BLEONA METUSHI/ Dy prokurorë kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi, dhe prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara kërkojnë të jenë pjesë e të ashtuquajturës qeveri e prokurorëve. Afati i fundit deri në përfundim të garës është sot dhe pas kësaj, Prokuroria e Përgjithshme pritet të thërrasë Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve, në mënyrë që të bëhet votimi i kandidatëve.
Gara për zëvendësimin e prokurorit Gentian Osmani, i shkarkuar në Shkallën e Dytë të vetingut, u hap rreth 1 muaj nga shkarkimi i tij, ndërsa pritet që KLPja të plotësohet me 11 anëtarë brenda muajit shtator. Kjo është hera e dytë që Këshilli mbetet me 10 anëtarë nga shkarkimet që vijnë nga vetingu.
Edhe më herët, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi Antoneta Sevdarin, e cila u zëvendësua nga prokurori i Shkodrës, Vete Staka. Plotësimi i KLP-së me 11 anëtarë, para pikëzimit të kandidatëve për kryeprokuror është mjaft i rëndësishëm, në kushtet kur në rastet e një Këshilli me 10 anëtarë, vota e kryetarit është vendimtare duke prishur kështu balancat.
KRITERET
Duke iu referuar ligjit për organet e reja të drejtësisë, parashikohet se kandidatët duhet që në kohën e kandidimit, të kenë ushtruar funksionin e prokurorit për të paktën 10 vjet. Në kohën e kandidimit, nuk duhet të jenë drejtues të një zyre prokurorie ose anëtarë të organeve drejtuese të grupeve të interesit, të tilla si shoqata prokurorësh, sindikata prokurorësh.
Të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale dhe të mos kenë masë disiplinore në fuqi. Një tjetër kriter i parashikuar në ligj është të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete.
Në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
GENT IBRAHIMI: SPAK, EDHE ME MË PAK SE 10 PROKURORË
Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, duke folur dje për gazetarët, tha se ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të bëhet edhe me më pak anëtarë se 10. Në garë për Prokurorinë e Posaçme janë 15 prokurorë, një pjesë e të cilëve ende nuk kanë dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të parë nëse kalojnë kontrollin e trefishtë apo jo. “KLP e ka diskutuar këtë opsion, pra opsionin kur SPAK të ngrihet me një numër të arsyeshëm prokurorësh, qoftë edhe më pak sesa 10, por ky është vetëm një diskutim. Këshilli duhet të marrë një vendim formal në lidhje me këtë çështje. Këshilli mendon se 5 është një numër i pamjaftueshëm prokurorësh. Së shpejti, do të kemi 7, 8, 10, 12 dhe këshilli do të mblidhet për të diskutuar nëse është numri i përshtatshëm për ta nisur SPAK apo jo”, tha Gent Ibrahimi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al