Politekniku, 32 milionë euro për Kampusin Universitar

Apr 21, 2011 | 10:21
SHPËRNDAJE

Janë rreth 32 milionë euro që do të financohen nga qeveria për ngritjen e kampusit të Universitetit Politeknik. Projekti ka dy vjet që ka përfunduar dhe pritet vetëm leja e ndërtimit për të nisur nga puna.Nga sa bën dije rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, dokumentacioni përkatës për të kaluar tokën në pronësi të Universitetit është dërguar në të gjitha institucionet përkatëse edhe në hipotekë. “Në kemi përfunduar projektzbatimin, jemi gati të nisim nga puna. Është çelur një fond paraprak nga qeveria për nisjen e punimeve, ndërkohë që kemi marrë mbështetjen edhe për pjesën tjetër të investimit “,tha Kaçani. Kampusi do të shtrihet mes hotel  “Sheraton”-it e Gardës dhe do të ketë një hapësirë rreth 70 mijë metra/katrorë. Sipas Kaçanit, pritet që të dyfishohet Korpusi Qendror. Sipas Kaçanit, ndërtimi i kampusit Universitar të Politeknikut do të shtojë dyfish kapacitetet e këtij universiteti. Në kampusin e parashikohen që të studiojnë rreth 15 mijë studentë. Në godinën e re të kampusit, janë parashikuar të ndërtohen laboratorë jo vetëm për studentët, por edhe për kërkime shkencore. Rektori i Politeknikut thotë se të ardhurat dytësore të vetë Universitetit do të përdoren për ndërtimin e këtij kampusi, por kjo nuk do të thotë se do të ketë një rritje të tarifave të shkollimit të studentëve. Për përfundimin e godinës se re janë parashikuar 3 vjet. Edhe Universiteti Politeknik është një nga universitetet më të mëdha në vend. Infrastruktura në shkollat e larta aktualisht lë për të dëshiruar. Nga të dhënat, rezulton se raporti hapësirë për student është ngushtuar aq shumë, sa është tejet normale që në një bankë të ulen 4 persona e madje, edhe me 3 karrige. Ndoshta ndokujt e gjithë kjo i tingëllon qesharake, por për mijëra studentë që arsimohen në universitetet tona, nuk përbën aspak çudi. Ata e përjetojnë çdo ditë këtë situatë, e madje për 5 vjet me radhë. Sipas standardeve të përcaktuara, hapësira për student duhet të jetë në raportin 1 me 3.5 metra katrorë. Por në universitetet tona nuk bëhet fjalë as për gjysmën e kësaj hapësire.

Kampusi i UT

Punimet për kampusin tjetër që i përket  Universitetit të Tiranës, nisin në fund të vitit. Kampusi do të ngrihet tek fusha e sportit pranë Qytetit Studenti. Qeveria shqiptare ka miratuar financimin prej 23 milionë eurosh për të materializuar projektin që do të ofrojë mjedise studimi për 15 mijë studentë të rinj. Ndërtimi i plotë i këtij kampusi modern me 5 kate pritet të përfundojë brenda tri viteve. Në vitin 2012, do të jenë gati godinat mësimore. Më pas do të materializohet pjesa tjetër e planit urbanistik.

Kampusi i Bashkisë

Tri ditë më parë, Bashkia e Tiranës prezantoi projektin e ndërtimit të një Kampusi Universitar ne Tufinë. Kjo vepër do të ndërtohet në pjesën verilindore te Tiranës, me një akses të sigurt me rrugë, por edhe me shërbimin e transportit publik. Ndërtimi i kampusit, sipas drejtuesve të Bashkisë  do të rrisë prezencën e një komuniteti të ri studentësh, akademikësh, organizatash dhe kompanish të biznesit, në pjesën verilindore të qytetit, duke sjellë kështu një zhvillim të padiskutueshëm për zonën përreth. Akomodimi, ushqimi, kancelaria, argëtimi janë disa nga shërbimet që do të ofrohen.

32 milionë euro
do të financohen nga qeveria për ngritjen e kampusit të Universitetit Politeknik. Projekti ka dy vjet që ka përfunduar dhe pritet vetëm leja e ndërtimit për të nisur nga puna. Qeveria ka premtuar të financojë këtë projekt dhe ka alokuar fondet e para.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura