Petro Marko, shkrimtari europian i “brezit të humbur”, në ferr-parajsën shqiptare

Dec 17, 2019 | 10:28
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA behargjoka

Në historinë e letërsisë shqipe të harkut të bashkëkohësisë, krijimtaria e Petro Markos, endur përplot larmi tekstesh, dëshmi e lëvrimit të shumë zhanreve letrare, do të mbetet shenjë unike për praninë e këtyre elementeve: Shkrimtar që përkon me ngjyrat e “brezit të humbur”, lëvrues i poetikës së ajsbergut e shpalohet në disa tekste romanore, mjeshtër i zhanrit të romanit. Shumëçka është thënë në lidhje me jetën me plot peripeci të P. Markos, por ende ka hapësirë për ta vendosur në këndin e mjeshtrit të fjalës dhe të romanit. Në lidhje me konceptin “brez i humbur”, në enciklopedinë angleze theksohet: “Gjenerata e humbur, një grup shkrimtarësh amerikanë, që u bënë të njohur gjatë Luftës së Parë Botërore dhe e forcuan pozicionin e tyre në literaturë në vitin 1920”. Po aty paraqiten përfaqësuesit e këtij grupimi: Ky term përfshin Ernest Heminguej, F. Scott Fitzgerald, John Dos Pasos, E. E. Cummings, Archibald MacLeish, Hart Crane dhe shumë autorë të tjerë, që e bënë Parisin qendrën e aktiviteteve të tyre letrare në 1920. (Lost Generation/AMERICAN LITERATURE/ËRITTEN BY: The Editors of Encyclopaedia Britannica/ See Article History).petro-marko-780x439

Luftëtar i Spanjës, nga të paktët që pati letërkëmbim me Heminguejin, mjeshtrin e poetikës së ajsbergut, pjesëmarrës në Luftën II Botërore, shkrimtari provon edhe burgun fashist dhe komunist. Në jetën e tij me travëlime, Petro Marko mbërriti kulme dhe rënie, gjithë herët mbeti dashnor i lirisë dhe letërsisë. Natyra dhe fati jetësor më tepër e krodhi në detin e humbjeve e prandaj ngjan me fatin e Heminguejit, krahas autorëve të tjerë, që teoria e përcakton si “brez i humbur”. Jeta dhe vepra e Petro Markos, si shenjëzim i atmosferës së këtij brezi, përçon gjurmë të njëmendta:

Së pari: Jetësore, dëshmuar në burime, si parashtrime autobiografike dhe në burimet dokumentare, si luftëtar në Spanjë dhe në Luftën e Dytë Botërore.

Së dyti: Si autor i veçantë, ku shpërfaqet me dimensionet e veta në letërsinë bashkëkohore, që ka lëvruar të gjithë zhanret, ndonëse ka dëshmuar shkëlqim në ligjërimin e romanit. Prania e këtyre gjurmëve nuk e shpëtuan nga zhgënjimi dhe humbja e dyfishtë: Marko humbi në jetë, me gjithë mënyrat se si mundet të shkatërrohet njeriu, humbi në letërsi, sepse u la në skaj të shënjimeve artistike.

Megjithatë, humbjet në letërsi mbeten të përkohshme, madje janë shkas për ta rimarrë në analizë si dukuri letrare, e cila ngërthen praninë e kundërtive, si shkrimtar ku botëkuptimi dhe shenjat letrare gati përjashtohen ndërmjetshëm. Një internacionalist, që pati një formim dhe la dëshmi letrare të një natyre humane, sepse besonte në liri dhe barazi përtej natyrës së “komunizmit” shqiptar, që e ndëshkoi në jetë dhe letërsi. Po kaq, është shkrimtar europian, po aq sa shqiptar, prej një rrethane që Perëndimin, Spanjën, Italinë, Francën etj., i preku në rini dhe atmosfera shkrimore përçon universalitetin që bartin tekstet e letërsisë së përbotshme. Petro Marko, vepra e shumëfishtë letrare, për shkak të kulmeve dhe ndalimeve, përkon në nivel të barabitur, një autor shqiptar, që u end në ferrin dhe parajsën dhe një model shkrimtari tipikisht i “brezit të humbur”, pra një shkrimtar europian. Duke përkuar në jetë dhe në veprën letrare edhe me “brezin e humbur”, me të cilin shëmbëllen. Nga ana tjetër, prania e poetikës së ajsbergut në veprën e shkrimtarit është thembra e Akilit e shenjave letrare, veçmas të prozës romanore, njëherazi është nyja gordiane e fillesave dhe konsolidimit të modernitetit në romanin shqiptar. Përqasja e ndërmjetme me shkrimtarët që e lëvruan në letërsinë botërore, me domosdo duhet hedhur dritë teorikisht dhe në praktikën e shkrimit, se çfarë përfaqëson poetika e ajsbergut. Kjo vatër komplekse do të kërkonte shqyrtime të përimtësuar në të dyja planet, në praktikën shkrimore të autorëve të huaj dhe të shkrimtarit tonë. Prandaj, për të prekur këtë tipologji, po sjellim idenë e Heminguejit, ku përmblidhet teoria e ajsbergut: Dinjiteti i vërtetë i lëvizjes së një ajsbergu qëndron te fakti që ai nxjerr në pah vetëm 1/8 e tij mbi ujë. Nga ana tjetër, kritiku Jackson Benson shprehet: Teoria e tij e ajsbergut, në kombinim me qartësinë e të shkruarit, e bënte Heminguejin ta distanconte veten nga karakteret që ai krijonte. Atëherë vjen radha e krahasimit të romaneve të Markos me poetikën e ajsbergut. Lidhja me poetikën e brezit të humbur në fillim shfaqet si hije modelimi për veprën e Heminguejit, çka vjen e plotë në faqet e romanit “Hasta la Vista”, ku pikëpërkimet me romanin “Lamtumirë armë” janë më të dukshme:

– Formale, një situatë e njëjtë që përcillet me përmbysje kuptimore, “Lamtumirë armë” e Heminguejit dhe romanit
“Hasta la Vista” të Markos.
– Paraqitja e luftës, zymtësisë dhe dëshpërimit që e theksojnë ngjashmërinë.
– Me praninë e humanitetit tronditës, që me skenat e dashurisë, sadopak e ka zbehur dhe mërguar tmerrin e luftës.
– Dy protagonistët e romaneve të Heminguejit dhe Markos, sipas hapësirës së teksteve, bien në dashuri me infermieret, heroinat në frontin të luftës.

Tekstet e Markos me temën e luftës, si përballëvënie e tmerrit të luftës me dashurinë e madhe, si në tekstin “Qyteti i fundit”, ku lidhja erotike me prostitutën të ndërmend situatën e romanit “Harku i Triumfit”, shkruar nga Remarku. “Një emër në katër rrugë”, kthyer në karton pas botimit, sendërton një qasje të shkrimit të epopesë për kohën e luftës, pa e humbur marrëdhënien me poetikën e ajsbergut, ka mundësuar shqiptimin estetik të fatit të qenies në atmosferën e luftës. “Nata e Ustikës” (botuar i cunguar), për ritmikën e rrëfimit, frazën që bartin shenjat e poezisë, prozës dhe dramatikës paraqet një tekst të njëmendtë, ku poetika e ajsbergut shpalohet në gjithë kuptimet dhe përmasat, formësimin dhe strukturimin e vet. Poetika e ajsbergut, ku duket vetëm 1/8 pjesë e realitetit dhe pjesa tjetër është lënë në një terr të ndritshëm artistikisht, gjen hapësirë në disa romanet e tij, ku madje pikëpërkimet me romanin “Lamtumirë armë” të Heminguejit, me pikëtakime me romanin “Hasta la vista”, të tekstit tjetër “Qyteti i fundit”, me nuanca ligjërimore me romanin “Harku i triumfit të Remarkut”, përbëjnë një piketë të shqyrtimeve krahasimtare në mes teksteve të këtyre shkrimtarëve. Trashëgimia shkrimore, ku spikatet shkrimtari që lëvron gjithë zhanret dhe publicistikën, aty ku poeti dhe prozatori takohen dhe ndahen, të jep dorë për ta veçuar si lëvrues të romanit. Rileximi i teksteve “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë”, “Nata e Ustikës” shënjojnë fondin e vlerave letrare të realizuara prej Petro Markos. Letërsia shqipe në bashkëkohësi hyri në binarët e pjekurisë letrare, gjë që theksohet si një ndryshim nga zhanret e mëparshme nga Gjergj Lukash: …ndërsa epopeja është zhdukur dhe është dashur të tretet në një formë plotësisht të re në roman. (1983: 36), në librin “Teoria e romanit”. Prania e humanitetit si ndjesi e rrokshme në secilin prej teksteve, që i kapërcen muret ideologjike të secilës ngjyresë, e përveçon nga letërsia bashkëkohore, që rrëshqiti në përllomjen e realizmit socialist, sepse vizioni i autorit ka vënë në qendër njeriun, si një univers që kërkon lirinë dhe nuk resht së luftuari për ta mbrojtur lirinë. Nga ana tjetër, format e gjetura të shtjellimit subjektor, strukturimi kompozicional, narrativa dinamike, e cila bashkëshoqërohet nga replikat e ndezura të personazheve, si dhe përkujdesja ndaj leksikut, rrafshet e pranishme ligjërimore e mbi të gjitha mishërimi i poetikës së ajsbergut në hapësirën e teksteve romanore, e vendosin prozëshkrimin e Petro Markos në binarët e lëvrimit modern. Nëse romani “Pse” i Sterjo Spasses hodhi themelet e romanit modern në letrat shqipe, tekstet e romaneve të Petro Markos e konsoliduan këtë rrjedhë të ligjërimit të prozës, duke krijuar kështu përvojën dhe modelin e lëvrimit modern të romanit në letrat shqipe, që shpërfaqet e plotë në disa nga romanet e Ismail Kadaresë e ndonjë tjetri. Nëse romani është tregues i pjekurisë së një letërsie, romanet e Petro Markos janë zbulesa e ritmit dinamik të letërsisë shqipe, që ende vijon ta ketë romanin si kryezhanër. Gjurmët e shenjave të “brezit të humbur” dhe nuancave të poetikës së ajsbergut zgjojnë interes për ta thelluar hulumtimin në aksin e afrive të Petro Markos me përfaqësuesit e “brezit të humbur”. Megjithatë, leximi nëpërmjet estetikave të çfarëdoshme qofshin, nuk ia arrin me rrok “gjendjen letrare”, një term i Italo Calvinos, në hapësirat tekstologjike, sepse vepra letrare e Petro Markos ka endur dhe sugjeron një poetikë autoriale, që i shpërfill kodet e ngurta estetike. Madje, krijimtaria letrare e Petro Markos shpesh më fanitet edhe si “barka e Noes”, si një metaforë shpëtimtare për letrat shqipe, që bart tharmin e poezisë, dramës dhe publicistikës e sidomos të prozëshkrimit që spikatet në disa romane, la gjurmë të thella, për ta shmangur letërsinë bashkëkohore nga shërbesa ndaj realizmit socialist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura