kampionatit. Këto pretendime dhe synime i themi me bindje të plotë, duke iu referuar rezultateve të arritura në fazën përgatitore”, shprehet kreu i FSHP-së.

VITI 2021 – Në fund, Elez Gjoza thekson se viti 2021 ishte i artë për shtangën shqiptare: “Ka qenë shumë i suksesshëm për FSHP-në, duke nisur që nga Europiani, ku morëm tri medalje me Briken Caljen dhe një me Evangjelia Velin. Më pas, në Olimpiadë për vetëm 1 kg, Calja nuk mori medalje dhe nuk theu rekordin olimpik, por që gjithsesi ishte rezultat historik.

Më tej, në turneun e Bosnje-Hercegovinës patën një shkëlqim nga brezi i ri i shtangës, duke marrë 9 medalje ari dhe 2 argjendi. Pra, ka qenë një vit shumë i mirë dhe premtues.

Por, kërkesat tona janë shumë të mëdha edhe për vitin e ardhshëm, ku na presin evente tepër të rëndësishme, duke nisur që nga Lojërat Mesdhetare dhe përgatitjet për kualifikim për në Olimpiadë, ku synojmë të shkojmë me 5 sportistë në ‘Paris 2024’”, përfundoi Gjoza.

kalendari i peshengritjes

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura