HALIL RAMA*
Për 726 nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare Qesarakë dita e fillimit të vitit të ri shkollor (11 shtator 2023) do të mbetet në kujtëse si dita e inaugurimit të bustit të dëshmorit Klodian Tanushi, emrin e të cilit mban shkolla e tyre.
Një ditë krejt e veçantë kjo, kur para se të futeshin në klasat e tyre, ata, si dhe dhjetëra personalitete që ju bashkuan këtij eventi do të shpërthenin në duatrokitje të fuqishme në çastin kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, gjeneralmajor Arben Kingji dhe babai i dëshmorit, ish-ushtaraku shembullor Basri Tanushi do të zbulonin bustin në Bronx të Klodian Tanushit, vepër kjo mjaftë e arrirë artistikisht e skulptorit Ardian Pepa. Kështu, vogëlushët e kësaj shkolle, si dhe mësuesit e tyre, çdo mëngjes do të përshëndetën me heroin shqiptar të Letonisë.
Nëse në kampin e NATO-s në Letoni është vendosur një memorial për Klodian Tanushin dhe Zarife Hasanajn, të cilët humbën jetën pas shpërthimit në bazën e NATO-s në Letoni, vendosja e emrit të Klodianit shkollës së re në zonën ku jeton familja e tij, ishte një vendim historik i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.
Nëse lapidari përkujtimor i djalit flokëverdhë dibran, majorit të NATO-s, Klodian Tanushi, atje në Letoninë e largët, është një simbol i miqësisë mes popujve, që bën krenar jo vetëm familjen e Klodianit, babë Basriun, bashkshorten Semiha, djemtë Serxho e Klesoi dhe vajzën Darla, por çdo shqiptar, përjetësimi në portetin në bronx në oborrin e shkollës që mban emrin e tij është vepër e shkëlqyer në nderim dhe vlerësim të veprës heroike të Klodian Tanushit. Ndaj, dhe drejtori i shkollës, Lulzim Lika, në fjalën e tij përshëndetëse dje u shprehu një falenderim special gjithë shokëve e miqve të Klodit dhe në mënyrë të veçantë familjarëve të dëshmorit Klodian Tanushi. Pasi ju uroj mirëseardhjen nxënësve, ai e konsideroi këtë një ditë të shënuar për faktin se përuronin bustin e dëshmorit, emrin e të cilit mban kjo shkollë. “Ne jemi krenarë që shkolla jonë do të mbajë dhe në të njejtën kohë do të përjetësojë emrin e Klodit”, tha ndër të tjera drejtori Lika.
KONTRIBUTI NË MISIONET NDËRKOMBËTARE TË PAQES
Nuk ishte detyra e parë e major Klodianit në misione ndërkombëtare paqeruajtëse. Kontributi i tij në këtë fushë është i shquar dhe i shtrirë në kohë. Pjesëmarrja e tij në misione ndërkombëtare është, si më poshtë: Më 16 shtator 2012 deri më 6 mars 2013, ka marrë pjesë në misionin “Althea” në Bosnje-Hercegovinë, me detyrë komandant kontingjenti. Më 19 qershor 2017 deri më 15 dhjetor 2017, ka marrë pjesë në misionin e NATO-s në Letoni, me detyrë komandant kontingjenti. Klodian Tanushi – Heroi i Paqes 283. Më 20 dhjetor 2018 deri më 10 maj 2019, ka marrë pjesë në misionin e NATO-s në Letoni, me detyrë komandant kontingjenti dhe përfaqësues i lartë ushtarak.
Më 6 maj 2019, gjatë një operacioni çmimi, ndodhi një incident i rëndë, ku mbetet e vdekur në vend nëntetarja Zarife Hasani dhe u plagos major Klodian Tanushi dhe nëntetar Julian Kapaj, nga shpërthimi i një mine. Pas katër ditësh, më 10 maj 2019, ndërron jetë edhe major Klodian Tanushi, duke mos u bërë ballë plagëve të marra, me gjithë kujdesin e veçantë të mjekëve. Më 15 maj 2019, trupi i tij i pajetë u kthye në atdhe. Më 16 maj, u bë varrimi i dëshmorit Klodian Tanushi te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Kur Klodiani kreu aktiv sublim të rënies në krye të detyrës ushtarake, ishte më pak se 39 vjeç, sepse ai kishte lindur më 31.10.1980. Major Klodiani u largua si burrat prej njerëzve të tij të dashur, prej miqve dhe shoqërisë, prej Forcave të Armatosura, kur ishte në më të mirën ditë, në më të mirën moshë, pikërisht atëherë kur ai mund t’u jepte akoma më shumë kontribute familjes së tij të nderuar, shoqërisë dhe Forcave të Armatosura.
