DORINA AZO/ Në muajin qershor do të nisë aksioni për kontrollin e makinave që qarkullojnë pa siguracion. Në total rezultojnë 100 mijë makina që qarkullojnë në vend pa siguracion, ndërsa për 6 mijë prej tyre targa i është dërguar Policisë së Shtetit. Kryetari i Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, lajmëroi dje në Komisionin e Ekonomisë nisjen e aksionit të kontrollit në muajin qershor, i koordinuar me Policinë Rrugore, Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe kompanive të sigurimit.
Kryetari i AMF-së tha se janë evidentuar 6 mijë makinat e para që do t’u kalohen targat për kontroll nga Policia Rrugore.
“Numri i mjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i njëjtë dhe numri i mjeteve të paidentifikuara që shkaktojnë dëme, vazhdon të jetë i madh. Edhe ulja e mjeteve të pasiguruara sigurisht që është në fokus të punës sonë të përditshme. Për këtë kemi bërë të vendosim në funksion ato marrëveshje që nuk kanë qenë zbatuar më përpara mes Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Ne kemi zhvilluar një takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të identifikuar 6 mijë mjetet dhe për t’ia kaluar Policisë së Shtetit dhe në muajin qershor kemi plan veprimi të përbashkët për kontrolle midis shoqërisë së sigurimit, Drejtorisë së Policisë dhe Autoritetit”, u shpreh Koçi.
Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tha se nga 535 mijë makina të regjistruara në vend, 431 mijë makina janë të siguruara. “Gjatë 2017 kemi pasur komunikime të vazhdueshme me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit për të marrë të dhëna edhe nga kompania që kolaudon makinat. Që nga muaji shtator 2017, çdo dy javë i nisim informacion Policisë së Shtetit për mjetet e Transportit që nuk kanë sigurimin e detyrueshëm dhe ato mjete që nuk kanë rinovuar kontratën 14 ditë pas përfundimit të tyre. Kjo ka dhënë dhe rezultatet e veta, pasi po të shikojmë në vitin 2017, në qoftë se në Republikën e Shqipërisë numri i mjeteve të regjistruara është 535 mijë, numri i mjeteve që kanë paguar taksën është 447 mijë dhe numri i kontratave TPL-ve është rreth 431 mijë. 19.5 për qind janë mjetet e pasiguruara dhe 3.64 për qind janë mjetet që nuk kanë paguar taksën e qarkullimit”, u shpreh kreu i AMF-së.
Më herët, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i dërgoi Komisionit të Ekonomisë draftin e ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike. Pas miratimit të ligjit të ri, kush nuk do të paguajë siguracionet e makinës, përveç dënimit me gjobë rrezikon edhe sekuestrimin e mjetit. Makina do të sekuestrohet nga Policia Rrugore dhe do t’i kthehet pronarit vetëm pasi të ketë paguar siguracionin e detyrueshëm. Vlera e siguracionit, tashmë do të përcaktohet nëpërmjet sistemit bonusmalus, bazuar mbi historikun e dëmeve të 5 viteve të fundit të drejtuesit të makinës.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al