AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
Në 4 korrik (ditën e Pavar ësisë së SHBA-së)” – theksoi Presidenti BIDEN – “Amerika do të shpallë pavarësinë nga pandemia Covid-19”. Një tejkalim sa më i shpejtë i krizës nga ana e shteteve që janë motor i zhvillimeve ndërkombëtare, si SHBA-ja, do të ishte jo vetëm një shembull i mirë për vendet e tjera, por edhe një mbështetje konkrete për to.
Të gjitha vendet e goditura nga pandemia e Covid-19 dhe kriza ekonomike e sociale, pasojë e saj, tashmë gati prej një viti po marrin në mënyrë të vazhdueshme me masa nga më të ndryshmet për të luftuar këtë pandemi dhe çdo pasojë të saj Një vit, ku në axhendën e gjithë globit, qeverive, liderëve politikë, institucioneve ndërkombëtare, mediave e rrjeteve sociale, analistëve e ekspertëve e deri te çdo qytetar është pandemi. Masa nga më të ndryshme janë marrë dhe po merren.
Kudo flitet e zbatohet karantinë, masa shtrënguese, paketa shpëtimi, biznese të mbyllura, vende pune të humbura dhe çfarë është më e tragjike: jetë njerëzore të humbura. Dhe përfundimi i këtij makthi kolektiv duket se është afër. Lajmi i mirë dhe i shumëpritur vjen nga SHBA-ja, një nga vendet e prekura shumë nga kjo pandemi, por që tashmë është në krye të rezultateve për përballjen e saj.
Kjo sepse edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ky vit që kaloi, që nga fillimi i marsit të 2020-ës, ishte i vështirë për të gjitha arsyet e sipërpërmendura. Të dhënat e deritanishme tregojnë se numri total i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej fillimit të pandemisë është 28,940,137. Numri i jetëve të humbura është 525,495. Deri tani janë kryer 82,572,848 vaksinime. Deri në marrjen e Presidencës nga Presidenti Biden vetëm 8% e të moshuarve kishin marrë vaksinën. Sot janë vaksinuar me të paktën një dozë 60% e moshës mbi 65 vjeç.
Të gjitha problemeve që u shkaktuan nga pandemia, iu shtuan edhe ato që erdhën si pasojë e zgjedhjeve presidenciale, të cilat ishin sa unikale për sa u përket ndasive dhe tensionit social, aq edhe vendimtare për sa u përket këndvështrimeve të ndryshme për shumë çështje, por ç’është më e rëndësishmja për mënyrën se si duhej përballur pandemia e Covid-19 dhe pasojat ekonomike dhe sociale që ajo shkaktoi dhe po shkakton.
Presidenti Joe Biden ditën e djeshme iu drejtua popullit amerikan me një fjalim të mbajtur në përvjetorin e trishtë të fillimit të pandemisë. Ky fjalim u fokusua në pasojat e rënda që pandemia ka lënë në ekonominë, shoqërinë edhe në jetët personale të secilit qytetar amerikan, në masat e mara deri tani, në paketën tjetër mbështetëse si edhe në shpresën për një të ardhme të afërt, ku pandemia do të jetë kufizuar.
Në gjithë fjalimin e tij, Presidenti Biden u shfaq bashkues, iu drejtua të gjithë amerikanëve pavarësisht përkatësive të tyre politike, etnike apo sociale. Shprehu, ashtu siç ka bërë edhe gjatë fushatës elektorale, mbështetjen e tij të plotë ndaj shkencës dhe fjalës së specialistëve të mjekësisë për sa u përket masave për përballjen me pandeminë. “Në 4 korrik” – theksoi Presidenti BIDEN – “Amerika do të shpallë pavarësinë nga pandemia Covid-19”.
Gjithashtu, shprehu bindjen e tij të plotë se e vetmja mënyrë për t’iu kthyer normalitetit është të fitohet me çdo kusht beteja e vështirë me virusin. Iu referua përpjekjeve titanike të bëra nga administrata e tij këto muaj të parë të qeverisjes, si dhe zotimit të tij për të vaksinuar 100 milionë amerikanë në 100 ditët e para (gjë që parashikohet të arrihet në ditën e 60-të), si dhe zotimit të tij se deri në muajin maj do të ketë vaksina të mjaftueshme për të gjithë amerikanët e rritur, (mbi moshën 18 vjeç), kjo falë edhe kontratës së re që do të nënshkruhet me kompaninë “Johnson&Johnson” për 100 milionë doza të tjera të vaksinës. Do të bëhet më e lehtë për qytetarët amerikanë që të vaksinohen pranë vendbanimit të tyre falë masave të marra nga qeveria federale për qendra të reja të vaksinimit. Një masë tjetër shumë e rëndësishme ishte edhe plani për të vaksinuar personelin pedagogjik, si edhe ndihmës, me qëllim hapjen graduale të të gjitha shkollave. Në javët në vazhdim do të ketë më shumë mundësi për qytetarët e vaksinuar t’u kthehen në një farë mënyre aktiviteteve normale sociale dhe ekonomike.
Një pjesë e fjalimit të Presidentit Biden iu dedikua edhe paketës prej 1.9 trilionë dollarësh, e njohur si “Plani i Shpëtimit Amerikan”, paketë e cila përfshin një sërë masash, duke filluar nga përfitimet e papunësisë, fondet e shpërndarjes së vaksinave, subvencionet e kujdesit shëndetësor, ndihmat ndaj bizneseve etj. Kjo paketë është më e madhja që prej marsit të vitit të kaluar dhe konsiderohet si zbatim i filozofisë së Biden për mbështetjen e shtresave sociale në nevojë, si edhe shtresës së mesme, e cila konsiderohet si themeli i shoqërisë amerikane.
PAKETA MBESHTETESE KUNDER PANDEMISE DHE PASOJAVE TE SAJ
Dhoma e Përfaqësuesve ditën e mërkurë votoi për miratimin e kësaj pakete mbështetëse për ekonominë dhe shoqërinë amerikane të goditur nga pandemia, duke ndjekur linjat partiake. Demokratët votuan pro, ndërkohë që republikanët kundër. Projektligji do të firmoset nga Presidenti Biden dhe do të hyjë në fuqi ditën e premte. Kjo paketë prej 1.9 trilionë USD përfshin:
1. Një pagesë prej 1400 dollarësh për qytetarët me të ardhura të ulëta. Përjashtohen këtë herë ata që konsiderohen me të ardhura të larta dhe përfshihen në skemë edhe fëmijët. Madhësia e pagesave zvogëlohet për individët që fitojnë më shumë se 75,000 dollarë në vit dhe çiftet e martuar që fitojnë më shumë se 150,000 dollarë. Dhe ato priten për individë që fitojnë 80,000 dollarë ose më shumë dhe çiftet që fitojnë më shumë se 160,000 dollarë. Këto kufij janë më të ulët se në paketat e mëparshme të lehtësimit, për të siguruar që ndihma të shkojë tek ata qytetarë që kanë më shumë nevojë për të.
2. Pagesën e papunësisë prej 300 dollarësh në javë.
3. Rikthim të taksave për fëmijët për vitin 2021. Paketa e ndihmave, e njohur si “Plani Amerikan i Shpëtimit”, përfshin disa ndryshime të rëndësishme në politikën ekzistuese të taksave, për të ndihmuar familjet me fëmijë, të cilat kanë pasur vështirësi në periudhën e pandemisë. Ndryshimi më domethënës është kredia për taksën e fëmijës, e cila do të rritet deri në 3,600 dollarë (për fëmijët nën 6 vjeç) për 2021. Kredia, e cila është e rikthyeshme për qytetarët me fatura të ulëta tatimore, është 3,000 dollarë për fëmijë, për fëmijët e moshës 6 deri në 17 vjeç.
4. Sigurim shëndetësor më të lirë. Nëpërmjet kësaj pakete rriten subvencionet federale për blerjen e paketave të sigurimit shëndetësor, gjë që nënkupton paketa më të lira për qytetarët me të ardhura të ulëta.
5. Mbështetje thelbësore për skemat e pensioneve që përballen me vështirësi të mëdha.
Nëpërmjet këtyre masave synohet rimëkëmbja e ekonomisë amerikane, e cila fillon me mbështetjen e shtresës së mesme dhe shtresave në nevojë, të cilat kanë qenë edhe ato që i paguan më shtrenjtë masat e mara për përballimin e pandemisë. Rruga drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe shërimit të plagëve sociale të shkaktuara nga kjo situatë është sa e gjatë dhe e vështira, aq edhe plot të panjohura. Të panjohura si nga ana mjekësore, ashtu edhe nga ana sociale dhe sigurisht edhe politike. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Shtetet e Bashkuara, por duke marrë në konsideratë nivelin e globalizimit, edhe për pjesën tjetër të botës. Kjo është arsyeja se pse një tejkalim sa më i shpejtë i krizës nga ana e shteteve që janë motor i zhvillimeve ndërkombëtare, do të ishte jo vetëm një shembull i mirë për vendet e tjera, por edhe një mbështetje konkrete për to.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al