Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, organizoi sot Konferencën Ndërkombëtare “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe politikat e punësimit në Shqipëri” (Nga asistenca sociale tek punësimi). Në këtë konferencë, morën pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, Drejtoresha e Giz (programi proseed), Katja Rockel, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, Dr. Yehuda Hamovitz, ekspert ndërkombëtar izraelit në menaxhimet strategjike, deputetë, përfaqësues të sipërmarrjes, pedagogë e studentë.
“Janë sipërmarrjet ato që krijojnë vendet e punës nuk është qeveria. Qeveria ka përgjegjësinë e pazëvendësueshme që të mbështesë krijimin e vendeve të punës duke garantuar një mjedis ku jo vetëm ka një mbështetje për sipërmarrjen në aspektin fiskal, gjithë zinxhirit të burokracisë, por ku ka dhe një furnizim të sipërmarrjeve me burime njerëzore cilësore, për të mbushur vendet e lira të punës. Thellimi i reformave është e vetmja rrugë për të arritur këto rezultate”, u shpreh në fjalën e tij Kryeministri Rama.
Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, duke falenderuar të pranishmit, nënvizoi se qëllimi i organizimit të kësaj konference organizuar UMSH ishte dhënia e një kontributi në lidhje me politikat e reja të punësimit në Shqipëri, çka erdhi pas një analize të thellë të situatës aktuale.
“Punësimi mbetet një nga problemet më komplekse ekonomike, politike, sociale dhe ndoshta dhe njerëzorë të zhvillimit të një vendi. Ai kushtezon nivelin e zhvillimit ekonomik, mirëqenien, raportet shoqërore midis shtresave sociale, edukimin dhe sigurinë njerëzore. Në kompleksitetin e vet është elementi bazë i potencialitetit të zhvillimit të qëndrueshëm të një shoqërie dhe garancia e mirëqënies në çdo familje”, u shpreh Prof. Dr, Anastas Angjeli.
Në vijim, konferenca, zhvilloi punimet edhe në 4 sesione të tjera, ku u prezantuan punimet shkencore dhe u referua mbi: Prioritetet e Ekonomisë së Shqipërisë dhe politikat e punësimit, krijimin e politikave dhe institucioneve të tregut të punës, elementët e tregut të punës dhe zhvillimi i tyre, barazinë sociale dhe gjinore në tregun e punës në Shqipëri dhe Edukimin dhe arsimin profesional si faktorë proaktivë për punësimi, politikat e rritjes së punësimit për të rinjtë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al