PJESA E KATERT/ Liri Belishova: Nexhmija, e pamëshirshme me Fiqirete Shehun

Jan 16, 2015 | 22:16
SHPËRNDAJE

Liri Belishova

Në aktivitetet për 70-vjetorin e Çlirimit, disa herë portretet e Enver Hoxhës u lartësuan, së bashku me dëshmorët të Luftës Antifashiste për çlirimin e Shqipërisë. Ishudhëheqësi komunist që nga bota njihet si “diktatori”, në Tiranë dhe disa qytete në Shqipëri u brohorit dhe u quajt “heroi”. Po si ndihen ata që u janë vrarë familjarët në komunizëm, janë dënuar politikisht apo janë internuar në mizerje, teksa shohin portretin e Enver Hoxhës të ngrihet lart? Njëra prej tyre që mund të tregojë këtë ndjesi është Liri Belishova, 89-vjeçarja që qesh me pahir nga revolta që e ka kapur prej këtyre tubimeve “me Enver”. “Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, e hidhëruar them me vete: Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”, thotë 89-vjeçarja, e cila adoleshente në luftë humbi syrin, ndërsa pas lufte humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë Nako Spiron e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të LANÇ-it, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960 si “armike e partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991. Për të gjitha këto, Liri Belishova flet ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, në disa numra radhazi. Janë dashur disa javë për të marrë këtë dëshmi të gjatë të ish-partizanes së LANÇ-it, për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore. Duke i uruar të bëhet më mirë, vijojmë rrëfimin…
ELISABETA ILNICA

 Pse fitorja aq e madhe e LANÇ, degjeneroi më pas në diktaturë?
Nëse bëhet pyetja përse fitorja e kësaj lufte me kaq sakrifica të mëdha që bëri populli, krahina të tëra të djegura, pushkatime të fshatarëve, të partizanëve të vrarë etj. dha si rezultat një fitore të hidhur, apo diktaturën siç thoni ju me të drejtë, përgjigjja është vetëm një: 8 nëntori, Partia Komuniste që e udhëhoqi këtë luftë, që e organizoi këtë luftë, që e bën edhe sot e kësaj dite të diskutohet kjo luftë dhe që ato djem dhe vajza të reja që morën malet të quhen kriminelë. Ndërsa ka ca që më dalin me fotografinë e Enver Hoxhës. Po atyre Enver Hoxha ua bëri gjëmën… Ku ka komandant batalioni, brigade, korparmate, divizioni, çetash që nuk u vranë, nuk u burgosën apo nuk u internuan nga Enver Hoxha. Ku?
Meqë dolëm këtu te portreti, si ndiheni kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë ngrihet portreti i Enver Hoxhës?
Të them të drejtën, mbase të duket e çuditshme, por e para gjë që bëj kur shoh portretin e Enver Hoxhës, është që qesh. Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, por ndiej edhe revoltë, hidhërim dhe them me vete: “Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”. Ta marrësh edhe nga logjika komuniste: Mirë, hajde de, derisa sa ishte Stalini i “pashkurorëzuar”, ky njeri duke qenë komunist veproi sipas stalinizmit. Megjithëse komunistë ishin edhe çekët, ishin edhe polakët, ishin edhe shumë vende të tjera, por nuk janë bërë këto krime kaq të tmerrshme. Por pastaj Stalini u dënua, krimet e Stalinit u bënë publike në të gjithë botën, se raporti sekret i Hrushovit i ra në dorë amerikanëve dhe ata e botuan. Enver Hoxha jo vetëm nuk e dënoi Stalinin si të tjerët, por rrëmbeu flamurin për të mbrojtur stalinizmin dhe e tejkaloi stalinizmin. Absurditeti i tij arriti kulmin, kur ai mendonte se po bëhej udhëheqësi i revolucionit proletar botëror, do të themelonte Internacionalen e katërt. Të parën e themeloi Marksi, të dytën Engelsi me Socialdemokracinë gjermane, të tretën Lenini, ndërsa të katërtën do ta themelonte Enver Hoxha. Marrira! Në vend që të merrej me popullin që jetonte në mizerje, ai e armiqësoi Shqipërinë me gjithë botën.

Deri në 1960, para se të burgoseshit e të nisnin një nga një dramat e tragjeditë tuaja familjare, ju keni qenë anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit. Pas çlirimit e deri në këtë vit (pra 1960) kanë ndodhur disa pushkatime nga PKSH-ja, p.sh. Bahri Omari, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu etj. A ishin të drejta këto eliminime? A ndiheni edhe ju përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e deri në 1960-n?
Po të them këtë gjë. Edhe kur kam qenë e dënuar, edhe u kritikua Stalini dhe u dënuan krimet e tij, kam menduar se burgosjet, internimet, vrasjet pas çlirimit, pra ajo pjesa e parë kur janë dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit, ka qenë e drejtë. Duke kaluar vitet, duke u ballafaquar me dokumente, e kam kuptuar sa gabim e kam pasur… P.sh. kam qenë në Holandë. Atje, gjatë bisedës doli që këta pas Luftës së Dytë Botërore kishin pushkatuar vetëm 3-4 veta, shumë pak të burgosur dhe asnjë i internuar, sepse Holanda është shumë e organizuar. I thashë atij që po më fliste: “Po mbase nuk keni pasur shumë bashkëpunëtorë, tradhtarë…?”. Ai qeshi dhe më tha: “Holandezët e quajnë vetën kushërinj të gjermanëve dhe Hitleri e partia naziste kishin zhvilluar aktivitet, propagandë në Holandë dhe kanë pasur përkrahës të shumtë atje”. Atëherë e pyeta: “Si është e mundur, pse kaq pak dënime?!”. M’u përgjigj: “Sepse me dënime nuk zgjidhen gjërat në një shtet, në një shoqëri. Ne kemi dënuar ata që kanë qenë me të vërtetë kriminelë, vrasës. Kemi burgosur ata që ishin të rënduar. Vrit një, burgos një, por pas atij është familja, farefisi, në radhë të parë kush do t’i ushqejë ata?”. Atëherë unë i kam vënë gishtin kokës: “Bobo, po ne ç’kemi bërë?! Ne kemi bërë hatanë…”. Kur kam vajtur në Ballsh duke u interesuar për pronat e babait tim, kam gjetur në regjistrin e hipotekës shumë vendime për shpronësime të një komisioni që paska qenë në Mallakastër dhe besoj ka qenë edhe në krahina të tjera. Aty thuhej: “I shpronësohet familjes së filan fistekut, se ka qenë simpatizant i Ballit Kombëtar”. Kishte edhe që ka qenë me Ballin, por mendoni ndëshkimi kishte shkuar deri edhe tek ata që supozoheshin si simpatizantë. Dhe u ishin sekuestruar 5 kokë dhi, dhjetë dhen, deri te rrogozat, kusitë, tepsitë, jorganët. Atëherë me gjithë mend jam tronditur që si t’ju them, përfytyrojeni vetë se deri ku ka vajtur thika… Ato procesverbale ishin shumica të “firmosura” me gisht dhe disa të tjerë me shkarravina, se dihet që në ato analfabetizmi ishte në kulm. Pa lëre pastaj kur është vjedhur floriri, që kushedi sa vjedhje janë bërë….