MODEL QYTETARIE, USHTARAK SHEMBULLOR, FAMILJAR I PËRKRYER
Busti në boronx dhe dhjetra materialet filmike, arkivore e dokumentare dëshmojnë se Klodiani ishte model qytetarie, ushtarak shembullor, familjar i përkryer. Ndaj, dhjetëra janë vlerësimet e nderimet institucionale, që i janë bërë major Klodian Tanushit, për së gjalli dhe pas vdekjes”. Kjo, sipas tij, për faktin se Major Klodian Tanushi, pas rënies heroike në krye të detyrës, me vendimin nr.786, datë 13.5.2019, të Komisionit të Posaçëm Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Me urdhrin nr.706, datë 31.5.2019, të ministrit të Mbrojtjes, i jepet “Medalja e Nderit”, ndërsa me urdhrin nr. 554, datë 11.5.2019 të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i jepet medalja “Luftëtari”. Më 10 maj 2021, Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, me një ceremoni të posaçme solemne, dekoroi me “Dekorata e Artë e Shqiponjës” dëshmorin major Klodian Tanushi (pas vdekjes).
Kreu i shtetit vlerësoi kështu aktin sublim të major Tanushi, i cili lartësoi Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, si një anëtare e denjë e NATO-s, për t’u shndërruar, nëpërmjet profesionalizmit të tij të lartë dhe trimërisë së rrallë të dëshmuar, në një shembull të përhershëm frymëzimi për çdo shqiptar. Gjatë karrierës së tij ushtarake qe vlerësuar: Me medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës; medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm; medalje “Shërbimi në Mision jashtë vendi”; medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga ministri i Mbrojtjes; medaljen e “Mbështetjes” nga komandanti i Komandës Mbështetëse. Me vendimin nr. 09, datë 23.12.2019, të Këshillit të Qarkut Dibër, Klodian Tanushi është shpallur “Qytetar Nderi i Qarkut Dibër”.
Këtyre vlerësimeve të rëndësishme iu shtohet dhe një vlerësim tjetër me shumë vlerë. Një vit më parë, një vlerësim e nderim të lartë i bëri djaloshit trim dibran, major Klodian Tanushit, edhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Dibrës, me kryetar z. Sokol Sava. Ky këshill, me vota unanime, me vendimin nr. 60, datë 10.4.2020, vendosi që rruga nga kryqëzimi i fundit i bulevardit me rrugën e Pollozhanit, deri tek ish-Shkolla Bujqësore (Karburanti) të emërtohet rruga “Klodian Tanushi”. Kësisoj, major Klodian Tanushi, “Dëshmor i Atdheut”, do të jetë përditë e për çdo kohë në mesin e banorëve të këtij qyteti, në kujtesën dhe shpirtin e tyre.
Major Klodian Tanushi shpalosi trimëri, guxim, përkushtim e profesionalizëm në kryerjen e detyrave ushtarake, që i ishin ngarkuar, si dhe dha kontributin e tij të vyer në mbrojtje të vlerave të paqes dhe sigurisë, kudo në botë. Ai përfaqësoi e vlerat më të larta të ushtarakut shqiptar, jashtë vendit të tij, në kuadër të NATO-s, bëri sakrificën sublime, duke dhënë jetën e tij të re në krye të detyrës në Letoni, si komandant i Forcave Paqeruajtëse Shqiptare. Më parë, për gati njëzet vjet, major Klodiani kishte dhënë kontributin e tij të çmuar edhe për forcimin e modernizmin e Forcave tona të Armatosura, duke komanduar në nivele të ndryshme me shumë profesionalizëm dhe përkushtim atdhetar. Major Klodian Tanushi ishte një djalë i ri, që gdhendi emrin e tij me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë, është dëshmori më i ri nga ushtarakët shqiptarë, që ra në krye të detyrës në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë. Ishte një djalë i ri, me dashuri të madhe për jetën, për profesionin dhe për paqen, kudo në botë.
KARRIERA NË FORCAT E ARMATOSURA E MAJOR KLODIAN TANUSHIT
Major Klodian Tanushi lindi më 31 tetor 1980, në qytetin e Peshkopisë të Rrethit të Dibrës dhe është fëmija i parë i familjes Tanushi. Ai vjen nga një familje atdhetare, e besës dhe e punës. Të parët e saj ishin luftëtarë, deri në gjeneralë, përkrah Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastriotit Skënderbeut”. Origjina e Klodianit vjen nga fshati Fushë-Muhurr i rrethit të Dibrës. Ky fshat, sa i lashtë, aq dhe i bukur, shtrihet buzë Drinit të Zi, i cili i jep atij jo vetëm një pamje mahnitëse, por e bën dhe shumë të përshtatshëm e tërheqës për pushues të shumtë nga fshati dhe qyteti. Arsimin 8-vjeçare e bëri në shkollën “Demir Gashi”, po në qytetin e Peshkopisë. Në vitin 1999, mbaroi shkollën e mesme në profilin “motorist-xhenerik”, pranë shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. I martuar me tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, përkatësisht 15, 12 dhe 3 vjeç. Nga viti 2000 deri në vitin 2003, ndoqi studimet pranë Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve është titulluar oficer aktiv i Forcave të Armatosura, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, nr. 9628, datë 18 shtator 2003 dhe mori gradën e Nëntogerit. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra në funksione të ndryshme si: Komandant toge, komandant kompanie, shef Seksioni, specialist Operacionesh, komandant Kontingjenti në misionet ndërkombëtare dhe përfaqësues i lartë i ushtrisë sonë në bazën e NATO-s në Letoni.
KLODIAN TANUSHI I TREGOI BOTËS Ç’ËSHTË SHQIPTARIA
Nxënësit e kësaj shkolle do t’i frymëzojë në vijimësi ky bust i derdhur bukur në bronx i Heroit të Paqes Klodian Tanushi edhe për faktin se ai i tregoi botës se ç’është shqiptaria.
Një vit më parë (22 tetor 2022) në përurimin e kësaj shkolle, së cilës ju vendos emri “Klodian Tanushi, në nder të “heroit të paqes”, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni, Kryeministri Rama që ishte i pranishëm në përurimin e saj në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne, ndër të tjera vlerësoi aktin e heroit të paqes që sakrifikoi jetën për atdheun, duke mbetur shembull frymëzimi për të rinjtë.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj, duke kujtuar figurën e Major Klodian Tanushit, tha se heronjtë e sotëm janë ata që nderojnë kombin edhe pas vdekjes.
“Sot, është një ditë e trishtë sepse kujtojmë shokun tonë, djalin tuaj që nuk është më, por një gjë është e sigurt: ky emër, kjo shkollë do të jetë këtu në jetë të jetëve. Sepse, Klodiani na la një reputacion të jashtëzakonshëm, prandaj duhet të jeni krenarë. Sot kemi nevojë më shumë se kurdo për frymëzim”, tha ndër të tjera kryebashkiaku Veliaj.
Më 11 shtator, në ditën e inaugurimi të bustit të tij, jeta dhe vepra heroike e Klodian Tanushit u vlerësuan nga deputetët Xhemal Qefalia e Lavdrim Krashi, ndërsa ishin të pranishëm edhe deputetët Bardhyl Kollçaku, Petrit Doda e Denis Deliu, si dhe nënkryetari i Këshillit të Qarkut Dibër, Armand Gjini. Mbresëlënëse qe për nxënësit e mësuesit edhe përshëndetja e Basri Tanushit, babait të dëshmorit.
“Pas vendosjes së emrit, ne si familje, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës, në mjediset e saj ngritëm muzeun që rrezaton njohuri për këdo që e viziton pasi mëson se kush ishte Klodi. Kjo jo vetëm me shkrime, por edhe me dokumenta, fotografi e vendime për dekorimin e tij nga institucione të rëndësishme të vendit e ato ndërkombëtare”, tha ndër të tjera babai i dëshmorit. Ndërkohë, Bastri Tanushi vlerësoi si ngjarje të rëndësishme përurimin e bustit të djalit të tij në oborrin e kësaj shkolle, për të cilin dha ndihmesë financiare sipërmarrësi Xhetan Ndregjoni.
Jeta e Klodianit, Zarifes dhe shumë të tjerëve që shërbyen dhe ranë heroikisht në misionet paqeruajtëse, flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar që nga marrja e qumështit dhe këshillave të para të nënës e babait në djep, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të Forcave të Armatosura, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi dhe të Aleancës. Ata na tregojnë se paqja ka një çmim. Ndaj dhe përjerësimi i emrit të tyre në institutucione të tilla arsimore ka rëndësi të veçantë sepse i shërben edukimit atdhetar të brezave.
Kjo për faktin se me aktin e tij heroik, Klodian Tanushi nderoi jo vetëm familjen, por gjithë Shqipërinë, duke i treguar botës se ç’është shqiptaria. Pikërisht për këtë, duhet konsideruar si e drejtë legjitime kërkesa e babait të tij, bërë publike në këtë event mbresëlënës, që trupa pedagogjike e kësaj shkolle të angazhohet maksimalisht në procesin edukativ, mësimor e shkencor, për të bërë të mundur që kjo shkollë të renditet ndër shkollat më të mira të kryeqytetit.
*Mjeshtër i Madh
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al