“Unë dëshiroj sinqerisht të vdes dhe ti të jetosh”, i shkruan Dritëroi Sadijes në një dedikim të veçantë të vitit të kaluar, i cili do të jetë pjesë e librit të ri me poezi që do të dalë në vjeshtë. Ishte planifikuar të botohej në 50-vjetorin e martesës që çifti festoi më 4 korrik, por u shty për arsye shëndetësore. Quhet “Më prit dhe pak…”.
Kështu i thotë Dritëroi vdekjes. Libri është i mbushur me vargje për Sadijen dhe për herë të parë, botimi do të jetë ekskluzivitet për të. Përveç emrit të Dritëroit si autor, ajo çfarë do ta dallojë këtë vepër nga të tjerat, ku flitet rëndom për ndjenjat, është fakti se lexuesit do të mësojnë për dashurinë nga ata që kanë vërtet dashuri. I tillë ishte edhe rrëfimi i djeshëm i Sadije Agollit për gazetën “Panorama”.
A ka ndonjë libër të veçantë, poezi apo ndonjë krijim tjetër ku jeni ju aty?
Është një libër i fundit, që ende nuk është botuar, pasi Dritëroi ka qenë sëmurë. Quhet “Më prit dhe pak…”. Kështu i thotë ai vdekjes. Kemi punuar bashkërisht për këtë libër dhe kemi mbledhur të gjitha poezitë e pabotuara të Dritëroit. Këtë libër ma kushton mua. Të gjithë librin. Doja që ta publikonim për 50-vjetorin e martesës, por nuk arritëm dot, për arsye shëndetësore.