Si ish-partizane e LANÇ-it, a mund të thuash se Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste?
Duhet bërë dallim mes Luftës Antifashiste të popullit shqiptar dhe Luftën Nacionalçlirimtare që u udhëhoq nga PKSH-ja. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar nuk duhet zhvlerësuar. Populli shqiptar, i vogël në një vend të vogël, nuk mund të lozte një rol të madh, por e kreu detyrën e tij. Tani, a u çlirua me forcat e veta Shqipëria? Mendoj se kjo gjë nuk duhet theksuar kaq shumë. Se lufta e popullit shqiptar ishte pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Po të mos fitonin këto forca kundër Gjermanisë naziste, Italisë fashiste, Japonisë militariste, a mund të mendohej çlirimi i Shqipërisë? Nëse nuk do të kishte ardhur ai urdhri i famshëm nga Komanda Gjermane për “Armatën E” (armata gjermane e Ballkanit) se duhet të tërhiqeni, do të fitonin me kaq sukses forcat partizane? Duhet të thuhen këto gjëra siç janë. Ndërsa anglezët nuk qe nevoja të vinin, por deshën vetë të vinin për të ndihmuar popullin shqiptar, sidomos në minimin e urave dhe sabotazhet. Ndërsa Enver Hoxha u vuri pushkën, e ka thënë edhe vetë. Po ashtu edhe amerikanët…

Po ndihma e sovjetëve dhe jugosllavëve, në ç’nivele ka qenë?
Në të vërtetë luftën në Shqipëri vetëm britanikët e kanë ndihmuar. E kufizuar ka qenë ndihma, por ama ishte e vetmja ndihmë. Nga anglezët pati disa që dhanë jetën duke luftuar në Shqipëri. Për shembull ka qenë një kolonel me gjeneralin Devis. Enver Hoxha tregoi paturpësi, sepse këtë gjeneral ai e la pa mbrojtje në malet e Martaneshit, ndërsa duhet ta kishte siguruar me rojë. Enver Hoxha humbi një rast të jashtëzakonshëm me gjeneralin Devis, duhet ta kishte ruajtur si ujët e pakët, se më pas ai do t’i siguronte ndihma të mëdha. Ndërsa sovjetikët dërguan një major, të shoqëruar me një radist, në gusht të vitit 1944, kur lufta kishte angazhuar tërë Shqipërinë. Vetëm kaq!

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cilësoi si “monstra” ata që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit iu kundërpërgjigj duke e quajtur “prepotenca e përfaqësuesit t? nj? superfuqie”… Si do ta komentonit këtë?
Unë e kam lënë fëmijë atë dhe kisha shpresë që ai Sokoli do të dilte pak më ndryshe, se dukej më i kuptueshëm, më inteligjent. Ky Iliri më dukej ca i trashë nga truri, mbase e kam gabim… Nuk kam ç’të them tjetër, veçse më vjen shumë keq për ta.

Dua të të pyes për Nexhmije Hoxhën, në çfarë rrethanash e keni njohur dhe si do ta portretizonit atë?
Nexhmijen e kam njohur nga fillimi i luftës. Në shkollë nuk e kam njohur, se ishte katër klasë më e madhe nga unë. Ajo ishte në katin e dytë a të tretë, ndërsa unë në të parin. Pastaj ajo nuk ishte konviktore, ndërsa unë isha konviktore. Por në luftë kur e kam takuar, më ishte dukur një nxënëse e institutit tonë, që ishim aq shumë të lidhura me atë shkollë. Inteligjente, e rregullt, antifashiste e vendosur dhe mendoj se vërtet ashtu ka qenë. Pastaj u transformua krejt…

Mendoni se Enveri e transformoi Nexhmijen apo Nexhmija Enverin?
Nuk diskutohet, Enveri e transformoi Nexhmijen. E përpunoi atë. Mbaj mend vetëm diçka, që më tha Nako Spiro: “Kjo grua ka marrë fund. Për këtë grua tani është gjithçka karriera e të shoqit”. Unë këtë gjë e kisha thënë edhe mes shoqesh. Siç duket, ndonjëra prej tyre që e takonte Nexhmijen, ia ka thënë këtë gjë. Dhe në librin e saj të fundit “Lufta jonë çlirimtare”, Nexhmija shkruan nja gjysmë faqe për mua duke më kritikuar. Thotë: “Unë gjithmonë e kam mbrojtur dhe e kam ndihmuar Enverin. Edhe këtë libër e të tjerët që kam shkruar, i kam shkruar për të mbrojtur Enverin”. Ta kisha e t’i thosha: “Po të paktën, nuk të vjen turp? Cilin Enver ke mbrojtur e ndihmuar ti? Atë që është kriminel, atë që vrau shokët e tij? Atë që nuk la komandant pa vrarë e burgosur? Atë që i kërkoi Titos bashkimin e Shqipërinë? Atë që u ngrit për të mbrojtur Stalinin, atëherë kur tërë bota e dënonte për krimet e tij? Edhe nëse ke një mendje kaq të mbrapshtë dhe një shpirt kaq të keq, nuk të vjen keq për fëmijët, nipërit e tyre që aq shumë kanë vuajtur…”.

A ka pasur ndonjëherë shoqe të ngushtë Nexhmije Hoxha?
Me sa di unë, ato që duhet të konsideroheshin shoqe të saj, të gjitha u dënuan. Duke filluar nga Fiqirete Shehu që kanë qenë në të njëjtin grup komunist, atë të Shkodrës. Di që kanë qenë shumë shoqe që atëherë. U tregua e pamëshirshme me të. Naxhije Dumen e ka pasur shoqe, në një klasë, në një bankë, e dënuar. Drita Kosturi, e dënuar… Mua në vitet e shkollës nuk më ka patur shoqe, por pastaj nuk mund të thuash se nuk ishim, se unë punoja me rininë, pastaj u martova me Nakon, e shumë vite isha sekretare e Propagandës, ndërsa ajo ishte drejtore e Propagandës. Por Nexhmije Hoxha nuk ka pasur shoqe të ngushtë ndonjëherë, edhe pse këto që përmenda më sipër pretendoheshin si të tilla.

Për Enverin thatë që ka vrarë të gjithë shokët e tij që i shihte si rivalë. Vlen kjo gjë edhe për Nexhmijen, i vrau/ dënoi ajo shoqet e saj?
Nuk i ka vrarë Nexhmija në të vërtetë. I ka dënuar dhe i ka vrarë Enveri. Por çështja është kjo: Nexhmije Hoxha çfarë roli ka lozur përpara Enverit? Çfarë qëndrimi ka mbajtur, kur shoqet e saj dënoheshin e vriteshin? Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia me një justifikim infantil. Thotë në librin e saj: “Pasditet, d.m.th. pasdrekat ishin tonat. Por nuk bisedoja për gjërat politike”. Pra rrinte me Enverin, bisedonte, shëtisnin… Po për çfarë bisedonin Nexhmija e Enveri? Për gjellët? Gjellët i bënin kuzhinierët… Për ekonominë shtëpiake që nuk u dilte dhe si t’ia bënin këtë 15-ditësh? (qesh)

Vitet e fundit, Enver Hoxha nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore, ndërkohë që ndodhën eliminimet e mëdha: ushtarakët, inteligjenca e naftës, ajka e ekonomistëve, disa ministra etj. Thuhet se gjatë kësaj periudhe ka qeverisur Nexhmija “de facto”. E besoni këtë?
Jo, nuk e besoj që Nexhmija të ketë qeverisur.

Po që të ketë influencuar…
Jo, nuk ka influencuar që Enver Hoxha të merrte këto vendime. Por një gjë them, Nexhmija nuk qenë fort në rregull me nerva dhe këta tipa kanë maninë e persekutimit. Dhe kjo mund të ketë pasur maninë e drojës, të paranojës. Por ajo që nuk u falet është: Flitet për vrasjet e shokëve dhe shoqeve të tyre, flitet për vuajtjet e fëmijëve të këtyre që u rritën me fëmijët e saj, njeriu sidoqoftë – edhe politikani është njeri, nuk është ujk…

(vijon)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura